Vatra, kremtoi me madhështi 28 Nëntori Pavarësinë e Shqipërisë

Amerika

Vatra, kremtoi me madhështi 28 Nëntori Pavarësinë e Shqipërisë

Nga: Beqir Sina Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 23:25
Foto ilustrim

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetet ku më së shumti vitet e fundit janë të përqendruar shqiptarët, – në lokalet shqiptare dhe vendet e zgjedhura nga ata për të festuar, së bashku me familjet, miqtë e tyre shqiptarë e amerikanë, kanë kremtuar me madhështi 109 – Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festa më madhore që i bashkon të gjithë shqiptarët nga të gjitha krahinat dhe trojet të tyre prej nga kan ardhur në SHBA.

Për dallim nga 4-5 vitet e fundit, këtë vit festa e vatranëve, iu kthye traditës shumë vjeçare, diçka që i kishte munguar këto vite, duke e bërë atë festimin qendror në SHBA.

Kryetari i Vatrës, Elmi Berisha, Anton Raja, Ahmet Xhafo, Besim Malota, Sokol Paja, e të tjer, bënë atë që dhjetra shoqata e organizata të komunitetit, të bëhen bashkë me udhëheqësit e të tre besimeve, lider të komunitetit, dhe zyrtar të lart të qytetit, si dhe më shumë se 600 veta, per ti dhanë një shkëlqim të veçantë festës së 28 Nëntorit - Dita e Flamurit.

Darka e Vatrës një manifestim qëndror i bashkoi të gjithë shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, Çamëria dhe të gjitha trojet etnike shqiptare, u mbajt nën “ombrellën” e shoqatës PanShqiptare e Amerikës Vatra në New York, me pjesmarrjen e më shumë se 15 grupimeve të shoqatave, enteve fetare në komunitet, organizatave të tjera politike dhe krahinore, per nji mbrëmje madhështore, në shenjë të përvjetorit të 109-të, të Pavarësisë së Shqipërisë.

Pjesë e mbrëmjes festive të 109 vjetorit të Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar ishin të gjitha shoqatat dhe organizatat shqiptare në New York dhe më gjërë: Batalioni Atlantiku, shoqata Malësia e Madhe, Shoqata Kraja, Shoqata Rugova, Shoqata Rrënjët Shqiptare, Shoqata Duart e Hapura, Shoqata Skenderbej, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë, Shoqata e Policëve Shqiptarë e shumë organizata e individë, personalitete të spikatura e veprimtarë të shquar në diasporën shqiptare të Amerikës. 

Ky manifestim u mbajtë të dielën më 28 Nëntor, në lokalin “Eastwood Manor” ne Bronks- Nju Jork, dhe morën pjesë më shumë se 600 shqiptarë.

Drejtuesi i këtij manifestimi Editori i Diellit, Sokol Paja, prezantoi mysafirët e nderit dhe disa nga personalitetet e njohura të komunitetit.

Lutjen fetare dhe bekimin e festës së 109 Vejtorit e kreu sipas traditës së kësaj feste – I përdershmi Dom Pjetër Popaj, famullitar i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës në Hartsdale- New York.

Hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, u kënduan nga këngëtari i njohur i Ansamblit Shtetëror të Këngve dhe Valleve Aranit Hoxha, shoqëruar prej orkestres. 

Më pasë me një minutë heshtje, për të nderuar kujtimin e dëshmoreve të kombit shqiptar, dhe për ushtarët amerikanë të rënë në luftërat për liri, paqe e demokraci, si dhe humbjet e fundit në aksidentin automobilistek në Bullgari ku humbën jetën 45 shqiptar, dhe tre të rinjët në Pejë, u shoqëruan nga të pranishmit me qëndrim në këmbë, në shenjë nderi e respekti.

Vatra nderoi me: “Medalja e Artë e Lirisë” personalitete të shquara të diasporës shqiptare në Amerikë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në dobi të çështjes kombëtare: 

Kolonel Dritan Demiraj, Gjeneral Gani Shehu, z.Asllan Bushati, z.Naim Dedushaj, z.Nazar Mehmeti. Kontributi i këtyre personaliteteve në fushën e sigurisë kombëtare dhe në luftën ndaj terrorizmit global, çlirimit të Kosovës e zhvillimit të Ekonomisë, e sipërmarrjes dhe kontributit për kauzën kombëtare, bëjnë krenar çdo shqiptar për arritjet e tyre dhe vlerat e larta kombëtare që përfaqësojnë.

Në darkën festive të organizuar nga Vatra me rastin e Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar, nderuan me pjesëmarrjen e tyre: Zonja Albana Dautllari -Zv Ambasadore e Misionit Shqiptar në OKB, Frymëzim Isufaj- Ambasador, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Najada Sojli -Konsulle e Shqipërisë në New York, Prof.Dr. Rifat Latifi- Ministër i Shëndetësisë së Kosovës, Gjeneral Gani Shehu i Batalionit Atlantiku, Almona Bajramaj – Diplomate pranë Misionit shqiptar në OKB, Lulëzim Krasniqi- Diplomat, Albena Reshitaj- Deputete e Kuvendit Kosovës, Mark Gjonaj Këshilltar i Bashkisë New York, z.Nazar Mehmeti- Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Botë, Marko Kepi - Rrënjët Shqiptare, Rob Astorino- Kandidat për Guvernator i New York.

Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e rastit për të uruar festën e Flamurit uroi shqiptarët për unifikim, bashkim, paqe, zhvillim dhe shpresë në Atdheun tonë të dashur e të shtrenjtë. Kryetari Berisha deklaroi: 

“Kjo ditë e shenjtë për të gjithë ne, është një ditë krenarie, lavdie dhe reflektimi të thellë. Sot më shumë se kurrë përkujtojmë aktin e lartë patriotik të shtetit shqiptar, mëvetësinë që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, së bashku me 40 firmëtarët e Pavarësisë e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është moment kulminant i daljes nga robëria osmane pesë shekullore. Sot u shpreh mirënjohje të thellë patriotëve të shquar, luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të Atdheut dhe çdo shqiptari që nuk iu dhimbs asgjë në mënyrë që Atdheu të gëzojë lirinë dhe pavarësinë e tij” uroi kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. 

Si përfaqësues i shtetit të Kosovës, Ministri i Shëndetësisë Prof. Dr. Rifat Latifi uroi shqiptarët me rastin e festës së Flamurit ku ndër të tjera tha: “28 Nëntori është festë e shumëfishtë për kombin shqiptar. Është dita e Flamurit, është dita e Pavarësisë, është edhe ditëlindja e komandantit legjendar – kryekomandantit Adem Jashari, është edhe dita e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete sovrane, zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira me dobi të përbashkët për të gjithë qytetarët tanë. Kosova dhe Shqipëria janë shtëpitë që kombi shqiptar i ka ngritur vetes për sigurinë dhe mirëqenien e tij dhe është detyra jonë për të bërë të mundur që këto dy shtëpi të jenë të forta dhe mbështetje edhe për ata shqiptarë që janë jashtë tyre, kudo në Ballkan dhe diasporë. Kujtesa e aktit të 28 Nëntorit vazhdimisht dhe gjatë gjithë vitit na fton që të forcojmë lidhjet kombëtare, zhvillimore në ekonomi e kulturë e në të gjitha fushat, dhe, kam besimin se ne do të dimë t’i përgjigjemi siç duhet, kurdoherë” tha ndër të tjera Profesor Latifi. 

Në fjalën e tij përshëndetëse për të gjithë shqiptarët z.Mark Gjonaj Këshilltar në Bashkinë e New Yorkut pasi foli rreth rëndësisë së Pavarësisë së Kombit shqiptar dhe rolin e mërgatës shqiptare në Amerikë, ai vlerësoi Vatrën dhe kryetarin Elmi Berisha për merita të veçanta dhe për punë të shkëlqyer në komunitet dhe në avancimin e çështjes kombëtare. 

Famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës në New York, Dom Pjetër Popaj në bekimin e darkës së Flamurit dhe Pavarësisë u shpreh: “Kjo ditë u takon atyre që ia falen atdheut lirinë, bashkimin e pavarsinë. Ata ranë deshmorë por nuk vdesin kurrë, janë gjithmonë në mendjet e kujtimet tona në cdo festim e përvjetor. Toka e jonë është e shenjte sepse është e bekuar me gjakun e Martirve. Bëj o Zot që nje ditë të kemi nje popull të bashkuar në një shtet të vetëm. O Zot bekoje popullin tonë, mbrojë nga çdo rrezik, kudo që gjëndet në botë. Ky popull që nuk të harroi kurrë, në ditë të mira e të vështira, në gëzime e në pikllime. Bëj qe të jenë të bashkuar, të duan njari tjetrin me dashuri vëllazërore” tha në fjalën e tij Dom Pjetër Popaj.

Të përbashkuar tek Vatra, valle, kënge e melodi nga të gjitha trevat, kanë vijuar per gjatë gjithë mbrëmjes nën argëtimin e hareshëm të grupit muzikor.

 Këngëtarët Gëzim Nika(Mjeshtër i Madh), Aranit Hoxha, Barbana Dini, Fahrije Zogaj, Argjend Lloga dhe ekipi i tyre artistik, krijuan një atmosferë  për të gjithë të pranishmit duke lënë mbresa të jashtëzakonshme.

Image
Image
Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat