Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) proteston sot në Prishtinë, duke kërkuar veprime konkrete institucionale për parandalimin e femicidit.
Protesta, me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”, do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Përmes kësaj proteste, RrGK kërkon ndryshimin e Kodit Penal dhe përcaktimin e femicidit si vepër penale të veçantë, krijimin e mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin dhe analizimin e rasteve, si dhe sigurimin e financimit të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave.
Organizata ka theksuar se vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënimet, përndjekja, kontrolli dhe forma të tjera të dhunës, duke kërkuar nga institucionet që t’i trajtojnë me seriozitet raportimet dhe kërkesat për ndihmë.
Ndër kërkesat e tjera janë zbatimi i plotë i legjislacionit, koordinimi më i mirë ndërinstitucional, vlerësimi i rrezikut dhe llogaridhënia e institucioneve përgjegjëse.
Sipas RrGK-së, përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet të bjerë mbi gratë që kërkojnë ndihmë, por mbi institucionet që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato.
Rrjeti ka vlerësuar se deklaratat dhe premtimet pas çdo vrasjeje nuk janë të mjaftueshme, duke kërkuar ndryshime konkrete ligjore dhe institucionale.
Protesta mbahet në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe pikërisht një muaj pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Zekaj u vra më 25 tetor të këtij viti, i dyshuar për aktin është kunati i saj.