Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka marrë pjesë në një pritje festive të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e festave të 28 dhe 29 Nëntorit.
Në këtë mbrëmje, të organizuar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, u shënua 114-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe 82-vjetori i çlirimit të saj nga nazifashizmi.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Latifi, përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë edhe momente nga kjo pritje, në të cilën ishte i pranishëm edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Një mbrëmje e veçantë festive në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës dhe ambasadori Petrit Malaj, për nder të 28 dhe 29 Nëntorit, 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe 82-vjetorit të çlirimit të saj nga nazifashizmi”, ka shkruar Latifi.
Ai ka uruar qytetarët për festat kombëtare, duke theksuar rëndësinë e këtyre datave për shqiptarët.
“Gëzuar Ditën e Flamurit tonë kombëtar, të Pavarësisë dhe të çlirimit të Republikës së Shqipërisë!”, ka shkruar Latifi.