Urime nga Amerika për zgjedhjen e Sali Berishës në krye të PD

Amerika

Urime nga Amerika për zgjedhjen e Sali Berishës në krye të PD

Më: 26 maj 2022 Në ora: 00:34
Sali Berisha

Zgjedhja e Sali Berishës me ‘anëtar një votë’ në krye të PD-së, ka bërë që shoqata e diasporës shqiptare në Amerikë, ‘Vatra’ të përshëndesë këtë vendim të demokratëve.

Presidenti i nderit Zoti Agim Rexhaj, Sekretarja e Vatrës Zonja Nazo Veliu, anëtari i kryesisë së Vatrës dhe njëkohësisht arkëtari i Vatrës, zoti Besim Malota si dhe Zoti Asllan Bushati, anëtar i këshillit drejtues të Vatrës kanë përshëndetur zgjedhjen e Berishës në krye të PD-së.

Urimet janë bërë gjatë një takimi në Nju Jork me deputetin e PD-së, Belind Këlliçi.

‘Zoti Agim Rexhaj uroi fitoren e Zotit Sali Berisha dhe rikthimin e tij në krye të Partisë Demokratike për të çuar përpara idealet e demokracisë së brishtë shqiptare. Zoti Këlliçi falënderoi pjesëmarrësit në takim dhe u bëri atyre një panoramë të punës së tij si dhe mbështetjes nga ana e brezit të ri që aderojnë në radhët e Partisë Demokratike, për të bërë të mundur që pjesëmarrja e tyre në politikë në interes të Shqipërisë e të Kombit Shqiptar të jetë jo vetëm në mbështetje të idealeve demokratike , por edhe gjithëpërfshirëse.

Nën/kryetari i Vatrës, zoti Alfons Grishaj, i cili jeton në shtetin e Michiganit, nëpërmjet mjeteve të komunikimit arriti të jetë pjesë e këtij takimi duke I uruar deputetit të parlamentit shqiptar z. Belind Këlliçi mirëseardhjen në Vatër në emër të Kryetarit të Vatrës Elmi Berisha dhe të tijin.

Ai theksoi se Vatra në çdo kohë do të jetë hapur si për pozitën ashtu dhe opozitën duke  mbështetur  kombin shqiptar si dhe demokracinë  e vërtetë shqiptare. Ai i uroi rizgjedhjen e Dr. Sali Berishës në postin e Kryetarit të PD-së , si një shpresë për të ardhmen e opozitës dhe popullit shqiptar. Ndër të tjera Grishaj theksoi se askush tjetër më parë nuk punoi si Sali Berisha për Kosovë dhe Shqipëri.

​Zonja Nazo Veliu, sekretarja  Vatrës në detyrë , pasi i uroi mirëseardhjen zotit Belind Kellici , e përgëzoi atë për punën që është bërë nga ana e të rinjve të drejtuar nga ana e tij në postin e kryetarit të forumit rinor të Partisë Demokratike, por edhe theksoi që puna me të rinjtë është tepër e rëndësishme për t’i ushqyer ata me idealet e demokracisë së vërtetë. Ajo theksoi se ne, aq sa jemi shqiptarë po aq jemi edhe amerikanë e në krye të kushtetutës amerikane kemi fjalet “Ëe the people” ,ndaj dhe procesin e ringjalljes së opozitës së vërtetë si dhe zgjedhjen e drejtuesit të saj Zotit Sali Berisha , demokratët e bënë nëpërmjet votës së tyre të lirë. Kjo gjë e vë opozitën e vërtetë demokrate si dhe liderin e saj përpara një përgjegjësie të madhe për tu vënë në shërbim të kombit e cështjes kombëtare, dhe për të bërë të mundur që demokracia në Shqipëri të mos jetë ëndërr  por realitet. Vatra ,theksoi ajo, asnjëherë nuk ka qenë e mbyllur për askënd por e hapur për cilindo që ka dashur ta vizitojë  e që e ndjen se Vatra edhe pse në mërgim është shtëpia e shqiptarëve e miqve të tyre.

Në këtë takim e mori fjalën edhe zoti Besim Malota, i cili theksoi se, në Neë York kryen aktivitetin edhe një degë e Partisë Demokratike të Shqipërisë e është e mira, theksoi ai ,që këto takime të bëhen edhe në atë degë. Zoti Asllan Bushati në fjalën e tij uroi zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë Zotit Sali Berisha por edhe pyeti deputetin e Kuvendit të Shqipërisë  rreth reformës në drejtësi, problemin e inceneratorëve dhe për borxhin publik. Zoti Bushati këmbënguli në atë që disa deputetë të opozitës nuk kanë mbajtur qëndrim ndaj këtyre problemeve por janë bërë pjesë dhe mbështetës me votën e tyre për maxhorancën politike.

​Së bashku me mysafirin, u ndanë shume ide, mendime dhe shqetësime për Shqipërinë e Kosovën, dhe nga ana e Vatrës, zoti Belind Këlliçi ,u përgëzua për përkushtimin e tij për të shërbyer në interes të një të nesërmeje më të mirë për bashkëkombasit tanë’, thuhet në njoftimin e shoqatës ‘Vatra’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat