Vështrimi i “Five Eyes” i hedhur mbi Indo – Paqësor

Analiza

Vështrimi i “Five Eyes” i hedhur mbi Indo – Paqësor

Më: 19 mars 2021 Në ora: 17:39
Foto ilustruese

Five Eyes në krye të luftës teknologjike

Më 18 nëntor 2020, një deklaratë e përbashkët e ministrave të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Zelandës së Re, Australisë dhe e Sekretarit amerikan të Shtetit ka shprehur preokupim rreth efekteve të National Security Law të ri të Hong Kongut, e miratuar më 30 qershor të po këtij viti nga Asambleja Kombëtare e Popullit e Republikës Popullore të Kinës. Sipas një deklarate të tillë, ligji në fjalë do ta minonte thellësisht autonominë e zgjeruar që gëzon Hong Kongu si rajon administrativ special dhe do të dobësonte të drejtat e opozitës dhe të opinionit publik. Praktikisht, dara e qeverisë së Pekinit ka çuar në një seri arrestimesh për motive pastërtisht politike, përveçse në përzënien nga parlamenti i Hong Kongut i deputetëve kritikë.

Përgjigja e qeverisë kineze ndaj deklaratës së përbashkët i është besuar Zhao Li Xhianit, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, që ka manifestuar një armiqësi të caktuar kundrejt asaj që në Kinë konsiderohet një ndërhyrje në punët e saj të brendshme. Ftesës për të rikonsideruar veprimet lidhur me menaxhimin e autonomisë së Hong Kongut, Li Xhiani ka deklaruar se “nuk ka rëndësi nëse [shtetet kritike] kanë pesë apo dhjetë sy”, nëse kërcënojnë sovranitetin kinez “duhet të kenë kujdes që të mos goditen dhe verbohen”.

Referimi është ndaj anëtarëve të aleancës  Five Eyes, të njëjtit shtete promotorë të deklaratës së përbashkët të 18 nëntorit. Aleanca Five Eyes është rezultati i një marrëveshjeje midis Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, e nënshkruar më 5 mars të vitit 1946, e quajtur UKUSA (United Kingdom – United States of America Agreement), bazuar mbi ndarjen e informacioneve të ndjeshme kryesisht për qëllime ushtarake. Gjatë viteve Pesëdhjetë, marrëveshja u zgjerua deri sa ka përfshirë Kanadanë, Australinë dhe Zelandën e Re, duke formuar në fakt një rrjet inteligjence vendesh anglosaksone. Nëse në pasLuftën e Dytë Botërore objektivi i Five Eyes ka qenë ai i bashkëpunimit për të luftuar Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, sot objektivi është siguria në të gjitha frontet: ekonomi, teknologji, terrorizëm. Por është e pashmangshme që raportet me Kinën tëpërfaqësojnë një kapitull kryesor në axhendën e Five Eyes.

Vendet e aleancës janë dalluar pse në thelb kanë ndaluar Huawei dhe teknologjitë e tij 5G nga rrjetet e tyre kombëtare duke ndjekur shembullin e Shteteve të Bashkuara, fuqimisht armiqësorë ndaj kolosit nga Shenzen nën administratën Trump. Përjashto Kanadanë, që nuk duket se nuk e ka formuluar akoma një politikë të saktë lidhur me këtë, të gjitha shtetet anëtare të Five Eyes u janë konformuar direktivave të Uashingtonit. Kështu që është normale që një shkallë e caktuar armiqësie të karakterizojë marrëdhëniet midis Kinës dhe Five Eyes në tërësinë e tyre. Pa llogaritur komplikimin e fundit të raporteve kino – australiane, të përkeqësuara nga fake news dhe luftëra tregëtare.

Roli i Japonisë: syri i gjashtë?

Pikërisht fronti teknologjik dhe, më në përgjithësi, konkurrenca me Pekinin ofron një pikë konvergjence pikëpamjesh midis Five Eyes dhe fuqiv kryesore të Indo – Paqësorit. Në mënyrë të veçantë, Japonia shpesh konsiderohet si një anëtar i ardhshëm i mundshëm i aleancës së inteligjencës, e cila do të bëhej kështu “Six Eyes”. Vetë kryeministri britanik Boris Johnson në shtatorin e kaluar uronte hyrjen e Japonisë në grupin e të pestëve, duke nënvizuar sesi marrëdhëniet me Tokion janë jashtëzakonisht të forta në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Të ndryshme janë analogjitë që lidhin Japoninë dhe Five Eyes. Nëse nga njëra anë vendet anglishtfolëse e kanë dënuar sëbashku National Security Law dhe pasojat e tij në fushën e të drejtave politike, qeveria e Yoshihide Suga e ka ngritur çështjen e ujgurëve nëpërmjet Sekretarit të Kabinetit të tij, Katsunobu Kato, që në një konferencë për shtyp më 20 janar ka deklaruar se Japonia e ndjek me vëmendje problematikën e respektimit të të drejtave të njeriut në rajonin e Ksiniangut.

Por mbi të gjitha Japonia është një prej aleatëve kryesorë në luftën teknologjike, duke mundur të luajë një rol përcaktues në “rikuperimin e terrenit” në frontin e teknologjive 5G. Jo rastësisht, në ligjin federal amerikan për caktimin e buxhetit të destinuar për mbrojtjen e vitit 2021, Japonia përmendet bashkë me vendet e Five Eyes si një prej partnerëve më të besueshëm në kontekstin e sfidave që kanë të bëjnë me “kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive të besueshme e të sigurta të komunikimit” dhe “promovimin e furnizuesve të besueshëm”.

Përpjekja japoneze në zhvillimin e një alternative ndaj 5G kineze ka çuar më pas në forcimin e një aksi tjetër, atë me New Elhi. Më 15 janar të këtij viti, India dhe Japonia kanë nënshkruar një Memorandum për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e teknologjive të komunikimit. Ky memorandum mbulon aspekte të ndryshme në kuadër të ICT, por kryesisht përqëndrohet mbi zhvillimin e rrjeteve 5G. India i frikësohet ndërhyrjes së teknologjisë kineze në territorin e saj kombëtar dhe kompromentimit të mundshëm të komunikimeve ushtarake, sidomos pas përleshjeve të ndodhura në Luginën Galwan në qershorin e 2020. Në mënyrë të veçantë, kolosi elektronik japonez Rakuten do të merret me zhvillimin e rrjeteve 5G, ndërsa NEC (Nippon Electronic Company) ka ofruar tashmë asistencë teknike për realizimin e kabllit nënujor që lidh qytetin Chennai me Ishujt Andamane. E njëjta NEC mbi të cilën qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka piketuar në nëntorin e 2020 për zhvillimin e rrjeteve të saj lidhëse, në një optikë diversifikimi strategjik të furnizuesve.

Lind Quad Tech Network

Një mirëkuptim ky midis Indisë e Japonisë, tashmë i konsoliduar nga pjesëmarrja e përbashkët e tyre në QUAD (Quadrilateral Security Dialogue), me anë të të cilit është tashmë në zhvillim një bashkëpunim me natyrë ushtarake me forcat detare e Shteteve të Bashkuara dhe Australisë. Në manovrat ushtarake “Sea Dragon 2020”, të zhvilluara në ujërat territoriale të Ishullit Guam, ka marrë pjesë edhe Koreja e Jugut: edhe ky një vend themelor nga pikëpamja e inteligjencës, fqinj si me Kinën, ashtu edhe me Korenë e Veriut. Kapacitetet balistike të Phenianit përfaqësojnë një preokupim si për Korenë e Jugut, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara e Japoninë, të cilat kanë nisur tashmë raporte bashkëpunimi ushtarak dhe inteligjence me Seulin. QUAD mund të shikohet si një platformë takimi midis Five Eyes dhe fuqive aziatike të Indo – Paqësorit. Në konfirmim të kësaj tendence është realiteti i fundit i lindur nga konteksti i katërpalëshit, domethënë Quad Tech Network (QTN): i krijuar me iniciativë të qeverisë australiane, QTN përmbledh vendet e QUAD të mbështetura nga think thank dhe institutet kërkimore universitare të tyre, me objektiv studimin dhe formulimin e strategjive të përbashkëta për përballimin e sfidave dixhitale të Indo – Paqësorit, të tilla si sigurie kibernetike, rrjetet 5G dhe kërkimi.

Lindja e QTN dëshmon nga njëra anë rëndësinë në rritje e rajonit, e karakterizuar nga rritja më e lartë botërore e numrit të përdoruesve të internetit, nga ana tjetër vetëdijen e vendeve të QUAd se bahskëpunimi nuk mund të ndalet në nivelin e manorave ushtarake detare, por duhet të priret domosdoshmërisht në planin e kërkimit, të politikave teknologjike dhe të inteligjencës. Për këtë motiv është e arësyeshme të parashikohet se raportet midis Five Eyes, Indisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut janë të destinuara që prodhojnë pika të mëtejshme takimi në planin e ndarjes së informacioneve.

Megjithatë duhet ndalur mbi natyrën e anëtarësimit të grupit Five Eyes. Forca e këtij grupi të ngushtë qëndron sigurisht në homogjenitetin e tij kulturor e gjuhësor, politik e historik. Ndarja e informacioneve në këtë kontekst, të karakterizuar nga ndarja e interesave të përbashkëta, sigurisht që është më e lehtë dhe më komode. Në këtë kuptim, futja e anëtarëve të rinj të huaj në këtë kontekst mund të rezervojë ndodnjë vështirësi. Është më lehtë të mendohet për një format “Five Eyes Plus”, ku anëtarësimi mbetet ai fillestar dhe krijohen herë pas here raporte instrumentale me vende të tjera, sesa për një grup “Six Eyes”, me Japoninë anëtare të pare që nuk i përket anglosferës. Shtimi me anëtarë të rinj i aleancës së inteligjencës është kështu një procedim kompleks. Vetë natyra e organizatës e bën konceptin e “anëtarit” më relativ: pjesëmarrja ose jo në organizatë nuk e përjashton aspak bashkëpunimin me vendet anëtare, dhënien dhe marrjen e informacioneve prej tyre.

Pavarësisht nga niveli i ekskluzivitetit të klubit Five Eyes, është e pamendueshme që këto vende mund të bëjnë pa ndarjen e informacioneve më interlokutorët e mëdhenj e rajonit të Indo – Paqësorit. Me siguri, bashkëpunimi në planin e inteligjencës favorizohet nga pranua e faktorëve të ndryshëm agregues, përjashto atë gjuhësoro – kulturor: Five Eyes, Japoni, Indi dhe Kore e Jugut janë të gjithë sisteme demokratike dhe të gjitha promovojnë vendosjen e proceseve të paqes e të sigurisë në Indo – Paqësor. Por. Mbi të gjitha, i bashkon nevoja e kundërbalancimit të pranisë kineze në planin ekonomik, ushtarak e teknologjik. /Bota.al

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat