Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria do të vijojë ta mbështesë me vendosmëri dhënien e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Kosovën. Deklaratën e ka bërë në Ohër, gjatë takimit me presidenten e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në nisje të Samitit të Procesit Brdo-Brijuni.
Begaj e uroi Shiroka-Pulën për detyrën e re dhe shprehu besimin se përvoja e saj akademike dhe profili i saj politik e njerëzor do të kontribuojnë në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës dhe në forcimin e institucioneve. Ai tha se marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën mbeten prioriteti parësor i Shqipërisë dhe theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe të riaktivizimit të takimeve më të shpeshta të përbashkëta.
Sipas Begajt, Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin bashkë në çuarjen përpara të agjendës së përbashkët kombëtare, me anëtarësimin në BE si një nga objektivat kryesore. Ai tha se dy presidentët duhet të jenë faktorë bashkues dhe përfaqësues dinjitozë të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Për integrimin evropian, Begaj vlerësoi se Kosova meriton një qasje të re nga BE-ja dhe çmoi përpjekjet e saj për përmbushjen e standardeve evropiane dhe për përafrimin me politikat e BE-së.
Presidenti shqiptar rikonfirmoi se Kosova është pjesë e çdo takimi që ai zhvillon me përfaqësues ndërkombëtarë dhe se kërkesa për njohjen e saj nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë hap mbetet në agjendën e tij. Ai kujtoi se që në takimin e parë në selinë e NATO-s, si president i Republikës, ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Aleancë, dhe tha se Shqipëria do të vijojë ta mbështesë zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës e anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Duke folur për procesin gjyqësor në Hagë, Begaj përcolli mbështetjen e plotë të Shqipërisë për hapat ligjorë të autoriteteve të Kosovës dhe për të drejtën kushtetuese të nismave ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara, në konsultim me partnerët. Ai rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për një drejtësi të paanshme, që respekton kontekstin historik të luftës së popullit të Kosovës për liri.
Në përfundim, Begaj theksoi se promovimi i çështjeve që i bashkojnë shqiptarët përtej politikës së ditës është pjesë e agjendës kombëtare. Ai shprehu besimin se bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe Kosovës, përmes një përfaqësimi të përbashkët në arenën ndërkombëtare, do të vijojë të kontribuojë në aspiratat evropiane dhe euroatlantike të Kosovës.
Samiti i Brdo-Brijunit mbahet në Ohër dhe organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe të Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, ndërsa nikoqire e takimit është presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.