Shqipëria , “Fitoi!”

Amerika

Shqipëria , “Fitoi!”

Nga: Beqir Sina, New York Më: 8 qershor 2025 Në ora: 18:51
Foto ilustrim

Në një kohë kur tensionet mes dy kombeve nuk janë më ato që përcaktojnë rrjedhën e ndeshjeve të futbollit, dje Shqipëria tregoi se ky sport, "mbreti i sporteve", ka një mision: ta shkruajë historinë, jo vetëm në fushën e blertë, por edhe në shkallët e stadiumit dhe jashtë tij.

Shqipëri - Serbi – përtej rezultatit 0:0 – ishte, ashtu si pritej, një ndeshje që shkoi edhe përtej asaj fushe të blertë, në një rezultat sportiv ku fitoi "njerëzilliku", siç thonë amerikanët: "sportsmanship".

Shqipëria e ka mirëpritur Serbinë në “Air Albania”, të shtunën më 7 qershor, ashtu si do ta priste çdo kryeqytet europian. Shqiptarët, në stadium dhe jashtë tij, treguan kulturë dhe dinjitet përballë një shovinizmi dhe një primitivizmi nacionalist serb, pikërisht kur kujtojmë atë që ndodhi në një ndeshje futbolli 11 vjet më parë në Beograd.

Të dy palët, të paktën në atë që pamë në fushën e gjelbër dje, duket se e kanë çdramatizuar situatën sportive, krahasuar me atë të krijuar 11 vjet më parë në Beograd mes dy kombeve.

Megjithëse tifozeria serbe duket se nuk është e këtillë. Ajo shpeshherë, në sport, ka treguar në stadiume dhe jashtë tyre se ka tendenca maksimale për të krijuar tensione në ndeshje sportive, veçanërisht në ato të një derbi ballkanik, si kur luan me Kroacinë, Kosovën dhe Shqipërinë.

Shqipëri - Serbi, jo vetëm!

Ajo çka "dhuruan" dje futbollistët dhe tifozët kuqezi në Tiranë – në stadiumin “Air Albania” – u perceptua si diçka normale për një ndeshje futbolli në çdo stadium të Europës. Dhe kjo ishte e kuptueshme, sepse kishte për qëllim të tregonte kulturën sportive shqiptare dhe njerëzillikun.

Sipas mentalitetit ballkanik, Shqipëria dhe Serbia nuk u përballën dje thjesht në një ndeshje futbolli. Për çdo shqiptar, brenda dhe jashtë atdheut, ajo ishte një lojë nderi dhe dinjiteti kombëtar.

Dëshira e madhe për të përkrahur kuqezinjtë përballë serbëve ishte shumë e fortë, aq sa kjo dëshirë e zjarrtë "ngriti në këmbë" dhe mbajti të "ngërthyer" para televizorit për më shumë se 90 minuta qindra mijëra shqiptarë – nga Kosova, mbarë diaspora, si edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe Maqedoni.

Ajo që pamë dje në një duel kaq emocionues, nuk u është dhënë shpesh shqiptarëve në një ndeshje futbolli, megjithë atë dëshirë të madhe për ta mundur Serbinë dhe për të çuar kuqezinjtë drejt një fitoreje historike.

Por Shqipëria, dje në Tiranë, "ka fituar" përballë Serbisë, jo me rezultat, por ka fituar me dinjitet, teksa tregoi kulturën europiane të një ndeshjeje futbolli, që, megjithëse luhej në Europë, ishte e "tejfryrë" me mentalitet të "rreptë" ballkanik.

Gjithsesi, duhet thënë se dëshira e madhe për të qenë prezent në një ndeshje kaq të rëndësishme dhe për të brohoritur ekipin në një duel pothuajse vendimtar nuk mungoi as në Amerikën përtej oqeanit.

Ndërsa në Tiranë, në stadiumin “Air Albania”, po zhvillohej ndeshja Shqipëri-Serbi, në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shqiptarët, të mbledhur në grupe shoqërore, krahinore dhe familjare, e ndoqën këtë ndeshje përmes ekranit të televizorit, duke krijuar në ambientet e tyre madje një atmosferë të ndezur stadiumi edhe këtu përtej oqeanit.

"Një atmosferë e paparë ndonjëherë, atmosferë me entuziazëm stadiumi, vetëm kuqezi", – na tha pronari i një lokali të njohur shqiptar në Brooklyn, “Memories Bar Shevroja” në Bath Avenue – një nga lokalet më të frekuentuara në Brooklyn, dhe i tejmbushur për të parë ndeshjen Shqipëri-Serbi, si në stadium.

Shansi për kuqezinjtë!

Në minutën e 46-të të pjesës së parë të ndeshjes që po luhej në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, u dha një penallti për kuqezinjtë – një penallti e humbur nga Rei Manaj – çka bëri që ndeshja e shumëpritur të përfundonte me rezultatin 0:0.

Shqipëria

Në kuadër të këtyre ndeshjeve kualifikuese, Shqipëria është në Grupin K dhe mban vendin e dytë me 4 pikë në tre takime.

Ndërsa Grupin K e kryeson Anglia me 9 pikë në tre ndeshje. Serbia ka 1 pikë dhe ka zhvilluar vetëm një ndeshje. Letonia dhe Andorra kanë nga 1 pikë në tre ndeshje.

Ndërkohë, në kërkim të fitoreve për të kapur atë "ëndrrën" e një Botërori, në Grupin K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, Shqipëria udhëton në Letoni më 10 qershor dhe tani i duhen vetëm fitore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat