Gresa Bakraqi dhe Muhamet Ramadani – laureatët e vitit 

Atletika

Gresa Bakraqi dhe Muhamet Ramadani – laureatët e vitit 

Më: 14 shkurt 2026 Në ora: 10:41
Më të mirët

Federata Atletike e Kosovës ka organizuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve për më të mirët e vitit 2025, duke vlerësuar atletët për arritjet e tyre gjatë vitit të kaluar.

Ceremonia u moderua nga Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili theksoi sfidat me të cilat vazhdon të përballet atletika.

“26 vite pas luftës, zhvillojmë aktivitete në fusha të improvizuara. Uroj që të paktën nga këto Lojëra Mesdhetare, atletika të jetë njëra prej përfituesve më të mëdha sepse e meriton. T’i thuash dikujt që nuk kemi akoma stadium të atletikës është keqardhje”, u shpreh ai.

Më pas, presidenti i federatës, Halil Sylejmani, foli për punën dhe zhvillimin e atletikës gjatë vitit 2025, transmeton Kosova Press.  “Vitin që lamë pas nisëm me një vizion të qartë dhe ambicie të mëdha.

Përpos organizimit të mbi 20 garave vendore që përfshijnë të gjitha grupmoshat, duke filluar nga U10 deri te veteranët, kemi punuar sistematikisht dhe intensivisht dhe kemi arritur realizimin e planeve zhvillimore që synojnë arritjen e cilësisë së atletikës në çdo komunë.

Një fokus të veçantë iu është kushtuar masivizimit përmes projekteve të identifikimit të talenteve. Kemi vizituar shkolla, duke e dërguar atletikën aty ku lindin kampionët e së ardhmes”, deklaroi Sylejmani.

Çmimet u ndanë në të gjitha grupmoshat, ndërsa në kategorinë e seniorëve laureatët ishin:

Seniorët – Femrat
Gresa Bakraqi
Medina Kutlleshi
Ejona Shala

Seniorët – Meshkujt
Muhamet Ramadani
Leon Thaçi
Alaudin Sumo

Federata theksoi se synimi mbetet ngritja e mëtejshme e cilësisë dhe krijimi i kushteve më të mira për atletët në vitet në vijim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat