Barazia gjinore ende problem global

Bota

Barazia gjinore ende problem global

Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 00:40
Gjatë pandemisë pjesa më e madhe që humbën vendet e punës ishin femra

Pandemia e koronavirusit mund të zhdukë punën e bërë nga institucionet ndërkombëtare për të rritur barazinë gjinore. Të dhënat vijnë nga Enti i Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizimin e Grave.

Gratë po bëjnë dukshëm më shumë punë shtëpiake dhe po kujdesen gjithnjë e më shumë për familjen, kjo edhe për shkak të pandemisë.

Zëvendës Drejtoresha e UN Women, Anita Bhatia, ka deklaruar se gjithçka për të cilën është punuar mund të humbasë brenda një viti. Mundësitë për t’u punësuar dhe arsimuar mund të humbin dhe gratë mund të vuajnë sëmundje dhe të kenë shëndet shumë të dobët mendor, por edhe fizik.

Edhe para pandemisë u vlerësua se gratë po bënin rreth tre të katërtat e 16 miliardë orëve të punës së papaguar që bëhen çdo ditë në të gjithë botën. Me fjalë të tjera, para koronavirusit, për çdo një orë punë të papaguar të bërë nga burrat, tre orë bëheshin nga gratë. Tani kjo shifër është më e lartë.

38 sondazhet e kryera nga UN Women kryesisht u përqendruan në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas asaj që raporton BBC, më alarmant është fakti se shumë gra në të vërtetë nuk po kthehen në punë. Vetëm në muajin Shtator, në SHBA 865,000 gra lanë punën, në krahasim me 200,000 burra. Ato punuan nga shtëpia ndërsa pjesa tjetër humbën vendin e punës dhe filluan të kujdeseshin për fëmijët.

UN Women paralajmëron që efekti për të patur më pak gra në vendin e punës me kalimin e kohës do të jetë i tmerrshëm jo vetëm në mirëqenien e grave, por edhe në përparimin dhe pavarësinë e tyre ekonomike.

Pandemia ka treguar se puna e papaguar në të vërtetë po pengon mundësitë e rritjes së punësimit te ato gra që mbajnë barrën kujdesit kryesor.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, si dhe ato për të drejtat e grave u kanë bërë thirrje qeverive dhe bizneseve që të zbatojnë masa të tilla si leja shtesë familjare, ose leja shtesë me pagesë dhe mbajtja hapur e qendrave të kujdesit për fëmijët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat