Skenari i frikshëm i Putinit gjatë dimrit, a po kopjon Stalinin?

Analiza

Skenari i frikshëm i Putinit gjatë dimrit, a po kopjon Stalinin?

Nga: Daniel Davis “19FortyFive” Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 13:26
Foto ilustrim

Sulmi i ri i Putinit gjatë dimrit, paraqet një rrezik real për Ukrainën. Mëngjesin e së martës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim online në samitin e G20-ës dhe u tall me Rusinë duke paraqitur një plan paqeje prej 10 pikash, që ishte pak më shumë se sa një kërkesë për dorëzim të pakushtëzuar të Moskës.

Ndërkohë, mbrëmjen e asaj dite Rusia u kundërpërgjigj me një breshëri raketash që sulmuan infrastrukturën energjetike të dhjetëra qyteteve të Ukrainës, dhe që mund të cilësohen si sulmet raketore më shkatërruese të luftës. Ai sulm mund të jetë vetëm një shenjë e ofensivës së madhe dimërore të ushtrisë ruse, ku do të angazhohen më shumë se 200.000 trupa të reja.

Në përgjithësi, ekzistojnë 3 mundësi kryesore. Së pari sulmi i ri mund të synojë objektiva minimaliste. Putin mund të përdor trupat e tij të sapo-mobilizuara për të mbështetur të gjitha pozicionet aktuale të vijës së parë të frontit rus në Ukrainë, dhe të shpresojë të shndërrojë përfitimet territoriale aktuale në zona nën kontrollin e përhershëm të Rusisë.

Së dyti, sulmi mund të ketë objektiva të kufizuara, ku Putini mund të përpiqet të përdorë formacionet e tij të reja për të përfunduar pushtimin e të gjithë rajonit të Donbasit, dhe të tentojë të kalojë lumin Dnipro për të rimarrë Kherson-in dhe pjesën e mbetur të këtij rajoni.

Së treti mund të ketë një sulm total për të rrezikuar fitimin apo humbjen e gjithçkaje në Ukrainë. Pra, Putin do të përpiqet edhe njëherë ta detyrojë qeverinë Zelensky të kapitullojë sipas kushteve të Moskës duke u përfshirë në luftë të gjithanshme ndërshtetërore.

Nga këndvështrimi i Kremlinit, secili nga 3 opsionet ka të mirat dhe të këqijat e veta, dhe secili përfaqëson rreziqe unike për shtetin ukrainas. Edhe pse siç e përsëriti Zelensky në fjalimin e së martës, Ukraina synon që të dëbojë plotësisht trupat ruse nga territori i saj.

Sipas skenarit të parë, Putin do të përdorë forcën e tij, të shtuar me 300.000 rezervistë të mobilizuar, për të parandaluar çdo përparim të mëtejshëm të Ukrainës, duke dërguar një numër të madh trupash për të forcuar linjat ruse nga rajoni i Kharkiv në veri, në Donbas në qendër, dhe në frontet jugore Kherson dhe Zaporezhia.

Forcat ruse do të fillojnë të përforcojnë vijën aktuale të kontaktit prej 1600 km që ndan palët ndërluftuese. Trupat e reja ruse do të rritin në mënyrë të konsiderueshme fuqinë e zjarrit, duke përbërë një pengesë serioze për çdo përparim të mëtejshëm të Ukrainës.

Javën e kaluar zyrtarët e Pentagonit raportuan se Ukraina lëshonte mesatarisht 7.000 predha artilerie në ditë kundër Rusisë, por trupat e Putinit po kundërpërgjigjeshin me deri 20.000 predha.

Në një fushatë dimërore të re, Rusia mund ta dyfishojë fuqinë e zjarrit, gjë që do ta bënte pothuajse të pamundur që trupat e Zelensky të kishin sukses përtej linjave aktuale. Në këtë mënyrë Putin do të “ngrinte” konfliktin aty ku është, duke pretenduar njohjen e territoreve të aneksuara.

Por me kalimin e kohës, pala ukrainase do të ishte e lirë të rindërtonte forcën e saj, të shtonte potencialisht qindra tanke dhe topa, dhe brenda vitit të niste kundërofensiva të reja që mund të dëbojnë me sukses trupat ruse. Pra ky opsion zgjidh një problem afatshkurtër për forcat ruse (ndalimin e përparimeve aktuale të Ukrainës), por ndeshet në dobësi afatmesme dhe afatgjata, pa ofruar një rrugë racionale për zgjidhjen e konfliktit me kushte të pranueshme për Moskën.

Prandaj Putini ka të ngjarë të mos e zgjedhë këtë mënyrë veprimi. Ndërkohë, gjatë skenarit të dytë, Putin do të kërkojë përfitime të kufizuara ushtarake duke u angazhuar në përpjekjet për të përfunduar pushtimin e gjithë Donbasit (përfshirë të gjithë territorin e Donetsk dhe Luhansk), rajonin e Zaporezhias, dhe të nisë një operacion të madh për t’u rikthyer përtej lumit Dnieper.

Së bashku me rreth 200.000 trupat ruse që luftojnë aktualisht në Ukrainë, gjeneralët e Putinit do të kishin më shumë se 400.000 trupa për të provuar arritjen e këtyre objektivave të kufizuara, të cilat nuk do të ishin të sigurta, por gjithsesi të mundshme.

Por përpjekjet për të ripushtuar Kherson-in do të ishin të vështira. E njëjta pengesë e madhe e lumit Dnipro, që aktualisht e pengon Ukrainën të vazhdojë ofensivën e saj kundër trupave ruse, do të përbënte një sfidë të madhe për çdo përpjekje të ushtrisë ruse për të kaluar në anën perëndimore.

Pala ukrainase, ka filluar tashmë të ndërtojë një sistem të ri mbroje, për ta bërë shumë të kushtueshëm çdo rikthim të rusëve në Kherson. Atëherë, çfarë do të bëjë Putini në Ukrainë këtë dimër? Presidenti rus ka të ngjarë të refuzojë të dy opsionet 1 dhe 2 për të njëjtën arsye përfundimtare: edhe një operacion i suksesshëm taktik do të kushtonte shumë në ushtarë dhe para, dhe megjithatë do të ishte një fitore afatshkurtër dhe e përkohshme.

Kjo nuk do ta zgjidhte problemin e tij për të siguruar krahun perëndimor të Rusisë nga kërcënimi që ai percepton nga NATO, dhe do të garantonte praktikisht një ofensivë të ardhshme nga ushtria e Zelensky, që ka të ngjarë të jetë më e fuqishme se ajo aktuale.

Deri në këtë moment, duket se publiku rus është i gatshëm t’i japë edhe pak kohë Putinit, pavarësisht dështimeve të tij për të fituar luftën që në fillim, tërheqjes nga Kharkiv në shtator dhe humbjes së Kherson-it këtë muaj. Opinioni publik rus – madje edhe më radikalët që ankohen – janë të gatshëm të presin dhe të shohin se si do të zhvillohet ofensiva e premtuar e dimrit.

Por nëse presidenti rus nuk do të arrijë ta fitojë luftën, nuk arrin të sigurojë territorin rus dhe nuk e mposht kërcënimin ushtarak ukrainas në këtë kufi, ka të ngjarë që popullariteti i tij aktual prej 79 për qind të bjerë në mënyrë drastike. Në një skenar të tillë, nuk do të kishte shumë gjasa që populli rus të pranonte një mobilizim tjetër të qindra mijëra burrave të tjerë (që do të duheshin për të përballuar ofensivën e re ukrainase që do të pasonte atë ruse).

Vladimir Putin do të përballej me rrezikun serioz të dhënies së dorëheqjes, rrëzimit nga  pushteti nëpërmjet një grushti shteti, ose ndoshta edhe të humbasë jetën e tij në një atentat.

Prandaj pritshmëria më e arsyeshme, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të luftës dhe opsionet në dispozicion të liderit rus, është që Putini të urdhërojë gjeneralët e tij të zbatojnë skenarin e tretë: një luftë e gjithanshme për të shkatërruar aftësinë e Ukrainës për të kërcënuar territoret apo interesat ruse.

Shënim:Daniel L.Davis, ish-nënkolonel në Ushtrinë e SHBA-së, me përvojë në 4 zona luftimi./abc news

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat