Ish boksieri i spikatur i Kosovës, Gazmend Gashi, tani e disa ditë e ka hapur qendrën sportive luftarake.
Synimi tij është që në një të ardhme të afërt të zbulojë e formojë edhe sportistë të kalibrit evropian.
“Me sportin e boksit kam filluar të mrrrem në vitin 2007.
Si një i ri më shumë energji dhe entuziazëm kisha nevojë që energjinë e tepërt ta shpenzoja në një sport, dhe ky sport që ma ofronte atë që dëshiroja ishte sporti i boksit, ku nevojitet shpenzim i madh kalorish, dhe ne si popull çdo herë kemi qenë të shtypur, por asnjëherë të stepur e të lëkundur për t'u dëshmuar si popull edhe në ato vite.

Mbështetjen e parë në rrugëtimin tim në sportin e boksit e kom pas prej familjes.
Në vitet e para vështirësitë kanë qenë të mëdha, kur dihet që në atë kohë ende, nuk ishte shpallur Pavarësia e Kosovës, ku nënkuptonte që asnjë federatë nuk ishte e pranuar me të drejta të plota në institucionet ndërkombëtare të sportit”, ka thënë Gashi.
Ish boksieri thotë se gjithmonë ka pasur motiv shtesë për punën së bashku me vëllaun binjak, Arianin.
“Motivi për punë dhe disiplina asnjëherë nuk kanë munguar, por një shtytje për vullnetin e kishte edhe vëllau im binjak, Ariani, i cili tani jeton dhe vepron në Gjermani, ku së bashku kemi filluar jetën sportive.
Në sport më qenë kampion disa vite nevojitet përkushtim maksimal, por se bashku me vëllaun jemi dëshmuar në të gjitha gjeneratat.
Të shpallesh 7 vite kampion i Kosovës dhe të dëshmohesh në disa turne ndërkombëtare nevojitet shumë punë, me aq mbështetje sa kishim me vëllaun asnjëherë nuk jemi ndalur”, tha me tej.
Gashi iu është mirënjohës edhe atyre që e ndihmuan.
“Falënderojë të gjithë trajnerët e gjeneratës së artë, të cilët më dhanë hapat e parë (bazë) në shkollën e boksit.
Me kalimin e viteve duke e parë situatën dhe mos mbështetjen e duhur, vendosa të tërhiqem nga boksi aktiv garues, duke e parë që në sportin elitar nevojitet përkushtim maksimal dhe fokusi duhet me qenë 100 për qind, jo që nuk kisha talentin sepse në atë kohë kam sfiduar kampion evropian e botëror.

Por në atë periudhë e kam parë të nevojshme të largohem dhe t'i kryejë disa obligime jetësore në punë dhe shkollim që në të ardhmen të bëhem një profesor dhe trajner sportiv i licencuar dhe i dëshmuar në vendin tonë.
Tani jam si trajner i licencuar në Federatën e Boksit të Kosovës, ku kam qenë 2 vite trajner për gjeneratat e reja në klubin e boksit Prishtina, por duke e parë menaxhimin jo të duhur të klubit, jam tërhequr.
Dhe së bashku më shokun dhe bashkëpunëtorin Butrintin i cili është kampion i dëshmuar i Kosovës në Taekwondo dhe Emirin instruktor në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe i shkolluar në Angli.
Kemi hapur qendrën inovative të sporteve individuale dhe biznesin sportiv e cila quhet “Cellactive” ku në kuadër të saj do hapim klubin “Fight Factory në këto shërbime: boks, taekwondo, kick-boks, Jiujitsu që do të ofrohen shërbime specifike të përgatitjes së përgjithshme fizike, ngritjen e nivelit sportiv, vetëdijesimin e rinisë në sport, dhe rekreacion.
Duke e parë sportet që janë pranuar në arenën ndërkombëtare dhe duke e parë mungesën e objekteve përcjellëse profesionale kemi parë të arsyeshme të ngrisim nivelin sportiv dhe edukativ në vendin tonë.
Çdo sport është shëndet, është jetë, e kur jemi aktiv më sport atëherë e mbajmë edhe trupin në nivel optimal.
Sporti largon prej punës së kotë, jep vendosmëri dhe vizion që çdo sukses në jetë, kërkon disiplinë dhe angazhim maksimal, sepse asgjë nuk arrihet për një ditë, një muaj dhe as një vit.
Sporti është fakultet, është shkencë në vete.
Koha e sportit ka ardhur me xhudon që na bën krenar gjithë shqiptarëve, dhe këtë rrugë e vizion do të vazhdohet nga ne”, përfundon Gashi.