Një mbrëmje kushtuar kujtesës historike, viktimave të luftës së Kosovës dhe detyrimit kombëtar për të mos harruar sakrificën për liri.
Në prag të festave të Nëntorit, kur shqiptarët kudo në botë përgatiten të kremtojnë 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë, në Waterbury të Connecticut-it u zhvillua një aktivitet me vlera historike, kulturore dhe kombëtare, kushtuar kujtesës së luftës së Kosovës dhe viktimave të saj.
Profesor Nusret Pllana prezantoi filmin dokumentaro-artistik “Pas Luftës, kush jemi ne?!”, një vepër që sjell përmes artit një reflektim të thellë mbi pasojat e luftës, sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës, dhe përgjegjësinë për të mos lejuar që historia të harrohet.
Profesor Pllana mbërriti në New York të martën, më 23 nëntor 2026, ku u prit në aeroportin JFK nga aktivisti Mark Qehaja dhe kushëriri i tij, i ardhur nga Prishtina, Profesor Doktor Nazim Qehaja. Nga Bronxi, ata u nisën drejt Waterbury-t të Connecticut-it, ku më 25 nëntor, në orën 18:00, në Qendrën Kulturore dhe Myslimane Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina”, u zhvillua prezantimi i dokumentarit.
Aktiviteti u organizua nga Mark Qehaja, Komuniteti Mysliman Shqiptaro-Amerikan, me imamin Endrit Himaj, në bashkëpunim me Shoqatën “Hasan Prishtina”, të kryesuar nga Agim Ismaili. Në këtë mbrëmje morën pjesë dhjetëra bashkatdhetarë, veprimtarë dhe drejtues të organizatave të komunitetit shqiptar.
Programi nisi me intonimin e Himnit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Himnit Kombëtar Shqiptar.
Aktiviteti u moderua nga aktivisti i njohur Mëhill Velaj, i cili prezantoi figurën dhe veprimtarinë e Profesor Nusret Pllanës, duke e cilësuar atë si një personalitet të angazhuar për çështjen kombëtare, ish-ministër të Kulturës në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, folësin e parë të Radios “Kosova e Lirë”, studiues dhe pedagog, i cili prej dekadash i është përkushtuar dokumentimit të krimeve serbe ndaj popullit të Kosovës.
Velaj theksoi se libri i Profesor Pllanës është përkthyer në tetë gjuhë dhe gjendet në biblioteka të rëndësishme botërore, përfshirë Bibliotekën e Kongresit Amerikan dhe Bibliotekën Britanike.
Më pas u shfaq filmi dokumentaro-artistik, i realizuar me pjesëmarrjen e aktorëve dhe vullnetarëve nga Tirana, Shkupi dhe Prishtina. Ideator dhe producent i veprës është Profesor Nusret Pllana, koreograf dhe regjisor Robert Nuha, ndërsa muzika është kompozuar nga Trimor Dhomi.
Përmes gjuhës artistike, filmi sjell një dëshmi dhe reflektim mbi plagët e luftës, rrugëtimin e popullit shqiptar të Kosovës dhe mbi të gjitha, mbi fatin e viktimave që nuk duhet të mbeten kurrë jashtë kujtesës sonë kolektive.
Në fjalën e tij, Profesor Pllana shprehu mirënjohjen për të gjithë të pranishmit, të cilët kishin zgjedhur të ishin pjesë e këtij aktiviteti në prag të festave të Nëntorit, për të nderuar Ditën e Flamurit dhe për të promovuar një vepër me mesazh të fuqishëm historik e kombëtar.
Ai theksoi se mesazhi kryesor i filmit është mos-harresa e sakrificave të bëra për liri, veçanërisht gjatë luftës gjenocidiale të viteve 1998–1999, e cila la pas rreth 15 mijë civilë të vrarë, 20 mijë femra të dhunuara, mbi 1,432 fëmijë të masakruar, afro një milion njerëz të dëbuar dhe më shumë se 1,600 persona të zhdukur.
“Lufta jonë për liri e Bashkim Kombëtar nuk ka mbaruar”, u shpreh Pllana, duke theksuar se përpjekja vazhdon deri në realizimin e ëndrrës së mijra dëshmorëve për një Shqipëri të bashkuar.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për harresën historike, bajraktarizmin dhe përçarjet ndërshqiptare, dukuri që, sipas tij, po i kushtojnë shtrenjtë shoqërisë sonë dhe po pengojnë rrugëtimin e përbashkët kombëtar.
Ne fjalimin e tij aktivisti Mark Qehaja, përcolli përshëndetjet e komunitetit shqiptar të New York-ut, falënderoi bashkëorganizatorët dhe mirëpriti Profesor Pllanën, duke vlerësuar veprimtarinë e tij shumëvjeçare në dokumentimin dhe ruajtjen e së vërtetës historike.
“Dokumentimi i këtyre ngjarjeve nuk është vetëm detyrim ndaj së kaluarës, por përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm”, theksoi Qehaja. Ai i uroi Profesor Pllanës shëndet, suksese dhe vazhdimësi në misionin e tij, duke përcjellë urimet më të mira me rastin e 28 Nëntorit.
Aktivitetin e përshëndetën gjithashtu imami Endrit Himaj, Fluturim Rizvani, Albana Lama dhe Stefan Koçi, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij organizimi dhe mesazhin që përcjell vepra e Profesor Pllanës.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte përshëndetja e lahutarit nga Peja, Hysen Kurtaj, i cili, përmes vargjeve të përzgjedhura nga kryevepra e Gjergj Fishtës, “Lahuta e Malësisë”, dhe tingujve karakteristikë të lahutës, i dha aktivitetit një dimension të veçantë artistik e atdhetar, duke sjellë në vëmendje vlerat e trashëgimisë sonë folklorike, historike dhe identitetit kombëtar
Në vijim, Profesor Pllana ndau mirënjohje për kontributin në botimin e librit “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844–1999”, duke nderuar ndër të tjerë imamin Endrit Himaj, Mark Qehaja, Agim Ismaili dhe Albana Lama.
Mbrëmja u përmbyll me një koktej, në një atmosferë vëllazërore, bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë.
Një mesazh që tejkalon artin
Filmi “Pas Luftës, kush jemi ne?!” nuk është thjesht një vepër dokumentaro-artistike. Ai është një thirrje për reflektim, një kujtesë për atë që kemi përjetuar si popull dhe një pyetje që secili duhet t’ia bëjë vetes: çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë që sakrifica e atyre që dhanë jetën për liri të mos harrohet?
Në prag të 28 Nëntorit, ky aktivitet na rikujton se flamuri kuqezi nuk simbolizon vetëm bashkimin dhe krenarinë kombëtare, por edhe sakrificën, qëndresën dhe përgjegjësinë për ta ruajtur historinë tonë.
Kujtesa historike nuk është vetëm nderim për të kaluarën; është detyrim moral dhe kombëtar ndaj së tashmes dhe brezave që do të vijnë.
Ndërkohë, të premten, më 27 nëntor 2026, në orën 17:30, i njëjti film do të prezantohet edhe në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në New York