Për njëqind vjet të veprimtarisë kombëtare të diasporës shqiptare në Amerikë, ishte fryma për të qëndruar afër tokës, diellit dhe njerëzve të gjakut – shqiptarët në hapësirën etnike të ndarë në shumë vende të fqinjve tanë, si grabitqarë të tokave tona në Ballkan.
Në këtë frymë, në Çikago pati shumë veprimtari kombëtare: demonstrata, protesta, takime me kongresmenë e senatorë, si dhe me administratën në Uashington, duke kërkuar shpëtimin e shqiptarëve nga shfarosja në substancë dhe për Liri e Pavarësi të Kosovës.
Në dritën e këtyre ngjarjeve, me rastin e ditës së pavarësisë së shkurtit historik të Kosovës, po hedhim dritë mbi shoqatën „Ohri“ në Çikago, e cila, për të ndihmuar shqiptarët të anatemuar, të larguar nga puna, pa asnjë të drejtë për jetë normale, burra e gra shqiptare nga Ohri me rrethinë, u bënë bashkë për të afruar ndihmë në dollarë çdo muaj për ata në nevojë në Prishtinë.
Kemi dëgjuar nga pleqtë tanë nis rrëfimin veprimtari në Çikago, Avni Sulejmani nga Ohri: mungesa e bukës të çon në derë të hasmit. Ne u organizuam, mërgimtarët e këtij qyteti, për të afruar ndihmën me thirrjen: „Nuk i lëmë pa bukë vëllazërit në Kosovë!“
Për identitetin e bukës, shqiptarët e kanë traditën dhe historinë: sa herë e ngremë tryezën, e puthim bukën, sepse për shqiptarët buka nuk është vetëm bukë; buka për ne është hyjni, një Zot të cilit i lutemi që çdo kush ta ketë në sofër, thotë Avni Sulejmani.
Përditë e përcillnim gjendjen e rëndë në Kosovë. Përditë, regjimi serb ushtronte dhunë dhe tërë vëllazërit tanë bredhnin rrugëve nën hijen e dhunës, të vrasjeve, të denigrimit, pa punë, pa të ardhura, pa dinjitet, pa liri dhe të shtypur deri në shkallë të varfërisë para vdekjes. Kjo për ne ishte trishtim, thotë Avni Sulejmani, dhe merrnim frymë me një milion halle të vëllazërve në Kosovë.
Përditë na vinin lajme të liga: koha e regjimit serb të Serbisë kishte nisur planin ushtarako-policor për shfarosjen e shqiptarëve dhe për tokën e djegur të Kosovës.
Një mbrëmje, në lajmet që vinin nga Kosova, dëgjuam se renegati dhe dora e zgjatur tradhëtare kundër popullit shqiptar, Ali Shukriu, i jepte këshilla kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq: për shtrirjen e tokës së shqiptarëve në Kosovë dhe për të „harruar Republikën e Kosovës“, i lërini pa bukën e gojës.
Me këto lajme të trishtimit dhe të shqipfolësit të shitur para regjimit serb, na erdhi forcë më shumë në Çikago, dhe morëm nismën që çdo muaj për prishtinasit të sigurojmë një rrogë modeste mujore, thotë Avni Sulejmani, me fjalë dhimbjeje për kohën e luftës së djalërisë së UÇK-së për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Shoqata „Ohri“ në Çikago nisi „rrogat“ modeste për vëllazërit në Prishtinë, ndërsa për luftën e djalërisë së pushkëve të lirisë (UÇK-së), gratë shqiptaro-amerikane hoqën stolitë prej ari, madje edhe unazat e martesës, dhe kërkuan që të shndërrohen në deviza (dollaresh) për të ndihmuar luftën e Kosovës kundër regjimit vrasës deri në shkallë të gjenocidit, që edhe bota demokratike e mori me shqetësim dhe mobilizim të faktorit ushtarako-diplomatik, të prirë nga Uashingtoni dhe BE-ja, për të ndalur planet shfarosëse të shqiptarëve nga regjimi i Serbisë fashiste.
Në familjen e Avni Sulejmani nga Ohri, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe të pabarazisë kombëtare në kohën e komunizmit në Maqedoninë e Veriut, mijëra shqiptarë morën udhët e mërgimit nëpër botë, madje deri në Amerikë dhe Australi. Ata shkuan dhe i lanë vendet shqiptare, thotë Avni Sulejmani, për të siguruar kafshatën e bukës për fëmijët dhe familjet shqiptare në hapësirën etnike të këtij shteti, të krijuar mbi një bazë të brishtë dhe, siç thuhet në histori, si shenjë ballansimi për popullin shqiptar në tokën e vet.
Rrëfimet për Kosovën, për mërgimin dhe bukën e gurbetit me shtatë kore (thënie e popullit), Avni Sulejmani i shoqëron me një pjesë të „romanit të jetës në mërgim“, ku babai i tij, Rasim Sulejmani, në vitin 1972 shkoi me anije për në Australinë e largët dhe, me shumë halle e merzi, mezi bëri tre vjet punë në tokën e largët, të rrethuar me detin.
Një ditë, babai Rasim kishte bërë gati valixhën dhe do të nisej me anije përmes detit, për t’u kthyer në vendin e tij dhe pranë familjes në rrethinën e Ohrit shqiptar. Por, posa hyri në anije dhe ajo mori drejtimin kah deti, kah hijet e udhës së diellit për në vendlindje, Rasim Sulejmani e shkeu pasaportën e Jugosllavisë (me shenjën zyrtare të Maqedonisë së kohës) dhe e gjuajti në valet e detit, duke thënë: „Më nuk kthehem në Australinë e largët, më mirë se në tokën tonë nuk ka, dhe këtu do të vdes.“ Kështu pati thënë babai i Avni Sulejmani nga Ohri.
Me rastin e ditës së pavarësisë, veprimtari Avni Sulejmani në Çikago, me familjen e tij, uron nga zemra Lirinë dhe Pavarësinë dhe që Republika e Kosovës të jetë përjetësisht!