Sonia O'Sullivan ishte në kulmin e formës së saj në Kampionatin Evropian të atletikës në Budapest më vitin 1998, ku irlandezja shfaqi një nga shpejtësitë më të madhe në finish që ishte parë deri atëherë në garat e distancave për femra.
Në prag të Birmingham 2026, që zhvillohet nga 10 deri më 16 gusht, po rikujtohen 26 momente klasike nga Kampionatet Evropiane të atletikës, përfshirë suksesin e dyfishtë te O’Sullivan në Budapest 1998.
Gjithçka po shkonte në mënyrë perfekte për Sonia O’Sullivan në mesin e viteve 1990, në prag të Lojërave Olimpike të Atlantës 1996.
Por më pas erdhi dita e finales së 5000 metrave dhe O’Sullivan, e cila ishte e pamposhtur gjatë vitit 1996 para Olimpiadës dhe konsiderohej favorite e mundshme si për titullin në 1500 metra ashtu edhe në 5000 metra, u detyrua të ndalej për shkak të një problemi në stomak. Vetëm pak ditë më vonë, ende e parekuperuar plotësisht, një O’Sullivan e zhgënjyer u eliminua edhe në kualifikimet e 1500 metrave.
As sezoni i vitit 1997 nuk solli fat më të mirë. Ajo përjetoi zhgënjimin e eliminimit në bateritë e 5000 metrave si kampione në fuqi në Kampionatin Botëror të Atletikës në Athinë.
Por pas dy sezonesh të vështira, irlandezja e kishte rikthyer formën e saj të artë pikërisht në kohë për Kampionatin Evropian të Atletikës në Budapest më 1998.
Suksesi i saj i parë në Budapest erdhi në një disiplinë në të cilën ajo nuk kishte garuar kurrë më parë: 10,000 metra. Ishte vetëm hera e katërt që kjo disiplinë përfshihej në programin e Kampionatit Evropian të Atletikës – një iniciativë e nxitur nga vetë O’Sullivan pasi kishte analizuar kohët fituese të viteve të mëparshme duke shfletuar libra në një librari në Francë.
“Kur ia dhashë idenë Alanit [Storey, trajnerit tim], ai e pëlqeu shumë, por Kim [McDonald, menaxheri im] nuk ishte aq entuziast.
Ai mendonte: ‘Nuk ka asnjë mundësi që ajo të përqendrohet në këtë garë, do ta humbasë fokusin në mes të saj’”, kujtoi O’Sullivan në një intervistë për European Athletics në vitin 2020.