VOA/ Humbet jetën shtetasi i parë amerikan në Ukrainë

Bota

VOA/ Humbet jetën shtetasi i parë amerikan në Ukrainë

Më: 29 prill 2022 Në ora: 19:15
Ushtari

UASHINGTON (AP) - Një ish-marins amerikan është vrarë duke luftuar përkrah forcave ukrainase në luftën me Rusinë, thanë të afërmit e tij për mediat amerikane. Është vdekja e parë e njohur deri tani e një shtetasi amerikan që luftonte në Ukrainë.

Rebecca Cabrera i tha rrjetit CNN se djali i saj, Willy Joseph Cancel, 22 vjeç, u vra të hënën ndërsa punonte për një kompani kontraktuese ushtarake që e dërgoi atë në Ukrainë.

Zonja Cabrera tha se djali i saj po punonte si oficer burgu në Tenesi dhe ishte regjistruar për të punuar me kompaninë private kontraktore ushtarake pak para se të fillonin luftimet në Ukrainë në fund të shkurtit. Ajo i tha rrjetit CNN se ai pranoi të shkonte në Ukrainë.

Ai donte të shkonte sepse besonte në atë për të cilën po luftonte Ukraina dhe donte të ishte pjesë e saj për ta mbajtur të keqen e luftës atje, në mënyrë që të mos vinte këtu, dhe që ndoshta ushtarët tanë amerikanë të mos duhej të përfshiheshin në të”, tha ajo.

Zonja Cabrera tha se trupi i djalit të saj nuk është gjetur ende.

"Nuk e kanë gjetur trupin e tij," tha ajo. "Ata që ishin me të po përpiqen, por ose do të tërhiqnin trupin e tij ose do të vriteshin. Ne do të donim që trupi i tij të kthehej tek ne", tha zonja Cabrera.

Ajo tha se djali i saj fluturoi për në Poloni më 12 mars dhe hyri në Ukrainë menjëherë pas kësaj date. Ajo tha se ai po luftonte përkrah vullnetarëve nga një numër vendesh.

Shtetet e Bashkuara nuk i kanë konfirmuar njoftimet. Të premten, Departamenti i Shtetit tha se ishte në dijeni të njoftimeve dhe se po “monitoron nga afër situatën. Për shkak të kushteve të privatësisë, nuk kemi komente të mëtejshme. Ne përsërisim edhe një herë se qytetarët amerikanë nuk duhet të udhëtojnë në Ukrainë për shkak të konfliktit aktiv të armatosur dhe përjashtimit të qytetarëve amerikanë në Ukrainë nga zyrtarët e sigurisë së qeverisë ruse, dhe se qytetarët amerikanë në Ukrainë duhet të largohen menjëherë nëse është e sigurt për ta bërë këtë duke përdorur ndonjë opsion të transportit tokësor komercial ose privatisht.”

E veja e të ndjerit Cancel, Brittany Cancel, tha për rrjetin Fox News se ai la pas një djalë të vogël dhe se ajo e konsideron bashkëshortin e saj hero.

"Burri im vdiq në Ukrainë," tha Brittany Cancel. “Ai shkoi atje duke dashur të ndihmonte njerëzit, pasi gjithmonë e kishte ndjerë se ky ishte misioni i tij kryesor në jetë”.

Ajo tha se bashkëshorti i saj doli vullnetar për të shkuar në Ukrainë, por gjithashtu kishte aspirata për t'u bërë oficer policie ose zjarrfikës.

"Ai kishte ëndrra dhe aspirata për të qenë një oficer policie ose për t'u bashkuar me forcat policore të Nju Jorkut," i tha ajo rrjetit Fox./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat