SHBA-ja të mbështesë qëndrimet parimore të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, ose konflikti në Evropën Juglindore do të intensifikohet

Amerika

SHBA-ja të mbështesë qëndrimet parimore të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, ose konflikti në Evropën Juglindore do të intensifikohet

Nga: Shirley Cloyes DioGuardi Më: 17 nëntor 2022 Në ora: 09:03
Shirley Cloyes DioGuardi dhe Joe DioGuardi

Joe dhe unë, së bashku me shumicën dërrmuese të Bordit të Drejtorëve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, jemi shumë të shqetësuar për presionin e ri dhe të përshpejtuar nga Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit ndaj Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani që të dorëzohen ndaj veprimeve që favorizojnë qeverinë serbe, në kurriz të Kosovës. Si rezultat, ne kemi vendosur të bëjmë një deklaratë publike mbi shqetësimet tona, të cilën e kemi ndarë me disa anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA:

1) Në një deklaratë befasuese të Derek Chollet, këshilltarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ai tha se ishte mirë të bisedohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiqin dhe se ai ndante zhgënjimin me vendimin e Kosovës për mos shtyrjen e kërkesave lidhur me targat dhe lidhur me avancimin e integrimit të Serbisë në BE. Me këtë arrihet bashkëpunimi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së me Serbinë, presidenti i së cilës nuk ka ndërmend të njohë pavarësinë e Kosovës dhe çdo synim për të krijuar një shtet të pavarur.

2) Në intervistën e Zëvendës Ndihmës Sekretarit Gabriel Escobar për Zërin e Amerikës, ai këmbëngul që Kosova të shtyn zbatimin e kërkesave për targat në veri të Kosovës dhe, më e rëndësishmja, që Kosova menjëherë të hyjë në negociata me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave të serbëve, për të cilat ai gjithashtu thekson se si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Evropa janë të bashkuara.

Sikur që kemi shpjeguar në të kaluarën, qëndrimi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së nuk e pasqyron domosdoshmërish qëndrimin e komisioneve të Punëve të Jashtme të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve. Ne besojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit po reagon me teprim lidhur me kërcënimet e qeverisë serbe ndaj Kosovës – kërcënime që lidhen me marrëdhëniet e Beogradit me Moskën.

Në vend të kapitullimit ndaj Serbisë, duhet të ndërmerren hapat që i mbështesin qëndrimet parimore të shprehura së fundmi nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Përndryshe, konflikti në Evropën Juglindore do të intensifikohet. Shpresojmë gjithashtu që spastrimit etnik të heshtur të shqiptarëve në Serbinë jugore do t'i jepet fund.

Shihni më poshtë deklaratat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani si reagim ndaj konfliktit Serbi-Kosovë. Çështja kryesore është që të mos bëhen lëshime që e ndajnë Kosovën në vija etnike.

Çdo të mirë,

Shirley

Shirley Cloyes DioGuardi

Këshilltare për Çështjet e Ballkanit

Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Deklaratat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani në përgjigje të kërcënimeve të Serbisë në veri të Kosovës dhe qëndrimit të Departamentit të Shtetit për konfliktin:

Osmani: Nuk mund të bëhesh mik me dikë me prirje apo qëllime luftarake 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj në Forumin e Paqes në Paris, foli për situatën në Kosovë dhe tha se “nuk mund të bëhesh mik me dikë që ka tendenca luftarake kundër fqinjëve”. Osmani tha se situata në mes të Rusisë dhe Ukrainës është leksioni i dytë se nëse agresori shpërblehet, atëherë kjo vetëm do t'i inkurajonte ata që të sulmojnë të njëjtin vend disa vite më vonë.

“Në vitet 1990 disa e shihnin Millosheviqin si një paqe-bërës dhe se vetëm me të mund të arrihej paqja, por ne e dimë rezultatin. Rezultati ishte 150,000 njerëz të pafajshëm të vrarë në luftërat në Jugosllavi. Mësimi është se nuk mund të afrohesh apo të bëhesh mik me një autokrat që ka prirje lufte apo objektiva kundër një fqinji, dikë që nuk njeh dhe vazhdon të mohojë ekzistencën e fqinjëve të tij”, tha ajo.

Kurti: Gati t'i shtrijmë dorën Serbisë nëse Serbia është gati të lirojë grushtat 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se “paqja dhe siguria në Evropë nuk sfidohen vetëm në lindje nga Rusia, por edhe në juglindje nga Serbia”. “Ata nuk kanë kufij të përbashkët, por kanë objektiva të përbashkëta. Ata i shohin shtetet me thjerrëzat e përkatësisë etnike sepse nuk besojnë në vlerat e demokracisë”, tha ai.

Gjatë një debati në Forumin e Paqes në Paris, Kurti tha se Kosova është e gatshme t'i shtrijë dorën Serbisë dhe të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore, por se është skeptik nëse Serbia dëshiron të bëjë të njëjtën gjë të tillë.

11 vjet më vonë, marrëdhëniet nuk janë më të mira se sa ishin një dekadë më parë dhe ka një arsye për këtë. Serbia ka dështuar në demokratizimin e saj dhe dëshiron më shumë konflikt sesa bashkëpunim. Ajo ende lavdëron kriminelët e luftës në vend që t'i gjykojë dhe ndëshkojë ata. Kam frikë se Serbia nuk është as demokratike dhe as e pavarur. Aty është një regjim që udhëhiqet nga Kisha Ortodokse dhe dominohet nga Rusia e Putinit. Kosova dëshiron marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë dhe ne jemi të gatshëm që t'i shtrijmë dorën një vendi që ka bërë gjenocid ndaj vendit tonë, nëse ata janë të gatshëm të çlirojnë grushtet. Ajo që ne nuk mund të ofrojmë janë koncesionet për të ndarë vendin tonë sipas vijave etnike, por nëse Serbia nuk është e gatshme të na njohë, pesë vendet anëtare të Evropës nuk duhet të presin, ato mund të ndihmojnë Serbinë që të na njohë duke na njohur të parat”, tha Kurti.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat