Beqiri tërhiqet nga meçi

Boksi

Beqiri tërhiqet nga meçi

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 11:01
Alban Beqiri

Shqipëria vijon garat në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë, teksa dje ishte një ditë shumë e rëndësishme për boksin kuqezi.

Pasi kishte fituar duelin e parë kundër turkut Necat Ekinci në ndeshjen debutuese për peshat 69 kg, Alban Beqiri u ngjit mbrëmjen e djeshme në ring për sfidën çerekfinale ndaj algjerianit Jugurtha Ait-Bekka.

Një sfidë që vendoste edhe medalje, për vetë rregulloren e boksit, pasi kalimi në gjysmëfinale të dhuron minimalisht bronzin. Por dueli i djeshëm në “Oran 2022” u shoqërua me shumë polemika, kjo për shkak të arbitrimit.

Pas dy raundeve të para, të cilët gjyqtarët i akorduan në favor të boksierit vendës me rezultatin e ngushtë 10-9, trajnerët Zef Gjoni dhe Renato Kurti, në shenjë proteste vendosën që ta tërheqin boksierin Beqiri nga dueli në raundin e tretë.

Trajnerët së bashku me boksierin Beqiri kishin pakënaqësi të mëdha për të gjithë arbitrat, të cilët ishin të njëanshëm duke e mbajtur ndeshjen në favor të boksierit vendës.

Kështu, Beqiri e ndal mes shumë polemikash në gjysmëfinale rrugëtimin e tij në Lojërat Mesdhetare, në ditën kur festonte 28-vjetorin e lindjes.

Kujtojmë se Alban Beqiri mban rezultatin më të lartë të të gjitha kohërave në historinë e boksit shqiptar, teksa rreth një vit më parë si askush tjetër më parë arriti që të fitonte medaljen e bronzin në Kampionatin Botëror.

 Pas ndeshjes së Alban Beqirit gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me trajnerin e tij personal, Sead Bushatin. Ky i fundit në një prononcim të shkurtër evidenton arbitrimin e njëanshëm.

“Arsyeja e tërheqjes nga trajnerët atje ishte arbitrimi i keq gjatë dy raundeve të para, por sidomos në setin e dytë”, thotë Bushati. Megjithatë, trajneri shkodran që e stërvit Beqirin te skuadra e Tiranës, thotë se nëse do të kishte qenë në Oran, ai nuk do të kishte marrë vendim për ta tërhequr nga dueli:

“Po të isha atje nuk do ta merrja një vendim të tillë dhe do ta lija ta mbaronte ndeshjen deri në fund. Arbitrimi i dobët në Lojërat Mesdhetare u pa edhe me shumë boksierë të tjerë që u ndeshën me vendësit e Algjerisë”, thotë Sead Bushati.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat