Ukraina bombardon rusët/ Putini vazhdon çmendurin e tij, sërish kërcënon me armë bërthamore

Bota

Ukraina bombardon rusët/ Putini vazhdon çmendurin e tij, sërish kërcënon me armë bërthamore

Nga: BOTA SOT Më: 27 prill 2022 Në ora: 06:17 Përditësuar në ora: 23:04 më 27.04.2022
Grumbulluesit kërkojnë pjesë metalike të dobishme në një tank rus të shkatërruar jashtë Kievit, Ukrainë, 20 prill 2022.

Xhaferi takohet edhe me Zelenskyn

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi është bërë politikani i parë shqiptar në Ballkan që ka udhëtuar drejt Ukrainës, ndërsa kjo e fundit i reziston agresionit rus prej më shumë se dy muajsh.

Gjatë qëndrimit të tij, ai është pritur edhe nga zyrtarë të lartë ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelenskyy.

“Ngushëllimi im i sinqertë dhe shumë i thellë ndaj fëmijëve, prindërve, grave dhe burrave që i humbën më të afërmit. Për nder të jetëve të humbura, obligohemi që t’ju dëgjojmë me kujdes dhe t’ju ndihmojmë që sërish të ndërtoni të rrënuarën.

Falënderim ndaj të gjithë luftëtarëve për liri në Ukrainë, që në kushte lufte na mundësuan të udhëtojmë të sigurt në Ukrainë dhe që e ndajnë bukën me ne”, ka shkruar Xhaferi në rrjete sociale.

Forcat ruse shpërndajnë protestën e ukrainasve në Herson

Forcat ruse kanë përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë një tubim pro Ukrainës në qytetin e pushtuar të Hersonit më 27 prill, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, një ditë pasi Rusia pretendoi se ushtria e saj kishte marrë kontrollin e rajonit të Hersonit.

Autoritetet lokale thonë se Rusia ka emëruar kryetarin e saj të qytetit të Hersonit më 26 prill pasi trupat morën kontrollin e selisë së administratës në këtë rajon që gjendet në jug të Ukrainës. Hersoni ishte një prej qyteteve të para që u sulmua pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Disa herë janë mbajtur tubime kundër pushtimit rus në Herson dhe qytetarët u mblodhën sërish më 27 prill në qendër të qytetit.

“Gjatë një tubimi paqësor pro Ukrainës në Sheshin e Lirisë në qytetin e Hersonit, ushtarët rusë përdorën gaz lotsjellës dhe shok-bomba kundër popullatës civile”, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Të paktën katër persona janë plagosur dhe kjo zyre tha se po hetonte këtë ngjarje. Ende nuk ka pasur ndonjë reagim nga pala ruse për këtë ngjarje.

Më 26 prill, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë kishte thënë se ka marrë kontrollin e gjithë rajonit të Hersonit, që ka një rëndësi strategjike pasi gjendet në një zonë që do t’i jepte Rusisë një lidhje tokësore me zonat ku janë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe me rajonin e aneksuar të Krimesë.

Autoritetet lokale kanë thënë se mijëra persona janë larguar nga Hersoni për në territoret e kontrolluara nga Ukraina, por edhe në vende të tjera. Ky rajon po përballet me ndërprerje të rrymës dhe ujit dhe banorët po përballen me furnizime të pakta të ushqimeve dhe ilaçeve si dhe në këtë rajon po ka ndërprerje të shërbimeve telefonike.

Shefi i OKB-së viziton Ukrainën

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, njoftoi se të mërkurën ka arritur në Ukrainë, një ditë pasi vizitoi Moskën, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Kam arritur në Ukrainë pasi kam vizituar Moskën. Ne do të vazhdojmë punon tonë për të zgjeruar mbështetjen humanitare dhe për të ofruar evakuim të cilëve nga zonat e luftës. Sa më shpejt që kjo luftë mbaron aq më mirë edhe për Ukrainën, për Rusinë dhe për botën”, shkroi ai në llogarinë e tij në Twitter.

Më 26 prill, Guterres qëndroi në Moskë, ku përveç takimit me Putinin, u takua edhe me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Shefi i OKB-së bëri thirrje nga Moska që të arrihet një marrëveshje armëpushimi, të lejohet evakuimi i civilëve nga zonat e luftës dhe sa më shpejt t’i jepet fund luftës.

Ai po ashtu në takim me Putinin se pushtimi rus i Ukrainës, që ka nisur më 24 shkurt, paraqet shkelje flagrante të integritetit territorial të këtij shteti.

Ukraina thotë se ka bombarduar pozicionet ruse në Ishullin e Gjarpërinjve

Ushtria ukrainase thotë se ka bombarduar pozicionet ruse në Ishullin e Gjarpërinjve në Detin e Zi, një simbol i rezistencës ukrainase që nga pushtimi i forcave ruse më 24 shkurt.

"Forcat tona kanë sulmuar pozicionet e armikut në ishullin e gjarpërinjve", tha Komanda Jugore e Ushtrisë së Ukrainës në Facebook, duke pretenduar se ata kishin goditur një "pikë kontrolli" dhe kishin shkatërruar sistemin kundërajror.

"Humbjet e Rusisë janë duke u përcaktuar," shtohet në deklaratë, sipas mediave nga Ukraina.

Rusia nuk ka konfirmuar një sulm në ishullin që pushtoi menjëherë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.

Ky ishull në Detin e Zi është bërë një simbol në Ukrainë pasi komunikimi me radio u përhap me shpejtësi rrufe në rrjetet sociale në të cilat rojet kufitare ukrainase i thanë një kryqëzori raketor rus në ditën e parë të konfliktit, duke u bërë thirrje atyre që të dorëzoheshin, "shkoni në ferr, anije luftarake ruse!

Menjëherë pas asaj bisede, anija goditi me raketa ishullin dhe ushtarët ukrainas u kapën. Ata u liruan më vonë në këmbim të të burgosurve, sipas Kievit.

Regjistrimi i asaj bisede ishte lajtmotivi i rezistencës ukrainase, madje fyerjet e rojeve kufitare u shfaqën në pankarta në protestat mbështetëse jashtë vendit dhe në pullat postare të Ukrainës.

Kryqëzori Moska, “perla” e flotës ruse të Detit të Zi, u fundos në mes të prillit pasi u godit nga raketat ukrainase, pretendon Kievi. Nga ana tjetër, Moska tha se ajo ishte dëmtuar nga shpërthimi në anije.

Oligarku ukrainas denoncon Putin: Është koha për të ndaluar

Një oligark ukrainas, i cili fitoi pasurinë e tij me ndihmën e Kremlinit, tani po denoncon presidentin rus Vladimir Putin.

Duke folur për NBC News ndërsa ishte në arrest shtëpiak në Austri, miliarderi Dmytro Firtash tha se lideri rus nuk mund të fitojë në Ukrainë.

"Është koha për të ndaluar. Nuk do të ketë fitore. Sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më keq do të jetë për popullin rus, jo vetëm për popullin ukrainas," tha ai.

“Ai nuk do të dalë kurrë fitimtar. Sido që të ndodhë, Rusia do të humbasë”, shtoi ai.

Firtash e bëri pasurinë e tij duke shitur gaz natyror rus në Ukrainë dhe tani po lufton ekstradimin në SHBA, ku po përballet me akuza për konspiracion dhe ryshfet. Ai ka qenë në arrest shtëpiak për tetë vjetët e fundit.

Denoncimi i tij vjen pas Oleg Tinkov, një oligark që e quajti "masakrën" e Moskës në Ukrainë një "luftë të çmendur". Oleg Deripaska gjithashtu ka bërë thirrje për t'i dhënë fund luftës, pa e kritikuar drejtpërdrejt Putin-in.

Putin kërcënon me goditje "rrufe" përmend edhe armët bërthamore

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar ata që mbështesin Ukrainën, me hakmarrje të shpejtë, shkruan gazeta zvicerane Blick.ch transmeton “Bota sot”.

Kështu ka thënë ai të mërkurën në Shën Petersburg, siç shkruan agjencia gjermane e shtypit.

Kushdo që ndërhyn nga jashtë dhe kërcënon strategjikisht Rusinë duhet ta dijë se përgjigja do të jetë "e shpejtë rrufe". "Ne kemi të gjitha mjetet për këtë," tha shefi i Kremlinit në një takim të zyrtarëve të lartë.

Dhe ne nuk do të mburremi. Ne do t'i përdorim ato kur është e nevojshme. Dhe dua që të gjithë ta dinë këtë”. Vendimet e nevojshme tashmë janë marrë.

Në të njëjtën kohë, Putin deklaroi se përpjekja perëndimore për të ngadalësuar ekonominë ruse me sanksione kishte dështuar.

"Operacioni special ushtarak" në Ukrainë dhe Donbass, siç e quan ai luftën, do të arrijë të gjitha qëllimet e tij, theksoi ai.

Shefi i Kremlinit vuri gjithashtu armët bërthamore të vendit në gatishmëri të shtuar si një paralajmërim për NATO-n./M.L.

Pretendimet ruse për armë të shkatërruara perëndimore do të përmirësojnë moralin në frontin e brendshëm

Pretendimi i Rusisë se ka shkatërruar një hangar që përmbante armë nga Perëndimi është një "lajm i mirë në frontin e brendshëm", ka thënë një ekspert i inteligjencës për Sky News.

Forbes Mckenzie, shefi ekzekutiv i McKenzie Intelligence, tha se zona është "me interes të veçantë për rusët".

Ai shtoi: "Nëse ata kanë qenë të suksesshëm në mposhtjen e aftësive perëndimore, kjo do të shkojë shumë në përmirësimin e moralit të trupave ruse në terren."

Ndërkohë, Mckenzie ka disa mendime për atë që mund të ndodhë në rajonin e shkëputur moldav të Transnistria./M.L.

Rusia sanksionon 287 ligjvënës britanikë

Moska ua ka ndaluar hyrjen në Rusi 287 anëtarëve të Parlamentit britanik dhe i ka akuzuar ata se po nxisin në Britani “histeri rusofobike”.

Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, Britania dhe aleatët e tjerë kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj oligarkëve dhe elitave politike ruse, përfshirë edhe ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Ministria e Jashtme ruse tha se sanksionimi i ligjvënësve britanikë ishte në kundërpërgjigje të masave të ngjashme të vendosura nga Britania ndaj 386 anëtarëve të Dhomës së Ulët të Parlamentit rus më 11 mars.

“Këta persona kanë marrë pjesë në mënyrë aktive për të krijuar instrumente sanksionesh ndaj Rusisë dhe kanë kontribuar në nxitjen e histerisë rusofobike në Mbretërinë e Bashkuar”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.

Në listën e 287 personave të sanksionuar janë përfshirë edhe ish-ministra, por edhe disa persona që nuk janë më deputetë. Ndërkaq, emri i ish-ligjvënësit Dominic Grieve, është shkruar dy herë në këtë listë.

“Të gjithë këta 287 persona duhet t’i konsiderojnë këto sanksione si nder”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson, gjatë një fjalimi në Parlamentin britanik.

Më herët, Rusia ia ka ndaluar hyrjen në shtet Johnsonit, së bashku me disa ministra të kabinetit të tij.

Pikëpamjet e moskovitëve për përfundimin e luftës në Ukrainë

Kur të largohet Putini” apo “Kur të vdesë Putini”, dhe “duhet të përdorim armë më të fuqishme atje” apo “Ukraina duhet të zhduket nga faqja e dheut”, ishin ndër përgjigjet e disa prej banorëve të Moskës, të pyetur nga Radio Evropa e Lirë se kur mendojnë që do të përfundojë konfrontimi ushtarak me Ukrainën.

Duda: Polonia do të ndërmerr hapa ligjorë për shkak të vendimit të Gazprom

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, deklaroi sot se fakti që Rusia ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë shkel parimet bazë ligjore.

“Janë shkelur parimet bazë ligjore, do të ndërmerren hapat e duhur ligjorë dhe do të kërkohet kompensim adekuat nga Gazprom për shkeljen e dispozitave të marrëveshjes”, tha Duda gjatë vizitës në Pragë.

Kryeministri çek Petr Fiala tha se vendi i tij nuk ka asnjë sinjal apo informacion se furnizimi i tij me gaz do të ndërpritet, por se duhet të jetë gati për të gjithë skenarët.

Republika Çeke është pothuajse plotësisht e varur nga Rusia për gaz.

Ministri sllovak i Ekonomisë Richard Sulik tha se vendi nuk përballet me rrezikun e menjëhershëm të ndërprerjes së furnizimit me gaz ose naftë rus.

Rusia plotëson rreth 85% të kërkesës së Sllovakisë për gaz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat