Drejtori i OBSH-së kritikon ashpër "nacionalizmin e vaksinave"

Bota

Drejtori i OBSH-së kritikon ashpër "nacionalizmin e vaksinave"

Më: 23 prill 2021 Në ora: 14:51
Tedros Adhanom Ghebreyesus

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është shprehur me kritika të forta ndaj vendeve të fuqishme që gllabëruan vaksinat kundër COVID-19.

Zoti Tedros Adhanom Ghebreyesus shkruan në një koment të botuar në gazetën New York Times se “nacionalizmi i vaksinave” ka dobësuar nismën e COVAX-it, të krijuar nga OBSH-ja për t’u ofruar vaksina vendeve me të ardhura modeste. Në realitet, “një dorë vendesh të pasura po gllabërojnë sasitë e disponueshme, pasi prodhuesit ua shesin atyre që bëjnë ofertat më të mira, ndërsa pjesa tjetër e botës vërtitet për të kapur thërrimet”. Kjo, shprehet drejtuesi i OBSH-së, ruan një raport patronazhi në botë, duke i mbajtur vendet e varfra në të njëjtën pozitë të disfavorshme.

Megjithëse në shumë vende të botës po intensifikohen ritmet e vaksinimit ndërsa ka kaluar një vit që nga përhapja globale e pandemisë, një numër vendesh po hasin në një krizë akute me rritjen e shpejtë të infektimeve.

Autoritetet indiane thanë të premten se kanë regjistruar mbi 332,000 raste të reja në një periudhë 24 orëshe, një shifër e re rekord për këtë vend.

Të paktën gjashtë spitale në Nju Delhi nuk kanë më ose janë në prag të mbarimit të respiratorëve për pacientët.

Mungesa akute e oksigjenit për të shtruarit në spitale bëri që gjykata e lartë të japë urdhër për të kaluar një pjesë të oksigjenit që përdoret nga industria tek spitalet në nevojë.

Sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, India ka regjistruar në total mbi 16 milionë raste me koronavirus, duke u renditur e dyta në botë pas Shteteve të Bashkuara.

Ndërkaq, Japonia është pranë shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si rezultat i përhapjes së shpejtë të infeksioneve të reja vetëm pak muaj para çeljes së Lojërave Olimpike të Tokios.

Japonia ka diagnostikuar në total më shumë se 558,000 raste me koronavirus dhe mbi 9800 të vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat