Qindra besimtarë shqiptarë falën Fitër Bajramin në Xhaminë e Bruklinit

Amerika

Qindra besimtarë shqiptarë falën Fitër Bajramin në Xhaminë e Bruklinit

Nga: Beqir Sina, New York Më: 30 mars 2025 Në ora: 20:41
Foto nga vendngjarja

BROOKLYN, NY: Pas sakrificës dhe adhurimit ndaj Zotit përmes agjërimit në muajin e Ramazanit, besimtarët myslimanë në mbarë botën kremtojnë festën më të rëndësishme të këtij komuniteti, Fitër Bajramin, ose Bajramin e Madh.

Për të gjithë besimtarët, kjo ditë shënon shpërndarjen e sadakës, dhe shpreh atë solidaritetin shpirtëror me të varfrit, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi ta gëzojnë së bashku këtë festë.

Qindra besimtarë myslimanë u mblodhën sot në orët e para të mëngjesit në Xhaminë e Bruklinit, e cila është dhe xhamia më e vjetër e shqiptarëve në Nju Jork dhe shtetet përreth tij, për të kryer faljen e namazit të Fitër Bajramit, një nga momentet më të rëndësishme për të gjithë besimtarët.

Të pranishëm në Xhaminë e Bruklinit ishin besimtarë të të gjitha moshave, veçanërisht emigrantë të vjetër që vazhdojnë traditën e tyre në këtë xhami, e njohur në komunitet si "xhamia e emigrantëve", së bashku me emigrantët e rinj të tre dekadave të fundit.

Aktiviteti fetar sot në xhaminë e shqiptarëve ka nisur që herët me faljen e namazit të Sabahut në orën 6:30, ndërsa falja e namazit të Fitër Bajramit u krye në orën 07:30.

Më pas, Imami nga Shqipëria, Festim Doka, udhëhoqi lutjet e namazit të Sabahut, i cili ishte i njëjti imam që priu namazin. Ai mbajti një ligjëratë ku foli mbi vijueshmërinë që do të kenë besimtarët 30 ditë pas agjërimit.

Hoxhë Eduard Burhani foli më shumë për familjen, shoqërinë dhe rëndësinë që ka besimi në Islam për një familje dhe shoqëri sa më të shëndoshë e të mirë.

Më parë se të niste falja e Bajramit, foli edhe mysafiri nga Shqipëria, Hoxhë Zyberi, së bashku me Imam Burhanin, të cilët ishin pjesë e ligjëratës së namazit të Bajramit.

Imami Festim Doko, i cili më parë ka shërbyer në Shqipëri, na tha se ky Bajram pati synimin dhe mesazhin e tij në bashkëpunimin, unifikimin dhe njëhsimin e besimtarëve në mbarë botën, për mëshirë, paqe dhe harmoni anembanë.

"Fitër Bajrami," tha Imam Doko, "shënon përfundimin e një muaji agjërimi, përkushtimi dhe reflektimi shpirtëror, duke u dhënë besimtarëve mundësinë për të falënderuar Zotin, për të forcuar lidhjet me familjen dhe komunitetin, si dhe për të ndihmuar ata që kanë më pak mundësi."

Ai shtoi se një nga traditat kryesore të kësaj feste është dhënia e sadakës, një akt simbolik që thekson vlerat e solidaritetit dhe bamirësisë.

Në fund të faljes, pasi uruan njëri-tjetrin me dashamirësi e mirësi, besimtarët u kthyen në familjet e tyre për të vijuar me ritualet e festës, që përfshijnë urimet, vizitat tek të afërmit dhe shtrimin e drekës së Bajramit, ku nuk mungojnë gatimet tradicionale dhe ëmbëlsirat me sherbet: bakllavaja, kadaifi dhe revania.

Pas faljes së Fitër Bajramit, besimtarët myslimanë shqiptarë, në shenjë dashurie dhe respekti për ata që nuk janë më ndër ne, nisën të bëjnë edhe vizita familjare në shenjë kujtimi dhe lutje për shpirtërat e të afërmve të tyre në varreza, duke vendosur buqeta me lule të freskëta.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat