Boksieri Ardian Krasniqi është i vendosur të luftojë për titullin botëror në boks, duke ndjekur gjurmët e xhaxhait të tij, Luan Krasniqi, i cili humbi ngushtë një duel dramatik ndaj superyllit amerikan Lamon Brewster në Hamburg në vitin 2005.
Pikërisht për këtë arsye, kompania e tij e boksit, Primetime Promotion, organizon mbrëmjet e boksit nën moton “Showdown for Legacy”.
“Tashmë është zyrtare: “Showdown for Legacy” do të zhvillojë edicionin e katërt, ku Ardian Krasniqi do të luftojë për herë të parë për titullin e Kampionit të Evropës”, shkruan media gjermane Bild”.
“Po planifikojmë edhe dhjetë deri në dymbëdhjetë ndeshje në nivelin më të lartë ndërkombëtar,” ka deklaruar drejtuesi i Primetime, Klaus Müller.
Vëmendja kryesore do të jetë sërish tek Krasniqi. Kampioni aktual Interkontinental i WBO-së do të jetë në qendër të spektaklit më 27 qershor në MHP Arena.
Boksieri nga Rottweil, i renditur i pesti në ranglistën botërore të WBO-së, synon titullin e tij të parë evropian para publikut vendas. Kundërshtari ende nuk është konfirmuar, por negociatat janë në fazë të avancuar.
Krasniqi synon titullin evropian në Ludwigsburg.
“Është konfirmuar gjithashtu se më 27 qershor në Ludwigsburg do të ketë edhe duele të tjera për tituj. Bujar Tahir do të luftojë për titullin Interkontinental, ndërsa Viktor Cakiqi për titullin Kontinental. Arian Ejupi do të përballet me Allen Bauer, ndërsa Michael Rigas do të rikthehet gjithashtu në ring atë mbrëmje.
Aktualisht, Krasniqi, Tahir dhe Cakiqi janë boksierët numër një në Gjermani në kategoritë e tyre përkatëse”, shkruan mes të tjera media gjermane.