Xhavit Visoka: Është gjynah që të shkojmë me katër boksierë dhe të eliminohemi që në rrethin e parë

Boksi

Xhavit Visoka: Është gjynah që të shkojmë me katër boksierë dhe të eliminohemi që në rrethin e parë

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 2 shtator 2026 Në ora: 16:37
Xhavit Visoka

Ish-boksieri i mirënjohur, Xhavit Visoka, ka folur për shumë çështje që lidhen me boksin, duke nisur nga koha e tij si boksier i klubit me renome Prishtina, e deri te shikueshmëria dhe gjendja aktuale e këtij sporti.

Visoka ka lavdëruar suksesin e Donjeta Sadikut, e cila fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 60 kilogramë në Lojërat Mesdhetare, por ka shprehur zhgënjimin e tij që katër boksierë të tjerë u eliminuan që në start të garës në Taranto.

Visoka ka kërkuar që sponsorët të investojnë sa më shumë në boks, pasi, sipas tij, investimi do të sillte edhe rezultate. 

Image

Synimi i tij është që boksi në Kosovë të rikthejë namin dhe shkëlqimin që gëzonte dikur.

Ai ka përmendur gjithashtu rekordin e shikueshmërisë në Kampionatin Individual të Kosovës në Ferizaj, rekord që, sipas tij, nuk është thyer asnjëherë deri më tani.

“Bota sot”: Si e sheh boksin sot dhe të pasluftës? 

Xhavit Visoka: Unë e shoh boksin e pasluftës të paavancuar. Fatkeqësisht, kam qenë unë gjenerata më e pafat e boksit shqiptar, prej se ekziston boksi në shqiptari.

Prej kur jemi shtet më të vërtetë, është mëkat i madh. Kosova ka më shumë se 100 boksierë meshkuj dhe mos me qenë në gjendje një prej tyre me sjellë një medalje të artë, të paktën të bronztë, prej Lojërave Mesdhetare. Është tmerr.

“Bota sot”: A ka Kosova talentë të këtij sporti?

Xhavit Visoka: Kosova ka talentë shumë të mirë, shumë të fortë, shumë të spikatur, më të vërtetë mungon përkrahja. Po flas për veten, për klubin tim, ‘Visoka Universum Boxing’.

Subvencionet prej komunës nuk ka, sponsorë ka shumë pak. Me pas fat mu lajmëruar edhe një sponsor, Ministria e Sportit ta refuzojnë. Nuk japin arsye, ta refuzojnë, është tmerr.

“Bota sot”: A keni pritur më shumë nga boksi në Lojërat Mesdhetare?

Xhavit Visoka: Nga Lojërat Mesdhetare kam pritur të paktën dy medalje. I njoh këta katër boksierë që kanë marrë pjesë.

Në përgjithësi sport, më mirë me pas fat se sa suksese. Me të vërtet nuk patën fat dhe përgatitjet mungojnë. Kanë munguar me të vërtetë përgatitjet, është shumë pak për Lojërat Mesdhetare me pas përgatitje brenda me një klub, është pa komet.

“Bota sot”: A mendoni se gjenerata e juaj ka qenë më e pafat në histori, ku iu mohua e drejta boksierëve dhe sportistëve tanë nga faktori ndërkombëtar për të garuar në garat evropiane për më shumë se 14 vite në vitet e pasluftës, duke llogaritur edhe 9 vitet e okupimit nga regjimi serb, gjithsej 22-23 vite?

Xhavit Visoka: Unë mendoj se gjenerata jonë, gjenerata ime, ishte e pafat, sepse na është mohuar çdo e drejtë për pjesëmarrje në Kampionatin Ballkanik, Lojërat Mesdhetare, Kampionatet Evropiane dhe Botërore, si dhe në Lojërat Olimpike.

E them me plot kuptimin e fjalës dhe me vetëdije të plotë, po të kishim pasur të drejtë të merrnim pjesë në çdo Kampionat Ballkanik, Lojëra Mesdhetare, Kampionat Evropian, Botëror dhe në Olimpiadë, duke parë tani nivelin dhe kundërshtarët me të cilët përballen boksierët, unë vazhdimisht do të isha kthyer me medalje të arta.

Për këtë ju garantoj pa asnjë dyshim.

“Bota sot”: Po të ishte gjenerata e juaj siç ishit pas luftës, ku do të ishte boksi me rezultate në garat ndërkombëtare?

Xhavit Visoka: Po të ishte gjenerata ime, me të drejta siç kanë sot, çdo kampionat kisha sjellë medalje të artë.

Po ashtu, ka pasur boksierë të rangut shumë të lartë. Nuk dua të teproj, po të kishim marrë pjesë, për shembull, ajo gjenerata ime e cila ka qenë atëherë, diku deri në dhjetë boksierë, të paktën me tetë medalje ishim kthyer në Kosovë.

“Bota sot’: Tash jeni në zejen e trajnerit.

Xhavit Visoka: Unë qe pesë vite e kam klubin tim, ‘Visoka Universum Boxing’. Kam disa talente shumë të mirë, po më vjen vërtet gjynah me i shti e me marrë pjesë nëpër gara, ku nuk ka as premia, as të paktën bile rrugën apo ushqimin me ia paguar. Askush nuk i hyn asaj pune. Është gjynah me i çu me shpenzimet e veta, një medalje dy euro apo tri euro sa kushton, apo një mirënjohje.

Në anën tjetër, ju duhet gjithsesi meçe, përvojë, po më vjen gjynah me i shti, sepse të paktën duhet një mëditje apo premi të vogël me ia dhënë motiv boksierëve. Unë jam duke i përgatitur disa boksierë që do të marrin pjesë në gara, në turne evropiane, dhe shumë shpejt pritet edhe rezultate.

“Bota sot”: Pse në vitet e pasluftës kishte shikueshmëri rekorde në boks?

Xhavit Visoka: Pas luftës kemi pasur shikueshmëri të madhe. Po e përmend Kampionatin Individual pas luftës, i cili ishte mbajtur më 15 maj në Ferizaj, ku kanë qenë afër 6 mijë shikues.

Në kohën kur boksoja unë, sallat mbusheshin plot. Njerëzit shkonin për të parë boks, jo “ikje e ledhatime”, balet apo duke vallëzuar. Ata kanë parë boks shqip.

Tash nuk ka më atë lloj boksi, atë boks që dikur e mbushte sallën.

Kjo mungon.

Po presim dhe shpresoj që kudo të dalin gjenerata të reja, të cilat me të vërtetë do ta kthejnë namin e boksit në Kosovë.

“Bota sot”: Cila është porosia juaj?

Xhavit Visoka: Porosia ime është, para së gjithash, t’i bëj thirrje çdo kryetari të komunës: mos t’i keqpërdorin subvencionet.

E them me plot kuptimin e fjalës, mos t’i keqpërdorin subvencionet e klubeve sportive, por t’ua japin ato subvencione që i takojnë çdo klubi sportiv.

E lus MSR-në që të bëjë më shumë përkrahje dhe të kontrollojë përmes një komisioni mënyrën se si po refuzohen sponsorët.

Gjithashtu, e lus MSR-në që t’i përkrahë më shumë sportet individuale, sidomos sportet luftarake dhe boksin, sepse talentet i kemi, por boksin e kanë lënë shumë anash.

Rezultatet që po i sjell Donjeta Sadiku, e cila është përkrahur nga MSR-ja, janë dëshmi e kësaj. Kur ka përkrahje, ka edhe rezultate.

Porosia ime për sponsorët, të cilët e adhurojnë dhe e simpatizojnë boksin, është që ta përkrahin më shumë këtë sport. Përmes sponsorizimit ata edhe lirohen nga tatimet, ndërsa në të njëjtën kohë mund t’i shohin edhe vetë rezultatet që sjell përkrahja e tyre.

Unë mendoj se boksin e kemi pasur gjithmonë në gjak. Jemi një popull që e kemi boksin si traditë. Është vërtet gjynah që të shkojmë me katër boksierë në një garë dhe të eliminohemi që në rrethin e parë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat