Joshua i theu nofullën, ja sa do të qëndrojë jashtë ringut

Boksi

Joshua i theu nofullën, ja sa do të qëndrojë jashtë ringut

Më: 23 dhjetor 2025 Në ora: 19:19
Pamje nga dueli

Boksieri amerikan, Jake Paul, do të mungojë deri në nëntë muaj për shkak të komplikimeve nga thyerja e nofullës që pësoi gjatë humbjes brutale ndaj Anthony Joshua të premten e kaluar.

Paul u përball me dy herë kampionin e botës në peshat e rënda dhe u dorëzua pas një goditjeje të fortë të djathtë që e rrëzoi në tapet.

Pas ndeshjes, Paul zbuloi se kishte thyer nofullën në dy vende dhe u dërgua në spital për operacion. Ai postoi më pas foto nga shtrati i spitalit dhe deklaroi se do të duhet të ndjekë një dietë të lëngshme për një javë.

Sipas raportimeve të Daily Mail, thyerjet e nofullës kalojnë pranë rrënjëve të dhëmbëve, dhe Paul do të ketë nevojë për implante dentare.

Megjithatë, përpara këtij trajtimi, ai duhet të presë rreth tre muaj për shërimin e thyerjeve.

Për më tepër, ai mund të jetë i detyruar të vendosë kurora mbi implantet, proces që mund të zgjasë edhe gjashtë deri në shtatë muaj të tjerë.

Kjo situatë e bën rikuperimin e tij shumë të gjatë dhe të ndërlikuar, duke e mbajtur jashtë ringut për një periudhë të konsiderueshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat