Alpinistja e mirënjohur e Kosovës,Uta Ibrahimi, kudo që shkon në botë e lartëson shtetin e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur ngrohtësisht Utën duke e përgëzuar për sukseset e mëdha në rrafshin ndërkombëtar.
“Uta, mirë se na erdhe nga akujt e Kanchenjungës!

Ngjitja shkallëve për në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, aty ku ishim grumbulluar për ta nderuar një grua të jashtëzakonshme, besoj të ketë qenë ngjitja më e lehtë.
Kësaj radhe na erdhi edhe me histori në supe, si gruaja e parë shqiptare dhe nga i gjithë Ballkani që ka ngjitur 14 majat më të larta të botës - që të gjitha mbi 8 mijë metra të larta.
Përkundër që ngjiti malet më të larta të botës, ajo gjithmonë ka qenë me këmbë në tokë – me dashamirësinë shoqërore për cilindo që e njeh.
Për punën dhe kontributin e Utës që nuk matet me altimetër, e falënderojmë përzemërsisht.
Si qeveri, si institucione, por para së gjithash, si qytetarë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në facebook.