Ankaraja në kërkim të një marrëdhënie të re me Uashingtonin

Bota

Ankaraja në kërkim të një marrëdhënie të re me Uashingtonin

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 19:57
Rexhep Tajip Erdogan

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po bën thirrje për një pikënisje të re në marrëdhëniet SHBA - Turqi. Marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s kanë qenë të tensionuara, veçanërisht lidhur me thellimin e lidhjeve të Ankarasë me Moskën dhe blerjen e një sistemi rus të raketave .

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po bën thirrje për një marrëdhënie të re me Shtetet e Bashkuara nga e cila të dyja vendet mund të përfitojnë.

“Marrëdhëniet me Uashingtonin kanë qenë një burim i madh legjitimiteti në politikën e brendshme turke. Është e vështirë për të huajt apo amerikanët ta kuptojnë se udhëheqësit turq dhe madje edhe opozita krenohen gjithmonë me faktin se ata kanë lidhje të ngushta me Uashingtonin”, thotë Asli Aydintasbas nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Zoti Erdogan gëzonte një marrëdhënie të ngushtë me administratën e Presidentit Trump. Por dënimi nga administrata e Presidentit Biden i shtypjes së protestave të fundit universitare shihet si një tregues i një qëndrimi më të ashpër amerikan ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi.

Gjithashtu, Presidenti Biden ende nuk e ka marrë në telefon homologun e tij turk që nga fitorja e tij në zgjedhjet e nëntorit, që analistët thonë se është një shenjë e rolit të zvogëluar të Turqisë në sytë e Uashingtonit.

“Dora e tyre është shumë më e fortë se sa katër ose pesë vjet më parë kundrejt Turqisë. Turqia nuk ka shumë për t'u ofruar Shteteve të Bashkuara në këmbim të një statusi të avancuar ose një roli të zgjeruar në planet e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme dhe në botë", thotë për Zërin e Amerikës, studiuesi Serhat Guvenc nga Universiteti Kadir Has.

Blerja nga ana e Ankarasë e sistemit rus të raketave S-400, për të cilën Uashingtoni thotë se komprometon sistemet mbrojtëse të NATO-s, ka hedhur dyshime mbi besueshmërinë e Turqisë mes aleatëve të saj perëndimorë, megjithëse mbështetësit e Erdoganit e hedhin poshtë këtë.

“Marrëdhëniet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara janë më të mëdha se këto raketa, në krijimin e një rendi të ri botëror. Unë besoj se Turqia ka nevojë për Amerikën dhe Amerika ka nevojë për Turqinë. Gjëja më e rëndësishme në këtë çështje është tejkalimi i mungesës së tanishme të besimit dhe rikthimi i tij në shkëmbimet mes dy palëve", thotë këshilltari i presidentit turk, Mesut Casin.

Ankaraja ka sugjeruar vendosjen e raketave të saj S-400 në një depo, një veprim i kundërshtuar deri tani nga Uashingtoni. Por analistët sugjerojnë se Ankaraja gjithashtu duhet të jetë e kujdesshme me Moskën.

“Turqia është e përfshirë në sfera të ndryshme jashtë kufijve të saj, dhe në secilën prej tyre ata mendojnë se duhet të punojnë me Rusinë. Por ata gjithashtu janë në anët e kundërta të konflikteve. Unë e kam fjalën për çështjet si Libia, Azerbajxhani, dhe sigurisht Siria”, thotë Asli Aydintasbas nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Shmangia e një eksodi të ri të refugjatëve sirianë drejt Turqisë shihet nga Ankaraja si një qëllim kryesor në bashkëpunimin e vazhdueshëm turko-rus.

Luftëanijet ruse që kthehen nga Siria kalojnë rregullisht pranë Stambollit gjatë udhëtimit të tyre drejt Rusisë, duke shërbyer si një kujtesë e veprimit gjithnjë e më të ndërlikuar të ekuilibrimit me të cilin përballet Ankaraja në përpjekjen e saj për të rivendosur marrëdhëniet me Uashingtonin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat