Paralajmërimi i Bidenit për Putinin

Bota

Paralajmërimi i Bidenit për Putinin

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 14:39
Foto nga takimi

Në një samit virtual të martën, presidenti Joe Biden i parashtroi homologut të tij rus, Vladimir Putin, hapat që do të ndërmerrnin Shtetet e Bashkuara nëse Moska vendos të sulmojë Ukrainën.

Ditën kur forcat e armatosura të Ukrainës festuan 30 vjetorin e formimit të tyre në vitin 1991, pasi vendi u shkëput nga Rusia, fati i vendit u diskutua nga presidenti amerikan Joe Biden dhe ai rus Vladimir Putin, të cilët u takuan virtualisht të martën.

Takimi, të cilin mediat amerikane nuk u lejuan ta filmonin, pasoi samitin e tyre ballë për ballë në Gjenevë në qershor.

Presidenti Biden e paralajmëroi Putinin të ndalojë...grumbullimin e trupave përgjatë kufirit ukrainas — që sipas disa vlerësimeve shkon në pothuajse 100,000.

Nëse Rusia sulmon Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë do të përgjigjen me masa të forta ekonomike. Ne do t'u sigurojmë materiale shtesë mbrojtëse ukrainasve shumë më tepër nga ajo që po ofrojmë tashmë. Dhe do të forconim aleatët tanë të NATO-s në krahun lindor me kapacitete shtesë në përgjigje të një përshkallëzimi të tillë”, tha Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Ukraina ka luftuar separatistët pro-rusë në rajonet e saj lindore që nga viti 2014, kur Moska pushtoi Krimenë.

Në samit, Putini kërkoi garanci nga presidenti Biden se aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s nuk do të përfshijë Ukrainën, e cila po kërkon anëtarësim.

“Ky është një diskutim pune gjatë një periudhe shumë të vështirë. Përshkallëzimi i tensionit është shumë i lartë në Evropë. I jashtëzakonshëm.”

Ky është samiti i dytë virtual i Bidenit me një kundërshtar. Në takimin e tij virtual të nëntorit me presidentin kinez Xi Jinping, presidenti Biden diskutoi një tjetër pikë të nxehtë territoriale, Tajvanin.

Nëse Rusia shihet sikur po lejohet të sulmojë Ukrainën, dhe në një farë mënyre ka sukses, Kina do ta ndjek këtë situatë nga afër dhe do ta shohë atë si një lloj prove për një operacion të mundshëm kundër Tajvanit”, thotë Max Bergmann me Qendrën për Përparimin Amerikan.

Zëri i Amerikës pyeti nëse SHBA-të janë të përgatitura të përballen me skenarin më të keq, të një sulmi rus ndaj Ukrainës dhe një pushtimi kinez të Tajvanit njëkohësisht.

Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin çdo veprim që mund të ndërmarrim, nga pikëpamja e parandalimit dhe diplomacisë, për t'u siguruar që skenari i Tajvanit që sapo përshkruat të mos ndodhë kurrë. // Dhe të përpiqemi të shmangim sulmin dhe ta pengojmë atë në Ukrainë, ky është objekti i politikës sonë tani”, tha Jake Sullivan.

Shtëpia e Bardhë tha se të dy udhëheqësit patën një diskutim produktiv mbi bisedimet për programin bërthamor të Iranit që aktualisht janë pezull.

Ndërsa administrata e tij fokusohet në rimëkëmbjen nga pandemia përpara zgjedhjeve për Kongresin të vitit 2022, presidenti Biden është i predispozuar të shmangë konfliktet.

Disa orë përpara takimit të tij me Putinin, Bideni shënoi 80-vjetorin e sulmit japonez në Pearl Harbor me një vizitë në Memorialin e Luftës së Dytë Botërore në Uashington./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat