Nju Jork, 25 Nëntor 2026: Në kuadër të "Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave", Kombet e Bashkuara në Nju Jork, zhvilluan konferencën zyrtare përkujtimore, duke hapur gjithashtu fushatën globale "16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore".
Këtë vit, fushata e OKB-së u zhvillua nën moton, “Siguroni Drejtësi. Mbroni të Mbijetuarit. Jepini Fund Pandëshkueshmërisë”, shoqëruar me thirrjen e drejtpërdrejtë publike, “Flisni. Besojuni të mbijetuarve. Kërkoni drejtësi”, ku theksi u vu te fakti se dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në botë.
Në konferencën e nivelit të lartë të mbajtur në selinë e OKB-së, ku morën pjesë liderë botërorë, aktivistë dhe përfaqësues të UN Women, diplomatë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, çdo 10 minuta një grua apo vajzë humb jetën si pasojë e dhunës nga partneri intim ose familjarët, rreth 137 gra dhe vajza çdo ditë. Raportet e këtij viti nxorrën në pah një "zinxhir dështimesh", nga akti i parë i dhunës deri te mungesa e drejtësisë, ku autorët e krimeve shumë shpesh mbeten të pandëshkuar, ndërsa të mbijetuarat përballen me heshtje dhe paragjykime.
Gjatë diskutimeve dhe prezantimit të raporteve të reja mbi aksesin në drejtësi, OKB-ja përcaktoi disa shtylla kryesore, ku qeveritë dhe institucionet përkatëse duhet të veprojnë menjëherë, siç janë;
Garantimi i strehimit të sigurt, ndihmës juridike falas, kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes psikosociale për të mbijetuarat dhe fëmijët e tyre.
Sigurimi që proceset gjyqësore të jenë të shpejta, të fokusuara te e mbijetuara dhe të mos shkaktojnë ri-traumatizim.
Adresimi i formave të reja të abuzimit në internet, si ngacmimi kibernetik, shpërndarja e imazheve pa pëlqim dhe manipulim, të cilat po rriten me shpejtësi dhe shpesh kalojnë në dhunë fizike.
Dënimi i autorëve dhe mbajtja përgjegjëse e institucioneve që dështojnë të mbrojnë viktimat pas denoncimeve të tyre.
Kombet e Bashkuara u bëjnë thirrje jo vetëm qeverive, por çdo qytetari, të sfidojnë kulturën e fajësimit të viktimës, të financojnë organizatat që mbrojnë gratë dhe të ndërtojnë një shoqëri ku siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje dhe vajze janë të pacënueshme.
Mesazhi i OKB-së, tingëllon si një kambanë alarmi edhe për realitetin në Shqipëri dhe Kosovë. Për të dyja vendet, kjo ditë nuk është thjesht një datë simbolike në kalendarin ndërkombëtar, por një pasqyrë e një plage të thellë shoqërore që vazhdon të marrë jetë grash e vajzash.
Paralajmërimi i OKB-së se në botë një grua vritet çdo 10 minuta nga partneri apo familjarët gjen jehonë tronditëse në hapësirën shqiptare. Gjatë viteve të fundit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, rastet e femicidit (vrasjes së grave për shkak të gjinisë) dhe dhunës ekstreme në familje kanë tronditur opinionin publik.
Në Shqipëri, mijëra raste të dhunës në familje denoncohen çdo vit në polici, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se shifra reale është shumë më e lartë për shkak të frikës, varësisë ekonomike dhe opinionit shoqëror. Edhe në Kosovë, raportet e Policisë dhe institucioneve të drejtësisë tregojnë rritje të vazhdueshme të denoncimeve të dhunës me bazë gjinore, ku rastet më tragjike kanë përfunduar me vrasjen e grave brenda mureve të shtëpisë, në institucione apo dhunës e vrasjeve në hapësira publike.
Fokusi kryesor i konferencës së sivjetshme të OKB-së, "Fundi i pandëshkueshmërisë dhe zinxhiri i dështimeve institucionale", prek drejtpërdrejtë si institucionet në Tiranë ashtu edhe Prishtinë. Përvoja e viteve të fundit ka treguar se në shumë raste tragjike, viktimat kishin trokitur më parë në dyert e policisë, prokurorisë apo gjykatave, madje kishin pasur edhe urdhra mbrojtjeje.
Mungesa e vlerësimit real të rrezikut, vonesat në procedurat gjyqësore, dënimet e lehta ndaj dhunuesve dhe mungesa e rehabilitimit ekonomik pas daljes nga strehëzat, bëjnë që gratë të mbeten të pambrojtura përballë agresorëve. Pikërisht për këtë arsye, thirrja e OKB-së për “mbrojtjen e të mbijetuarve dhe sigurimin e drejtësisë” është kërkesa kryesore e shoqërisë civile dhe aktivistëve në të dyja anët e kufirit.
Një tjetër pikë kyçe e konferencës së OKB-së që lidhet ngushtë me rininë dhe gratë në Shqipëri e Kosovë është dhuna digjitale. Shantazhet përmes rrjeteve sociale, publikimi i materialeve intime pa pëlqim dhe bullizmi kibernetik janë kthyer në forma të reja të kontrollit dhe shtypjes, të cilat shpesh mbeten të padënuara për shkak të boshllëqeve ligjore apo paragjykimeve ndaj viktimës.
Nisja e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit” (25 Nëntor – 10 Dhjetor) shërben si një moment reflektimi për institucionet dhe shoqërinë në Shqipëri dhe Kosovë. Lufta kundër krimit ndaj grave nuk mund të fitohet vetëm me fushata ndërgjegjësimi një herë në vit, prandaj mesazhi i OKB-së është i qartë: "Asnjë justifikim nuk vlen për dhunën".
Për Shqipërinë dhe Kosovën, ky është një test i pjekurisë shtetërore dhe shoqërore për të garantuar që jeta dhe dinjiteti i çdo gruaje të jenë të shenjta dhe të mbrojtura realisht. Punimet e kësaj Konference u ndoqën nga afër (si e ftuar) edhe nga Organizata e Gruas Shqiptaro - Amerikane "Shpresë & Paqe" në Nju Jork, misioni i së cilës është lufta kundër dhunës në familje dhe mbrojta e të drejtave të grave, vajzave dhe fëmijëve.