Pandemia e plastikës

Bota

Pandemia e plastikës

Më: 20 qershor 2021 Në ora: 21:24
Foto ilustrim

E mbajtur mbi mjekër apo e vënë siç duhet, e shpërndarë bujarisht në shkolla dhe vendet e punës, e shitur kudo me një çmim të kontrolluar, maskat e fytyrës janë tani një konstante në jetën e miliarda njerëzve.

Gjatë muajve të parë të pandemisë, kur maskat ishin ende të pa disponueshme për shumë njerëz, ato ishin tashmë një imazh i zakonshëm midis mbeturinave që pluskonin në brigjet e lumenjve dhe deteve tanë.

Por veshjet mbrojtëse – jo vetëm maskat, por edhe dorezat, përparëset etj- janë vetëm një faktor në rritjen e konsumit të plastikës për shkak të pandemisë. Përveç përdorimit të ambalazheve të lehta, ndërmjet blerjeve në internet dhe masave paraprake të higjenës, po shtohen ndjeshëm edhe mbetjet spitalore.

Ndërkohë, muajt e shumë të mbylljes e kanë goditur rëndë zinxhirin e furnizimit të industrisë së riciklimit. Dhe rënia e çmimit të naftës, e nevojshme për të prodhuar plastikë të re ka bërë pjesën tjetër. Ky vit duhej të ishte pikë kthese për Evropën.

Në korrik, do të hyjë në fuqi direktiva që kufizon përdorimin e plastikës një përdorimëshe, si pjesë e një strategjie ambicioze të tranzicionit drejt një ekonomie të riciklimit. Gjithsesi, 2021 ka rezultuar të jetë viti ku njerëzimi e kuptoi varësinë e tij të rrezikshme nga plastika.

Ndërsa askush nuk e di me saktësi se sa pajisje mbrojtëse personale janë përdorur që nga shfaqja e Covid-19, xhiroja vjetore nga prodhimit i maskave të fytyrës është shumëfishuar me rreth 200 herë, nga 800 milionë në 166 miliardë dollarë në një vit.

Disa muaj më parë, studiuesit vlerësuan se në vitin 2020, rreth 129 miliardë maska ​​përdoren çdo muaj në mbarë botën, përveç pajisjeve të tjera mbrojtëse (doreza, skafandër, përparëse) me shifra më të ulëta, por sërish mbresëlënëse. Vazhdimi i pandemisë, dhe numri në rritje i vendeve që kërkojnë përdorimin e maskave, e kanë bërëvlerësimin e lartpërmendur të duket shumë optimist.

Studimet më të fundit flasin për 7 miliardë pajisje mbrojtëse që përdoren çdo ditë në nivel global, pra 210 miliardë copë çdo muaj. Kontinenti evropian, harxhon rreth 1 miliardë copë maska në ditë. Për sa i përket peshës (një maskë peshon rreth 3 gram), vetëm në Bashkimin Evropian, rreth 1600 ton maska ​​përfundojnë si mbeturina çdo ditë.

Sipas këtyre llogarive, ne mund të vlerësojmë peshën e maskave të përdorura çdo vit në BE  në rreth gjysmë milioni ton: një shifër që korrespondon me rreth 8 për qind të plastikës që përfundoi në vend-depozitimet gjatë viteve të fundit (7.25 milion ton në 2018).

Nëse të gjitha maskat do të përfundonin në këto vend-depozitime (në fakt, një pjesë e madhe digjet) ato do të mjaftonin, për të na kthyer në nivelet e rreth 10 viteve më parë. Në mënyrë paradoksale, maskat e fytyrës prodhohen kryesisht nga polipropileni, një material i riciklueshëm.

Por për të shmangur rrezikun e infektimit, ato nuk mund të mblidhen për riciklim. Për më tepër, duke pasur parasysh lehtësinë dhe përdorimin e tyre të kudondodhur, është e pashmangshme që disa nga pajisjet mbrojtëse të përfundojnë në mjedis.

Sipas një raporti të WWF të bërë publik gjatë valës së parë, nëse edhe vetëm 1 për qind e maskave shpërndahen aksidentalisht në mjedis, kjo nënkupton 10 milionë ton mbetje në muaj që ndotin livadhet, pyjet, përrenjtë dhe detet. Në fakt, vlerësimet për hedhjen e mbeturinave, që është pjesa e mbeturinave të shpërndara, flasin për 2 për qind në vendet e Hemisferës Veriore. Pra vetëm në Bashkimin Evropian, po flasim midis 16-32 ton në ditë.

Që në muajt e parë të vitit 2020, shumë plazhe të Oqeanit Paqësor ishin mbushur plot me maska ​​të sjella nga deti. Që atëherë, sasia vetëm sa është rritur. Në përgjithësi ato kanë tendencën të notojnë mbi ujë, por maskat më të rënda zhyten ose mbeten pezull në të gjitha thellësitë.

Shkencëtarët kanë zbuluar tashmë peshkaqenë, breshka, gjitarë detarë dhe zogj që i kanë gllabëruar në trupat e tyre, ndërsa shumë organizma të tjerë janë shpesh viktima të kordoneve elastike që përdorin maskat për t’i mbajtur të puthitura pas fytyrës.

Si të gjitha plastikat që përfundojnë në det, ato shpërbëhen gradualisht në mikroplastikë (veçanërisht mikrofibrat), dhe mund të përfundojnë në zinxhirin ushqimor të shumë specieve,dhe të shndërrohen shumë shpejt sipas disa shkencëtarëve, në burimin nr.1 të mbeturinave në oqeane.

Disa do të përfundojnë në sedimente detare, duke qenë një dëshmi e pandemisë për epokat e ardhshme gjeologjike. Për vite me radhë, paketimi është burimi më i madh i mbetjeve plastike. Në Bashkimin Evropian, ai thith 40 për qind të gjithë kërkesës për plastikë.

Pas krizës ekonomike të vitit 2008, plastika e përdorur për paketim u rrit mesatarisht 2 për qind në vit, duke i tejkaluar 14 milionë tonë në vitin 2019. Tani, pas pandemisë, paketimi do ta përshpejtojë më tej ecurinë e tij.

Vitet e fushatave ndërgjegjësuese kundër paketimit të tepërt, sidomos në sektorin e ushqimit, nuk kanë bërë asgjë përballë frikës së infektimit nga virusi. Dhe nga të gjitha materialet e mundshme, zgjidhja e preferuar ishte plastika, e perceptuar (më shumë gabimisht, sesa me të drejtë) si më higjenike.

Rritja më e madhe, do të drejtohet nga zhvillimi i jashtëzakonshëm i tregtisë përmes internetit. Në tremujorin e dytë të vitit 2020, shitjet dixhitale u rritën me 71 përqind, dhe 55 për qind në tremujorin e tretë. Sipas kompanisë së konsulencës “Markets and Markets”, shkalla vjetore e rritjes së sektorit të paketimit do të jetë 5.5 për qind në të gjithë botën, pra 100 miliardë dollarë më shumë sesa në vitin 2019.

Paketimet higjienike dhe sanitare dhe blerjet në internet, do të jenë ato që do e shtojnë rritjen në këtë sektor. Është e vështirë të thuhet se sa mbetje do të prodhohen, por e sigurt është se shifrat nuk do të jenë të papërfillshme.

Siç mund të imagjinohet, mbetjet e sektorit shëndetësor janë rritur në mënyrë dramatike që nga shpërthimi i pandemisë. Në Vuhan, mbeturinat sanitare në muajt e parë të vitit 2020, u rritën me 6 herë krahasuar me vitin e kaluar. Edhe vendet evropiane, përjetuan një rritje të krahasueshme gjatë javëve në vijim.

Sipas studimit të lartpërmendur, 70.000 ton mbeturina sanitare prodhohen aktualisht në të gjithë kontinentin evropian. Vetëm për Bashkimin Evropian, prodhohen rreth 40.000 ton, ose 6-7 herë më shumë se sa në kohën para-pandemisë.

Nga ana tjetër, rënia e çmimit të naftës, e bëri shumë fitimprurës prodhimin e plastikës së re. Situata e zinxhirit të furnizimit për industrinë e riciklimit në Evropë është përkeqësuar aq shumë që nga fillimi i pandemisë, saqë Tom Emans, president i shoqatës së industrisë së Ricikluesve Plastikë të Evropës, tha se pa ndërhyrjen e BE-së e gjithë industria rrezikonte të falimentonte.

Me ritmin aktual të mbetjeve plastike, vlerësohet se deri në vitin 2050, 99 për qind e specieve të shpendëve të detit do të kenë gllabëruar plastikën, duke e lejuar atë të hyjë në të gjitha ekosistemet në planet. Nga ana tjetër, shumë mendojnë se përvoja me Covid-19 mund të na mësojë të ndryshojmë ritmin.

Sipas një studimi të botuar në “Science of the Total Environment”, pandemia duhet të na nxisë të zbatojmë strategji të reduktimit të përdorimit të plastikës. Përpjekjet duhet të prekin sektorin në të gjitha fazat e tij, duke filluar nga modeli. Produktet e reja duhet të projektohen që në fillim për të lehtësuar riciklimin dhe ripërdorimin e tyre. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat