Liga Qytetare Shqiptare Amerika deklarohet për konflinktin ushtarak Rusi-Ukrainë

Amerika

Liga Qytetare Shqiptare Amerika deklarohet për konflinktin ushtarak Rusi-Ukrainë

Nga: Beqir Sina - New York Më: 22 mars 2022 Në ora: 13:51
Liga Qytetare Shqiptare Amerika

I dashuri mik dhe përkrahës,

Fjalimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky para Dhomës dhe Senatit të SHBA më 16 mars e bëri të qartë se ajo që është rrezik për Ukrainën është një rrezik për botën demokratike: liria kundrejt robërisë. Zelensky kërkoi që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë duke mbyllur hapësirën ajrore mbi Ukrainë për aeroplanët rusë.

Presidenti amerikan Joe Biden ka bërë një punë mjeshtërore duke e rivendosur një unitet me Evropën dhe duke e rritur dërgimin e armatimeve në Ukrainë, por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të shpëtuar Ukrainën dhe për të parandaluar depërtimin e Putinit në pjesët tjera të Evropës.

Lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës është përshkallëzuar në atë nivel sa që zmadhimi i luftimit nuk do të sjell fundin e luftës. Kjo është arsyeja pse shumica e amerikanëve besojnë se Presidenti Biden tani duhet të mbajë një qëndrim shumë më agresiv. Dhe kjo është arsyeja pse tre nga katër amerikanë mbështesin një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë, siç raportoi Joe Scarborough në artikullin me opinionin e tij më 16 mars në The Washington Post.

Shumë ekspertë ushtarakë kanë treguar se frika lidhur përballje ushtarake të SHBA-së me një fuqi tjetër bërthamore mund të zbutet nëse vendet përreth rajonit e bëjnë furnizimin me të gjitha sisteme të mbrojtjes ushtarake që ukrainasve u nevojiten. Derisa aeroplanët rusë nuk bllokohen, shkatërrimi i pakuptimtë i jetëve të ukrainasve do të vazhdojë.

Në të njëjtën kohë, Ukraina duhet të futet me procedurë të përshpejtuar në NATO dhe BE. Kështu, duhet edhe Ballkani Perëndimor dhe Kosova në veçanti, e cila si Ukraina sot, mbi njëzet vite më parë ka qenë viktimë e gjenocidit dhe krimeve të luftës nga duart e diktatorit serb Sllobodan Millosheviq.

Njëjtë sikur që Sllobodan Millosheviqi u përpoq të asgjësonte të gjithë civilët kosovarë, Vladimir Putin po përpiqet që të asgjësojë gjithë popullsinë civile të Ukrainës. Millosheviqi u ndal në Kosovë vetëm për shkak të vendimit të NATO-s që të bombardojë Serbinë, duke i dhënë fund luftës pas 78 ditëve, në qershor të vitit 1999. Sot NATO mund të mbrojë popullin ukrainas nga pushtimi i mëtejshëm dhe gjithashtu të ndalojë Putinin që të pushtojë vendet në afërsi duke e ripërtërirë konfliktin në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në Kosovë, duke pasur parasysh besnikërinë e patundur të Serbisë ndaj Rusisë.

Më 18 mars, Sir Stuart Peach, i dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, kërkoi nga Perëndimi që të sigurohet që kriza në Ukrainë të mos përhapet në Ballkan. Ai gjithashtu u bëri thirrje qeverive në të gjithë rajonin që të ndjekin rrugën për pranim në BE, e cila "do të ofrojë shpresën më të mirë për një të ardhme më të mirë, pa luftë".

Në të njëjtën kohë, Perëndimi do të duhet të përballet me rolin përkrahës të Serbisë lidhur me luajtjen e Rusisë. Siç deklaroi Vjosa Musliu, Asistente në Departamentin e Shkencave Politike në Vrije Universiteit Brussel në Bruksel, Belgjikë, në Kosovo 2.0, “Është koha që BE-ja, si dhe SHBA-ja, të adresojnë kthimin autoritar të Serbisë që zgjatë një dekadë, mbështetjen e saj aktive për pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe nxitjen e përpjekjeve të Rusisë që të destabilizojë Ballkanin Perëndimor.

Të gjitha të mirat,

Shirley Cloyes DioGuardi Joe DioGuardi

Këshilltare e Çështjeve të Ballkanit President

Përkthyer nga: Mire Marku Rugova

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat