Shtetet e Bashkuara vlerësojnë bisedimet indirekte për Iranin

Bota

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë bisedimet indirekte për Iranin

Më: 10 prill 2021 Në ora: 16:48
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price

Megjithë paralajmërimet se nuk pritet ndonjë kthesë e shpejtë, zyrtarët amerikanë dhe ata iranianë po lavdërojnë bisedimet indirekte në Vjenë. Synimi është rikthimi i marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore me Iranin të arritur në vitin 2015.

Këtë javë në Vjenë, zyrtarët amerikanë dhe ata iranianë qëndruan në hotele të veçuara. Në vazhdim u takuan veçmas me palët e tjera që nënshkruan marrëveshjen bërthamore të 2015-tës: Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe Kinën.

Uashingtoni dhe Teherani i përshkruan diskutimet si “konstruktive”. Këto janë bisedimet e para indirekte mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që kur Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018, nën drejtimin e ish-Presidentit Donald Trump.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se për momentin nuk priten negociata të drejtpërdrejta, por se Shtetet e Bashkuara janë të hapura ndaj kësaj ideje.

Kur u pyet për pengesën e parë madhore – secila palë dëshiron që pala tjetër të hedhë hapin e parë – zoti Price përmendi dërgimin në Vjenë të të Dërguarit Special amerikan Rob Malley dhe zyrtarë të tjerë të lartë, për t’i zgjidhur gjërat diplomatikisht. Ai theksoi nevojën për kompromis.

“Na lë aty ku filluam, me vetëdijen se kërkesat maksimaliste ndoshta nuk do të na çojnë askund”, tha zoti Price.

Bisedimet kanë tërhequr shumë vëmendje në Iran, ku qytetarët megjithëse të kujdesshëm për t’u shprehur në publik, janë duke shpresuar për një lehtësim ekonomik nga sanksionet e rënda perëndimore.

Diplomatët në Vjenë kanë krijuar dy grupe pune. Njëri grup do të punojë për rikthimin e Iranit tek zbatimi i kushteve për programin e tij bërthamor, dhe grupi tjetër do të shqyrtojë se cilat sanksione mund të lehtësojnë Shtetet e Bashkuara.

Barbara Slavin, e Këshillit të Atlantikut, thotë se Presidenti Joe Biden mund ta risjellë në jetë marrëveshjen bërthamore.

“Demokratët kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit. Dhe (ish-Presidenti) Donald Trump mund të na ketë ndihmuar duke u tërhequr unilateralisht nga marrëveshja ndërkohë që Irani po e zbatonte. E bëri kështu marrëveshjen edhe më popullore”, thotë ajo.

Heinz Gartner, nga Instituti Austriak për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, thotë se një pakt strategjik bashkëpunimi i arritur mes Iranit dhe Kinës, me një afat 25-vjeçar dhe me një vlerë prej 400 miliardë dollarësh, i ka nxitur më shumë palët për të rikthyer marrëveshjen me Iranin.

“Me Kinën tani kemi fenomenin interesant që u ra dakort me Iranin për këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, për ekonominë madje edhe për kulturën. Indirekt, ky ishte presioni që ndjenë edhe amerikanët”, thotë zoti Gartner.

Gjatë një takimi të qeverisë të mërkurën, Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se bisedimet përfaqësojnë një “kapitull të ri” dhe se të gjitha palët e përfshira pranojnë se marrëveshja, e njohur me emrin Plani i Veprimit të Përbashkët Gjithëpërfshirës, është e vetmja mënyrë për të ecur përpara.

Disa ekspertë mendojnë se ekziston shansi për të risjellë marrëveshjen bërthamore përpara se Irani të zhvillojë zgjedhjet presidenciale më 18 qershor./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat