Nju Jork — Pritet që qyteti të ketë një kryebashkiak të ri pas zgjedhjeve që do të mbahen më 4 nëntor 2025, kur përfundon mandati i parë i kryebashkiakut aktual, Eric Adams, i cili është në detyrë që nga janari 2022 dhe synon të fitojë një mandat të dytë.
Eric Adams, që prej sot, nis betejën e tij në një “fushë” tjetër — atë si kandidat i pavarur (si një kombinim mes demokratit dhe të pavarurit), kundër kandidatit demokrat Zohran Mamdani.
Megjithëse është në garë për një mandat të dytë, kësaj here duket se do ta ketë më të vështirë, pasi pritet t’i mungojë mbështetja e fortë e demokratëve, të cilët e kanë dominuar Nju Jorkun gjatë dy dekadave të fundit.
Adams e ka humbur mbështetjen e establishmentit demokrat pas vendimit të Presidentit Donald Trump për ta amnistuar atë nga një çështje penale federale që lidhej me ryshfet dhe lidhje me qeverinë turke — përfshirë udhëtime luksoze dhe përshpejtim të inspektimeve të sigurisë në një rrokaqiej në qendër të qytetit.
Kjo shkaktoi zemërim te disa liderë demokratë në qytet, përfshirë Chuck Schumer dhe Alexandria Ocasio-Cortez, të cilët nuk e falën Adams për “paqen” me Trumpin në prag të zgjedhjeve të kaluara.
Për pasojë, demokratët, që kanë dominuar politikën e Nju Jorkut për më shumë se 20 vite, po përpiqen të ruajnë kontrollin mbi qytetin, për të mos e lejuar atë të bjerë në duart e republikanëve, pas një pauze 24-vjeçare.
Kjo ndodh në një moment të ndjeshëm për politikën kombëtare amerikane, me zgjedhjet afatmesme të vitit 2025 dhe ato të përgjithshme të vitit 2026 për Kongresin, ku republikanët aktualisht mbajnë shumicën.
Zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate, të mbajtura më 24 qershor, ishin vendimtare për përcaktimin e kandidatit kryesor për kryebashkiak. Sipas komentatorëve politikë, Adams pritet të kandidojë si demokrat (+) i pavarur.
Zohran Mamdani fitoi zgjedhjet paraprake të demokratëve, duke mposhtur ish-guvernatorin liberal Andrew Cuomo, i cili e pranoi humbjen. Kjo fitore ka “çoroditur” demokratët dhe ka “trazuar” skenën politike në Nju Jork.
Mamdani mori 43.5% të votave, kundrejt 36.3% të Cuomo-s, sipas Bordit të Zgjedhjeve të qytetit, me afro 95% të votave të numëruara. Rezultatet përfundimtare të votimit me renditje (RCV) priten në korrik.
Sipas Bordit të Zgjedhjeve (BOE):
“Një fitues shpallet pasi të ketë marrë mbi 50% të votave. Ky rezultat pritet të publikohet pas javës së parë të korrikut.”
Për momentin, Mamdani është kandidati zyrtar i Partisë Demokrate për zgjedhjet e nëntorit, ku mund të përballet me Eric Adams-in dhe ndoshta edhe me Cuomo-n si kandidat të pavarur. Në anën tjetër, republikanët do të përfaqësohen nga kandidati konservator Curtis Sliwa, i cili fitoi pa kundërshtar primaret republikane.
Platforma republikane e Sliwës fokusohet në përkrahjen për NYPD-në, sigurinë publike, rritjen e fondeve për transportin publik, reformimin e burgut Rikers Island, strehimin dhe arsimin.
Mamdani, një mysliman me origjinë indiane, është kandidati kryesor për t’u bërë kryebashkiaku i parë mysliman i Nju Jorkut nëse fiton zgjedhjet e 4 nëntorit.
Kjo fitore “e papritur” ka shkaktuar reagime të forta dhe të polarizuara, jo vetëm në Nju Jork, por edhe në nivel kombëtar. Reagimi i menjëhershëm ndaj fitores së Mamdanit reflekton ndarjet ideologjike brenda Partisë Demokrate dhe në politikën amerikane në tërësi.
Mamdanin e kanë përkrahur dy figura të rëndësishme të së majtës radikale në SHBA, Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez, çka ka thelluar ndarjet brenda kampit demokratik dhe ka “trazuar” politikën kombëtare në Washington.
Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë përmes postimeve në X dhe Truth Social, duke e cilësuar Mamdanin si “një lunatik 100% komunist”. Ai komentoi fitoren gjatë kthimit nga samiti i NATO-s në Hagë, duke e krahasuar atë me fitore më të mëparshme të demokratëve të majtë ekstremë në Nju Jork.
Sipas komentatorëve, qyteti i Nju Jorkut ka qenë për dekada nën ndikimin e ideologjisë së majtë, veçanërisht gjatë mandatit 8-vjeçar të Bill de Blasios, i cili ndonëse paraqitej si i moderuar, zbatonte politika të frymëzuara nga e majta radikale.
Krahasuar me De Blasion, Mamdani shihet si një figurë më e vendosur e krahut të majtë. Ekspertët politikë paralajmërojnë për një zhvendosje të mundshme të politikave të qytetit drejt një qasjeje më ideologjike, të frymëzuar nga aktivizmi socialist i brezit të ri.
Reagimet pas fitores së Mamdanit:
Reagime Pozitive:
Mbështetësit progresistë dhe të rinjtë:
Progresistët, të rinjtë dhe komunitetet e margjinalizuara e kanë përshëndetur fitoren si një “tërmet politik” dhe si një shenjë e ndryshimit gjeneracional. Mamdani premton politika si: transport publik falas, ngrirje të qirave dhe kujdes universal për fëmijët.
Komunitetet myslimane dhe të imigrantëve:
Komunitetet në Queens dhe Brooklyn e panë fitoren e tij si përfaqësim të tyre, duke e vlerësuar si një moment historik për përfaqësimin politik.
Aktivistët për Palestinën:
Mbështetja e Mamdanit për të drejtat e palestinezëve mobilizoi shumë votues, përfshirë hebrenj progresistë dhe myslimanë.
Votuesit e rinj dhe punëtorët:
Fushata e tij u fokusua në kostot e jetesës, duke rezonuar me shtresat e ulëta dhe të mesme.
Reagime Negative:
Demokratët e moderuar dhe establishmenti:
Shumë anëtarë të Partisë Demokrate u shqetësuan për ndikimin që një socialist demokrat mund të ketë në imazhin e partisë në nivel kombëtar.
Qëndrimet për Izraelin:
Qëndrimet e Mamdanit për çështjen palestineze shkaktuan reagime të ashpra nga disa grupe hebraike, të cilët e akuzuan për retorikë antisemitike.
Kritika nga konservatorët dhe islamofobia:
Komentatorët e djathtë, si Charlie Kirk, lidhën fitoren e Mamdanit me sulmet e 11 shtatorit, një krahasim i cilësuar si ekstrem dhe islamofob nga analistët.
Media dhe Analistët:
CNN dhe PBS:
E quajtën fitoren një “tërmet politik”, që sinjalizon ndarje të thella brenda Partisë Demokrate, por edhe një ndryshim të qartë ideologjik.
New York Post:
E cilësoi Mamdanin si “socialist radikal”, duke shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në drejtimin e qytetit.
Komuniteti aziatik-jugor:
Ndërsa disa komunitete e mbështesin për aktivizmin e tij, të tjerë shprehën indiferencë ose mosnjohje për politikën e tij.
Konteksti dhe Pasojat
Fitorja e Mamdanit është një pikë kthese për Partinë Demokrate. Profili i tij si një socialist demokrat i ri, mysliman dhe me origjinë imigrante, pritet të frymëzojë breza të rinj politikanësh të majtë, por mund të krijojë edhe vështirësi për strategjitë e partisë në zonat më të moderuara.
Fushata e tij, e mbështetur nga 50,000 vullnetarë dhe donacione të vogla, dëshmoi fuqinë e organizimit nga baza dhe ndikimin e rrjeteve sociale.
Megjithatë, zgjedhjet e nëntorit — ku do të përballet me Adamsin dhe ndoshta me Cuomo-n si kandidat i pavarur — do të jenë një provë vendimtare për aftësinë e tij për të ndërtuar një koalicion më të gjerë qytetar në Nju Jork.