Për të 23-tën herë në histori u mbajt Maratona e Murit të Madh Kinez.
Një garë që bëri bashkë atletë nga më shumë se 50 vende të ndryshme të botës. Rreth 1,500 vrapues nga më shumë se 50 vende të botës morën pjesë në edicionin e 23-të të Maratonës së Murit të Madh në Kinë.
Sipas organizatorëve, në një nga garat më sfiduese të këtij sporti morën pjesë gjithsej 1,485 vrapues, të cilët konkurruan në tri kategori: maratonën e plotë, gjysmëmaratonën dhe vrapimin argëtues prej 8.5 kilometrash. Pista më e gjatë përfshinte kalimin në 5,164 shkallë guri të fortifikimit historik, si dhe rrugë malore e zona rurale.
Maratona e Murit të Madh, e organizuar për herë të parë në vitin 1999 me rreth 350 pjesëmarrës, është kthyer ndër vite në një ngjarje ndërkombëtare që ka tërhequr mijëra sportistë nga e gjithë bota.
Organizatorët e cilësojnë itinerarin si një nga më të vështirët në botë për shkak të shkallëve të pabarabarta prej guri dhe ngjitjeve të pjerrëta që sfidojnë qëndrueshmërinë fizike të garuesve.
Në edicionin e këtij viti, 493 vrapues morën pjesë në maratonën e plotë, 504 në gjysmëmaratonë dhe 388 në garën argëtuese. Numri më i madh i pjesëmarrësve të huaj erdhi nga Shtetet e Bashkuara, me 138 vrapues.