STATEN ISLAND, N.Y. — Komuniteti shqiptar i Staten Island organizoi piknikun e tij vjetor në "Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve" në parkun "Wolfe’s Pond Park", ditën e diel, më 1 qershor.

Eventi më i madh i këtij komuniteti në këtë qytet, ku mendohet se jetojnë rreth 60 mijë shqiptarë, bashkoi qindra anëtarë të familjeve shqiptare, të emigruara nga Shqipëria, Kosova dhe viset shqiptare.
Pikniku i 3-të Vjetor Shqiptar bëri bashkë familjet shqiptare nën kujdesin e pesë shoqatave të komunitetit shqiptar në Staten Island, Nju Jork, të cilat edhe e bashkëorganizuan: Shoqata Kraja, Shoqata Atdhetare Dibra, Shoqata Ulqini, Shoqata Ana e Malit, si dhe Shoqata Malësia e Madhe.

Këtij pikniku iu bashkuan zyrtarët lokalë të qytetit: Vito Fossella, Staten Island Borough President, dhe disa zyrtarë të zgjedhur vendorë: asambleisti Charles Fall, Lily Zafaranloo që përfaqësoi Kongresisten Nicole Malliotakis, anëtari i Këshillit të Bashkisë së NYC, David Carr, anëtarët e Asamblesë Shtetërore të NYC, Michael Tannousis dhe Sam Pirozzolo, dhe anëtarja e Këshillit të NYC, Kamillah Hanks, të cilët e përshëndetën eventin duke u përfshirë në festën e këtij komuniteti me familjet shqiptare në Staten Island.
Kryetarja e Shoqatës Kraja, Venera Gjeneshaj, na tha se pikniku i tretë veror në parkun rekreativ Wolfe’s Pond Park po bëhet "step by step" tradicional, duke bashkuar shqiptarët për të festuar, për t’u argëtuar, për të shijuar gatimet tradicionale shqiptare të përgatitura në familjet e tyre, dhe për të zhvilluar gjatë gjithë ditës aktivitete argëtuese me këngë e valle shqiptare dhe lojëra sportive.

Ajo tha se: "Ky piknik më së miri po i shërben komunitetit shqiptar në Staten Island, për të ruajtur kulturën shqiptare, sidomos në kushtet e emigrimit, dhe kujdeset për të krijuar një ndjenjë bashkimi e njohjeje mes pjesëmarrësve, të rinjve e të rejave shqiptare në këtë komunitet".
Në parkun Wolfe’s Pond Park, Staten Island, pjesëmarrësit qëndruan për më shumë se 8 orë, duke u argëtuar me muzikë, këngë e valle nga atmosfera e bukur festive që krijuan disa artistë të talentuar të komunitetit: Vesel Pelinku, Agron Maqellara, Valdet Luka, Hajro Ceka, Sead Asllani, Greta Tafa, Ilsi Ademi, Elona Leka, Besim Muriqi, Amir Pelinku, Buku Saxophone, Sammy Ceka – DJ Jasha, dhe Mirsad Gjinaj Soundsystem.

Kurse, grupe të ndryshme në mjediset e këtij parku, sidomos fëmijët, të rinjtë e të rejat shqiptare, të ndarë në fushat sportive të këtij parku, zhvilluan lojëra zbavitëse gjatë gjithë ditës si: mini turne futbolli, lojëra volejbolli, vrapime dhe lojëra tavoline, domino e shah.
Ndërsa, në çdo kënd të rrugicave të këtij parku, tregtarët ambulantë "të çanin hundën" me aromën e mishit të pjekur në zgarë, qofteve dhe qebapëve, teksa disa të tjerë tregtonin flamuj kuq e zi, topa futbolli, fanela e shallë kuq e zi, suvenire dhe piktura me simbolet tona kombëtare.

Vito Fossella, i cili është presidenti i qytetit, thotë se krenohet me shqiptarët që punojnë në zyrën e tij. Ai na tha se Pikniku i 3-të Vjetor Shqiptar në Parkun Wolfe's Pond është një pasdite e mrekullueshme plot larmi aktivitetesh: "Një pasdite e mrekullueshme plot komunitet, kulturë dhe festime. Komuniteti shqiptaro-amerikan i Staten Island," – theksoi Fossella, – "vazhdon të jetë një komunitet i gjallë dhe i përkushtuar, duke dhënë një kontribut të çmuar në Staten Island."
Gjithsesi, duhet thënë se pikniku i komunitetit shqiptar është një ngjarje shoqërore dhe kulturore, ku mijëra shqiptarë nga Nju Jorku dhe shtetet përreth tij mblidhen çdo vit në qershor për të kaluar një të diel të bukur së bashku me familjet e tyre, për të festuar identitetin dhe traditat shqiptare, si dhe për të forcuar lidhjet mes njëri-tjetrit.

Ky piknik organizohet çdo vit nga shoqatat dhe grupet kulturore shqiptare të komunitetit shqiptar në Staten Island – Nju Jork, dhe përfshin aktivitete të ndryshme kulturore e sportive, duke shërbyer me ushqime tradicionale, muzikë dhe valle, lojëra dhe biseda familjare që promovojnë bashkimin dhe sjellin kujtimet e përbashkëta në komunitet dhe nga vendi i origjinës së tyre.
Edhe në përgjithësi, piknikët e komunitetit shqiptar në SHBA janë një mundësi për të celebruar trashëgiminë kulturore dhe për të ndërtuar rrjete sociale, duke ndihmuar në largimin e streseve të jetës në diasporë dhe në forcimin e lidhjeve mes brezave.