Anëtarja e Këshillit Bashkiak të New Yorkut, Amanda Farias, ka njoftuar se qyteti i New Yorkut ka njohur zyrtarisht 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, përmes Rezolutës 186, të miratuar nga Këshilli Bashkiak pak ditë para festës.
Me këtë rast, dje, më 28 Nëntor, Farias bashkëorganizoi një manifestim festiv në sallën e Këshillit Bashkiak në New York, ku shqiptarët e këtij qyteti festuan Ditën e Flamurit.
Ajo bëri të ditur se në aktivitet morën pjesë shqiptarë nga Bronx dhe komunitete të tjera të qytetit, të cilët festuan me muzikë, valle dhe tradita shqiptare.
“Shqiptarët e New Yorkut kanë dhënë kontribut të paçmuar në mozaikun kulturor të qytetit tonë”, ka shkruar Farias, duke falënderuar të gjithë ata që morën pjesë në festimin e kësaj dite dhe mbushën City Hall me krenari kombëtare.