Shiroka-Pula në Ohër: BE-ja nuk ndërton unitet duke toleruar simbole që nxisin ndarje

Aktuale

Shiroka-Pula në Ohër: BE-ja nuk ndërton unitet duke toleruar simbole që nxisin ndarje

Nga: Bota sot Më: 27 nëntor 2026 Në ora: 17:52
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, gjatë fjalimit në Samitin Brdo-Brijuni në Ohër.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka thënë në Ohër se Bashkimi Evropian nuk mund të ndërtojë unitet duke toleruar simbole dhe praktika që nxisin ndarje dhe as duke u mjaftuar me një distancim formal. Ajo foli në Samitin e Procesit Brdo-Brijuni, ku mori pjesë për herë të parë pas zgjedhjes si presidente të vendit.

Shiroka-Pula iu referua Forumit të Zgjerimit të BE-së, të mbajtur më 16 nëntor në Bruksel, ku u diskutua për të ardhmen evropiane të rajonit, por Kosova nuk u ftua të merrte pjesë. Në atë ngjarje, tha ajo, u interpretua edhe një këngë nacionaliste që vë në dyshim shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Presidentja e quajti paradoksale që në një ngjarje kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane, Kosovës i mohohet përfaqësimi institucional, ndërsa lejohen mesazhe që cenojnë shtetësinë e saj.

Siç është raportuar më herët, bëhet fjalë për këngën nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e interpretuar në koncertin hapës të Forumit. Komisioni Evropian i ka thënë më parë “Bota sot” se kënga nuk ishte e dakorduar me të dhe se i vjen keq për zgjedhjen.

Image
Liderët e rajonit në Ohër

Shiroka-Pula tha se procesi i integrimit nuk mund të zbatohet në mënyrë selektive dhe se të gjitha vendet duhet të ecin paralelisht drejt anëtarësimit, të vlerësuara sipas meritës dhe kritereve. Kosova, theksoi ajo, nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por barazi, respekt dhe drejtësi, ndërsa vonesa në këtë proces dhe mungesa e progresit drejt statusit kandidat po e dëmtojnë besimin e qytetarëve të Kosovës dhe besimin te perspektiva evropiane e rajonit. Ajo tha se Kosova i ka përmbushur detyrimet dhe pret të integrohet me të njëjtat kritere për të gjithë.

Presidentja propozoi edhe një hap konkret për qytetarët: heqjen e tarifave të roamingut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ajo vlerësoi se Plani i Rritjes krijon mundësi për reforma, investime dhe vende të reja pune, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjitha vendet.

Për sigurinë, Shiroka-Pula tha se agresioni i Rusisë në Ukrainë e ka bërë edhe më të domosdoshme gatishmërinë parandaluese dhe operative. Ajo tha se Kosova po përgatitet për skenarin më të keq, duke shpresuar që ai të mos ndodhë, dhe se ka investuar në personel, pajisje dhe armatim për të garantuar integritetin territorial dhe për t’i vënë këto kapacitete në dispozicion të vendeve aleate.

Në fund të fjalimit, presidentja shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për ta organizuar takimin e ardhshëm të Procesit Brdo-Brijuni. Samitin e organizojnë presidentët e Sllovenisë dhe të Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, ndërsa nikoqire në Ohër është presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat