Atleti zviceran Simon Ehammer dhe atletja britanike Keely Hodgkinson janë votuar si Atletët e Muajit mars 2026 në kategoritë për meshkuj dhe femra.
Pesë atlete dhe pesë atletë meshkuj u nominuan për këtë çmim, bazuar vetëm në arritjet e tyre gjatë muajit mars, ndërsa votimi u zhvillua gjatë javës në faqen zyrtare të Federatës së Atletikës Evropiane.
Ky ishte muaji i dytë radhazi që Keely Hodgkinson u shpall Atletja e Muajit, ndërsa Simon Ehammer pason Emmanouil Karalis, i cili në muajin shkurt kishte kaluar lartësinë 6.17 metra në kërcimin me shkop.
Simon Ehammer bëri histori gjatë Kampionatit Botëror, të mbajtur në rajonin Kujaëy-Pomerania, duke thyer rekordin botëror të Ashton Eaton prej 6645 pikësh, me rezultat të ri prej 6670 pikësh.
25-vjeçari ishte në rrugë të mirë për të përmirësuar rekordin evropian të Sander Skotheim prej 6558 pikësh pas një dite të parë të shkëlqyer, por një ditë e dytë edhe më e fortë e shtyu yllin zviceran drejt rekordit botëror.
Ehammer e nisi mëngjesin e ditës së dytë me një rezultat rekord personal dhe më të mirin në botë në garën 60 metra me pengesa, duke realizuar kohën 7.52 sekonda.
Më pas ai kaloi 5.30 metra në kërcimin me shkop në përpjekjen e tretë, rezultati më i mirë i tij ndonjëherë në një garë të disiplinave të kombinuara, duke e bërë rekordin botëror pothuajse të sigurt.