​Begaj takoi shqiptarët në SHBA

Amerika

​Begaj takoi shqiptarët në SHBA

Më: 23 maj 2025 Në ora: 19:23
Foto nga vendi i ngjarjes

Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dejton, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj është pritur në një takim të përzemërt nga shqiptarët në Filadelfia.

Në ceremoninë e organizuar nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes”, kreu i shtetit shqiptar përgëzoi shqiptarët për mësimin e gjuhës shqipe në shkollën e hapur nga kjo shoqatë.

“Falënderim dhe mirënjohje për secilin, nga ju, secilin nga ju që është këtu, secilin shqiptar që jeton e punon në Filadelfia, për të gjithë punën që bëni, për gjithçka që bëni për të promovuar dhe mbrojtur identitetin kombëtar. Një falënderim i veçantë për mësuesit e gjuhës shqipe, ata mësues që kanë mësuar nxënësit të këndonin aq bukur në shqip”, tha Begaj, raporton Topchannel, përcjell KosovaPress.

Begaj risolli në vëmendje rrugëtimin e diasporës, duke veçuar aktivizimin e atdhetarëve që i dhanë jetë çështjes shqiptare përmes institucioneve politike, ekonomike, arsimore dhe kulturore të SHBA-së që nga fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë.

“Është një histori që meriton mirënjohje dhe vlerësim maksimal. Duke ardhur nga kaq larg, shumëkush do të mendonte se mund të ishim asimiluar, por jo, përkushtimi juaj, përkushtimi i prindërve të atyre fëmijëve që ne pamë sot bënë të mundur të vazhdojë shqiptaria, të jetë brez pas brezi. Shumë faleminderit që kontribuoni edhe për shtetin amë,” u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Një falënderim të posaçëm, presidenti Begaj përcolli edhe për autoritetet lokale amerikane në Filadelfia, të cilat kanë mbështetur projektet e diasporës, përfshirë emërtimin e “Willits Road” me emrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Presidenti vizitoi qendrën “Shtëpia e shqiptarit”, të ngritur nga shoqata “Bijtë e Shqipes”.

Kujtojmë, Begaj ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në qendër të Dejtonit nga data 22 deri më 26 maj. Është hera e parë që një sesion i NATO-s mbahet në SHBA pas vitit 2003 dhe përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje e Hercegovinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat