Rrëfen shqiptaro-amerikani Rifat Tahir Prençi, ish i dënuar politik

Amerika

Rrëfen shqiptaro-amerikani Rifat Tahir Prençi, ish i dënuar politik

Nga:  Nga Dukagjin HATA  Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 18:09
Rifat Tahir Prençi dhe ish Presidentin e SHBA-ve Xhorxh W Bush

Shqiptaro-amerikani Rifat Prençi endet mes Shqipërisë dhe SHBA dhe tani në moshën 83 vjeçare, kur kujtesa e të kaluarës tek ai po bëhet më aktive se kurrë, ndjek gjurmët e të ndodhurave të jetës së tij, përgjatë një kalvari të pashembullt në rrugën e Golgotës. Në këtë rrugë vuajtje e privimi unik, me 23 vjet burg politik dhe me gjithë barrën e “mëkatave” të pa kryera mbi shpinë, jeta e tij ka pasur vetëm pak vezullime lumturie e kjo ka ndodhur vetëm pas hapjes së Shqipërisë me botën, kur mund të themi se ndriti dhe ylli i fatit të tij. Njohjen me familjen e shquar të Bushëve, me Bushin e Vjetër dhe të Riun, dy presidentët e shquar të SHBA-ve, Rifati e konsideron si kryefatin e jetës së tij, mbushur me plagë e dhimbje. 

Pas disa dekadave, hapja e Shqipërisë mundësoi që për Rifat Prençin të intersoheshin njerëz me ndikim të fuqishëm politik në Amerikë dhe konkretisht George H. W Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili në kohën kur i ati, Tahir Prençi, stërvitej në kompaninë 4000, e kishte njohur nga afër, pasi ishte nën komandën e drejtpërdrejtë të tij, si ish shef i CIA-s. 

-Kush është Rifat Prençi?

-Jam me origjinë nga Dibra, i biri i Tahir Prençit, radistit të famshëm, stërvitur nga CIA amerikanë në kompaninë 4000, në Mynyh të Gjermanisë, ardhur si desantë në Shqipëri në mesin e viteve ’50 dhe kapur me dredhi nga Sigurimi i shtetit, ekzekutuar në mënyrë barbare nga klika e Diktaturës. Jeta ime ka rrjedhë në hullinj të trazuar, për shkak të tim eti, që konsiderohej “armik” nga Diktatura dhe mbi mua, si i biri i tij, ra me egërësi tehu i përgjakur i shpatës së një regjimi të egër e diabolik, që e kishte ndërtuar jetëgjatësinë e pushtetit të vet mbi vuajtjet dhe privimet e atyre që i quante “klasa të përmbysura”. Im atë nuk kishte bërë asnjë krim, përveçse nuk e donte komunizmin dhe për ta përmbysur këtë klikë gjakatare, që kishte ardhur nga stepat ruse, si pushtuese nga brenda e nga jashtë vendit, bashkëpunoi me aleatët historikë më të mëdhenj të popullit shqiptar, aleatët amerikanë. 

Në kompaninë stërvitore 4000, në Mynyh të Gjermanisë, im atë dhe bashkëqëndrestarët antikomunistë shqiptarë, që përgatiteshin për të rrëzuar qeverinë komuniste të Tiranës, instruktoheshin drejtpërdrejt nga CIA. Babai im kishte lidhje të drejtpërdrejta dhe për më tepër kishte miqësi personale me ish shefin e CIA-s së atyre viteve, George H. W Bush, pra me Xhorxh Bushin e Vjetër.

Por, në kohën që ndodhnin këto, unë isha fëmijë dhe nuk e ndieja ende me gjithë egërsinë dhe brutalitetin e vet, peshën dërrmuese të luftës së klasave, që do të më rëndonte për rreth tre dekada si një makth…  

Arrita të rregjistrohem “inkonjito” në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, kam pasur pasion shkencat matematike dhe inxhinierike, pasi edhe në shkollë të mesme, të cilën gjithashtu arrita ta marrë pa dhënë gjeneralitetet e sakta të përkatësisë nga ana e babait, dola me rezultate të shkëlqyera. Duke u ulur në auditoret e Universitetit, mendova se po më hapej një mundësi për t’i ikur rrethit të fatit të trishtë, që më ndiqte si një mallkim për shkak të qëndresës antikomuniste të babait, por në mes të studimeve, kur e zbuluan se i biri i kujt isha, jo vetëm më përjashtuan në mënyrën më flagrante të mundshme nga Universiteti, por më tej do të nisnin ndaj meje sprovat e kalvarit të burgjeve politike, burgjeve ferr të një regjimi burg. Me prova të sajuara e të montuara keq, pa asnjë hetim rreth fajësisë sime, e cila ishte sureale, më përplasën në dhomat e izlomit, në hetuesitë e një kohe të pa kohë, ku iu nënshtrova torturave nga më të egrat e sadiste, që do t’ua kishin zili dhe inkuiziotorët më fanatikë të Mesjetës.

-Ç’do të thotë të jeshë në moshën më të bukur të jetës dhe befas…të të ndahet koha në mes, falë një fataliteti?...

-Është një makth, që duket sikur të kafshon përbrenda si një përbindësh i fshehtë, cinik dhe agresiv. Gjithçka që kisha thurur në mendje dhe shpirt si një ëndërr për jetën rinore qe zhbërë brenda një çasti dhe pati nisur koha e privimeve të skajshme nga gjithçka. Sot është e lehtë të flasësh, por kur e ke vuajtur në lëkurë, sa herë që i rikthehesh, qoftë dhe shkarazi asaj kohe, atyre gjurmëve prej dhimbjeje, ndihesh keq dhe nuk dëshirë të vazhdosh të tregosh…Rrëfimi nuk të çliron, siç thonë, por duhet rrëfyer, duhen treguar krimet e përbindëshme të Diktaturës, që brezat të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në atë epokë gjakatare, që e keqja të mos përsëritet më kurrë.       

-Çfarë ndodhi me ju pas hapjes së Shqipërisë, si përfunduat në Amerikë?

-Hapja e Shqipërisë erdhi si një ogur shprese për shtresën e përndjekjes politike, por shumë shpejt ish të dënuarit politikë do të ndesheshin me vështirësi e pengesa të shumta për t’u integruar në shoqërinë shqiptare. Vujatja e tejaskajshme dhe privimi i gjatë nga të drejtat dhe liritë themelore njerëzore na kishte lënë prapa dhe do të duhej shumë kohë që fëmijët tanë të shkolloheshin e të kapnin kohën e humbur. Nga ana ekonomike ishim të dërrmuar dhe të pashpresë. Gjithë zhurmënaja e integrimit dhe dëmshpërblimit të vuajtjeve tona në burgjet ferr të komunizmit rezultoi një retorikë boshe dhe propogandë elektorale e partive, që zëvëndësonin njëra tjetrën gjatë rrotacionit politik. 

Por le të kthehemi tek pyetja juaj. Për fat të mirë, për mua si person u interesua një njeri shumë i fuqishëm, një lider me përmasa botërore, falë të cilit shkova në vendin e bekuar të lirisë dhe të drejtave qytetare, në simbolin e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjeta vetveten, atë që s’e kisha gjetur në vendin tim…Ai ishte ish Presidenti amerikan George H. Ë Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga viti 1989 deri më 1993, në një periudhë të rëndësishme të shekullit të 20-të, ku ishte dëshmitar dhe protagonist në rënien e Perdes së Hekurt dhe mitit ideologjik të Bashkimit Sovjetik. Xhorxh Bushi i Vjetër, nëpërmjet ambasadës amerikane në Tiranë, më kërkoi dhe përgatiti gjithçka që unë të shkoja në SHBA, ku do të niste për mua dhe familjen time një jetë tjetër. 

-Më pas u lidhët dhe me presidentin tjetër, Xhorxh Ë. Bush, Bushin e Ri, çfarë të ka bërë përshtypje tek ai dhe tek plaku, tek at e bir dhe familja Bush?

- Vajtja në Amerikë hapi për mua një faqe të re të jetës sime, e cila deri atëhere kishte qenë gri, për të mos thënë e zezë. Bushët u intersuan për mua, sikur të isha pjesë e familjes së tyre. Kam hyrje dalje familjare me familjen e shquar Bush, me te cilën ruaj lidhje dhe kontakte të vazhueshme dhe ju kam qenë për vizitë në raste gëzimesh e hidhërimesh, në ditë festash e ngjarjesh përkujtimore, të cilat ata i ndjekin në mënyrë rigoroze. Kam qenë në shtëpinë e Xhorxh  Bushit të Ri kur i vdiq e ëma dhe tani së fundi kur ndërroi jetë i ati, që ishte një lider karizamtik, me një madhështi rrëzëllitëse të përmasave botërore. Më kanë pritur me ngrohtësi e dashuri dhe gjithmonë më kanë pyetur se çfarë mund të bënin për mua dhe familjen time. Të dy, baba e bir, kanë qenë për mua një derë e hapur, edhe pse unë falë shtetit amerikan, për ndërtimin e së cilit ata kanë një peshë dhe kontribut të konsiderueshëm, m’i ka plotësuar të gjitha nevojat dhe kushtet. 

Xhorxh W Bush (mua më pëlqen ta quaj Bushi i Ri) është njeri me shumë humor, të dëgjon me vëmendje dhe bëhet pjesë e kujtesës dhe emocioneve të tua, pjesë shqetësimeve të tua, në mënyrë krejt të natyrshme. Nuk është fare formal dhe protokollar, është mjaft i ngrohtë në komunikim, i çiltër dhe veprues, me të ndihesh mirë dhe mjaft komod.   

Jam tepër falenderues për çfarë kanë bërë për mua, duke më dhënë një mundësi të madhe që, pas asaj traume të rëndë që kam përjetuar në ferrin komunist, të shijojë Edenin e lirisë dhe vlerave njerëzore në tokën e bekuar amerikane. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat