Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane kërkon nga BE-ja dhe SHBA-ja t’i ndalin presionet ndaj Kurtit e Osmanit

Amerika

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane kërkon nga BE-ja dhe SHBA-ja t’i ndalin presionet ndaj Kurtit e Osmanit

Nga: Beqir Sina Më: 15 nëntor 2022 Në ora: 07:00
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane kërkon nga BE-ja dhe SHBA-ja t’i ndalin presionet ndaj Kurtit e Osmanit

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane lobi i parë dhe i vetmi në Shtetet e Bashkuara, me themelues dhe president ish kongresistin republikan të Nju Jorkut, Joe DioGuardi dhe Këshilltaren e Çështjeve Ballkanike Shirli Cloyes - përmes një deklarate për media, kanë shprehur shqetësimin e tyre për siç e kan quajtur ata : “presionin e ri dhe të përshpejtuar nga BE-ja dhe DASH-i ndaj kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani”.

Në deklaratën e tyre lobistët e çështjes shqiptare , Liga Qytetare thotë se shqetësimet lidhur  “presionin e “madh” që po ushtrohet ndaj Kosovës,  nga BE-ja dhe DASH-i ndaj kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani” ata ia kanë shprehur edhe disa anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA-së, përfshirë Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit.

“Në vend të kapitullimit ndaj Serbisë, duhet të ndërmerren hapat që i mbështesin qëndrimet parimore të shprehura së fundmi nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Përndryshe, konflikti në Evropën Juglindore do të intensifikohet. Shpresojmë gjithashtu që spastrimit etnik të heshtur të shqiptarëve në Serbinë jugore do t’i jepet fund”, thuhet ndër të thera në këtë deklaratë.

Deklarata e plotë:

Të dashur miq dhe përkrahës—

Joe dhe unë, (Shirli Cloyes DioGuardi)së bashku me shumicën dërrmuese të Bordit të Drejtorëve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, jemi shumë të shqetësuar për presionin e ri dhe të përshpejtuar nga Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit ndaj Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani që të dorëzohen ndaj veprimeve që favorizojnë qeverinë serbe, në kurriz të Kosovës. Si rezultat, ne (LQSHA)kemi vendosur të bëjmë një deklaratë publike mbi shqetësimet tona, të cilën e kemi ndarë me disa anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA:

Në një deklaratë befasuese të Derek Chollet, këshilltarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ai tha se ishte mirë të bisedohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiqin dhe se ai ndante zhgënjimin me vendimin e Kosovës për mos shtyrjen e kërkesave lidhur me targat dhe lidhur me avancimin e integrimit të Serbisë në BE. Me këtë arrihet bashkëpunimi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së me Serbinë, presidenti i së cilës nuk ka ndërmend të njohë pavarësinë e Kosovës dhe çdo synim për të krijuar një shtet të pavarur.

Në intervistën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Gabriel Escobar për Zërin e Amerikës, ai këmbëngul që Kosova të shtyjë zbatimin e kërkesave për targat në veri të Kosovës, dhe, më e rëndësishmja, që Kosova menjëherë të hyjë në negociata me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të serbëve, për të cilat ai gjithashtu thekson se si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Evropa janë të bashkuara.

Sikur që kemi shpjeguar në të kaluarën, qëndrimi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së nuk e pasqyron domosdoshmërisht qëndrimin e komisioneve të Punëve të Jashtme të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve. Ne besojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit po reagon me teprim lidhur me kërcënimet e qeverisë serbe ndaj Kosovës – kërcënime që lidhen me marrëdhëniet e Beogradit me Moskën.

Në vend të kapitullimit ndaj Serbisë, duhet të ndërmerren hapat që i mbështesin qëndrimet parimore të shprehura së fundmi nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Përndryshe, konflikti në Evropën Juglindore do të intensifikohet. Shpresojmë gjithashtu që spastrimit etnik të heshtur të shqiptarëve në Serbinë jugore do t’i jepet fund.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat