Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit në New York për seancën e Këshillit të Sigurimit, ka zhvilluar takime me përfaqësues të mërgatës shqiptare në Amerikë.
Ai theksoi se këto takime janë fillimi i një serie angazhimesh për të rritur mbështetjen dhe organizimin e diasporës, duke e cilësuar atë si faktor kyç për zhvillimin e vendit.
Konjufca vlerësoi rolin historik të mërgatës në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë, duke shtuar se ajo mbetet e rëndësishme edhe sot për integrimin euro-atlantik dhe forcimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Postimi i plotë:
Gjatë qëndrimit tim në New York me rastin e pjesëmarrjes në seancën e Këshillit të Sigurimit, zhvillova takime edhe me veprimtarë e përfaqësues të disa prej organizatave dhe shoqatave të mërgatës sonë shqiptare në Amerikë, si fillimi i një vazhde takimesh të tjera që do t’i zhvillojmë përgjatë këtij viti, me synimin e rritjes së mbështetjes për mërgatën dhe fuqizimin e organizimit dhe veprimtarisë së saj të rëndësishme në shërbim të kombit.
Roli i mërgatës sonë në Amerikë ka qenë thelbësor në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë, dhe ky rol i tyre është i rëndësishëm edhe sot në mbështetje të integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës. Ajo është pjesë e pashkëputshme e historisë sonë kombëtare, si një zgjatim i mundësive që i janë mohuar për dekada popullit tonë për zhvillim e prosperitet, për shkak të pushtimit dhe shtypjes.
Sot mërgata është avantazhi ynë i zhvillimit në çdo fushë, prandaj do të jetë prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Mërgata jonë në Amerikë është nyja që lidh pashkëputshëm Kosovën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në çdo aspekt dhe në çdo sferë!