Aleanca Shqiptare në New Jersey festoi 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Amerika

Aleanca Shqiptare në New Jersey festoi 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Nga: Beqir SINA - New York Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

GARFIELD, New Jersey - Të dielën më 27 nëntor, në qytetin Garfield në New Jersey, në Parkun “Nënë Tereza”, aty ku është vendosur Statuja e të Shenjtës “Nëna Tereza”, përkrah shtizës së flamurit të SHBA-së, Aleanca Shqiptare në New Jersey me President Alban Gaba, ngriti flamurin kuq e zi.

Në ceremoninë e lartësimit së flamurit në këtë park mori pjesë kryetari i bashkisë së New Jersey-t, Richard Rigolosio.

Image
Nga vendi i ngjarjes

Të ftuar nderi ishin gjithashtu Josepf Delaney, nënkryetar i bashkisë Garfield, Thomas J. Duch administrator dhe këshilltar i Qarkut Bergen County-t, Alejandina (Sugar) Banch këshilltare, Romi Herrera Këshilltar, Pawel Maslag këshilltar, Erin Delaney menaxhere e qytetit Garfield, Frank Schillari Sherif i Hudson County-t, Anthony Curetoni Sherif i Bergen County-t, Vezir Sela Sherif i Bergen County-t, Richard Berdnik Sherif i Passaic County-t, Atli Sela Sherif Detektiv i Passaic County-t, Lirim Kaba Sherif Komandant i Passaic Count-t, Hadis Sela Sherif Hudson Count-t, Azmi Toska Sherif Hudson County-t, Almat Asani Sherif Hudson Count-t, Violeta Berisha këshilltare e qytetit Fairview, Serxhenti Jeff Stewart Komandant i Divizionit të Çështjeve të Komunitetit nga Policia e qytetit të Garfield-it, Lejtnant policer i Hoboken New York, Edmond Drishti, Tahir Kukaj Chaplin Imam, Arian Spasse, Koordinator Politik i Misionit të Përhershëm të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe shoqata e motorristëve “Sons of Illyrians” (“Bijtë e Ilirëve”).

Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Garfield-it, Rigoglosio pasi uroi shqiptarët për ditën e Pavarësisë, falënderoi komunitetin shqiptar për kontributin e tyre dhe premtoi se do t’i mbështesë kurdoherë shqiptarët.

“Do t’ju falënderoja që keni ardhur sot. Sot ngremë flamurin shqiptar për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë! Është një nder për qytetin dhe Këshillin Bashkiak që të mbështesim komunitetin shqiptar, familjet dhe bashkëkombasit e tyre! Urime dhe gëzuar Ditën e Flamurit”, - tha kryetari i bashkisë së qytetit Richard Rigoglosio.

Image
Nga vendi i ngjarjes

Ndërkaq, Frank Schillari Sherif i Hudson County-t tha se ishte shumë i lumtur dhe i vlerësuar që merrte pjesë në ceremoninë e celebrimit të ditës së pavarësisë së Shqipërisë.

“Edhe gruaja ime, - theksoi ai, - është shqiptare. Shumë nga sherifët e mi janë gjithashtu shqiptarë. Ne vijmë këtu çdo vit dhe këtë herë festojmë 110-vjetorin e pavarësisë. Jemi të nderuar që ndodhemi në sheshin dhe shtatoren e “Nënë Terezës”. Dua t’u falenderoj të gjithëve për organizimin dhe urime festa!”-tha ai, ndërsa u dëgjua duke u përcjellë me duartrokitje ndërhyrja e Alban Gabës, president i “Albanian Alliance” (“Aleanca Shqiptare e Nju Xhersit), “ne ju themi që jeni dhëndërr shqiptar”.

Festimi i 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar pikërisht nga Aleanca Shqiptare e New Jersey- vazhdoi me drekën e e shtruar në lokalin e njohur “Venetian” në Garfield. 

Dreka festive u hap me këndimin e dy himneve kombëtarë amerikan dhe shqiptar.

Kremtimi i 110-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në New Jersey, organizuar nga Aleanca Shqiptare u moderua nga poetja Arjana Fetahu Gaba.

Në moderim u vijuan përshëndetjet nga Brisilda Gaba, Aleksandër Gaba, Realda Haxhifejzoviq, Jon Gaba.

Image
Nga vendi i ngjarjes

U lexuan dy poezitë e poetes Arjana Fetahu Gaba nga vetë autorja si dhe nga Dejana Keraj dhe më tej vazhdoi sfilata e modës e krijueses Gerta Cami me vogëlushet me veshjet kuq e zi nga trojet etnike të Shqipërisë.

Të ftuar nderi ishin gjithashtu diplomatët shqiptarë nga Misioni i Shqipërisë në OKB, Arian Spasse dhe znj. Almona Bajrami.

Me këtë rast pasi foli për kontributin e dy detektivëve shqiptarë nga Departamenti i Policisë së New Jersey-t dhe përkushtimin e tyre, dy vëllezërve shqiptarë struganë, Atli Sela, Vezir Sela, zoti Rigoglioso, u dorëzoi nga një Mirënjohje të Aleancës Shqiptare në New Jersey. 

Me Mirënjohje u nderua edhe Imam Tahir Kukaj  nga Qendra Islame në Staten Island New York.

Orkestra e drejtuar nga Dritan “Tan” Papa keyboard, Arbër Gega klarinetë-saksofon, këngëtarët Mimoza Gjikola dhe Flamur Biçaku, performuan në festën kuqezi, ndërsa, të gjithë pjesëmarrësit me të ftuarit e nderuar dolën e vallëzuan në grupe deri vonë në mbrëmje.

Ceremonia u shoqërua me sfilatën me veshjet për fëmijë stolisur me dizajnin e simboleve tona kombëtare, kuq e zi dhe flamurin e Kosovës.

Njera prej vashave në sfilatë e veshur me një fustan me ngjyrat dhe hartën e Kosovës, recitoi poezinë e shkruar nga Arjana Fetahu Gaba kushtuar ditës së Flamurit, 28 Nëntorit 1912.

Image
Nga vendi i ngjarjes

“Është nder i madh për mua dhe ndihem i privilegjuar që të gjithë, në këtë ditë të rëndësishme të Pavarësisë së Shqipërisë, të jemi mbledhur përsëri së bashku për të festuar 110-vjetorin e Pavarësisë së shtetit Shqiptar”, - tha presidenti Alban Gaba.

Ai falenderoi zyrtarët e lartë vendorë të bashkisë dhe policisë të pranishëm, aktivistët e shquar dhe gazetarët Beqir Sina dhe Denion Ndrenika i televizionit “Report TV” në Shqipëri dhe gazetës “Illyria” në SHBA, që siç u shpreh “kanë kontribuar dhe bërë gjëra të mëdha për komunitetin shqiptar në shtetin e Nju Xhersit, veçanërisht në qytetin me zemër të madhe të Garfield-it”.

Me këtë rast ai foli me mirënjohje për mbështetjen që autoritetet vendore i kanë dhënë komunitetit shqiptar në Garfield dhe për nderimin që ata i bëjnë festës së flamurit kuq e zi.

Image
Nga vendi i ngjarjes

Në mbyllje zoti Gaba, ftoi pjesëmarrësit të festojnë së bashku, të falnin sa më shumë dashuri dhe ndjeshmëri për njeri-tjetrin, Gëzuar Ditën e Pavarësisë së shtetit shqiptar.

“Zoti e bekoftë Shqipërinë! 

Zoti e bekoftë qytetin e Garfield-it!

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, - tha presidenti i Aleancës Shqiptare, Alban Gaba.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat