Fjalimi i Putinit: Rëndësia e asaj që nuk u tha

Bota

Fjalimi i Putinit: Rëndësia e asaj që nuk u tha

Më: 9 maj 2022 Në ora: 19:10
Vladimir Putin gjatë ceremonive për shënimin e Ditës së Fitores. 9 maj 2022.

Në fund, ajo që ra në sy lidhur me fjalimin e presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë ceremonive të Ditës së Fitores, ishte ajo që ai nuk e tha.

Ai nuk shpalli mobilizim të përgjithshëm për luftën e gjithanshme kundër Ukrainës.

Ai nuk shpalli fitore të luftës, e cila tani është në ditën e 75-të.

Ai nuk bëri asnjë kërcënim për përdorimin e arsenalit bërthamor të Rusisë, diçka që ai dhe zyrtarët e tjerë e kanë bërë vazhdimisht gjatë javëve të fundit.

Ai përmendi nazistët, por jo “denazifikimin”, që ishte një prej qëllimeve të deklaruara të Kremlinit për luftën në Ukrainë.

Ai nuk bëri as një thirrje të përgjithshme për t’iu bashkuar ushtrisë, për ta bashkuar popullsinë ruse për sakrifica të mëdha në, ose për shkak të luftës.

Për vëzhguesit e afërt të Presidencës së Putinit, fjalimi i tij i 9 Majit pritej të ishte një prej fjalimeve më të rëndësishme në 22 vjetët e tij si udhëheqës i Rusisë – një paralajmërim për më shumë luftë, ose ndoshta paqe, e cila do të vinte.

Nëse do të kishte këso deklaratash të mëdha, Dita e Fitores – një festë e shenjtë për miliona persona në Rusi dhe që vjen në kohën kur Putini është në qendër të vëmendjes globale – do të ishte data e mundshme për diçka të tillë.

Sikurse në fjalimet e kaluara në Ditën e Fitores, Putin nderoi miliona qytetarë sovjetikë të cilët vdiqën duke luftuar kundër Gjermanisë Naziste. Ashtu sikurse në disa fjalime të mëhershme, por jo në të gjitha, ai përdori këtë fjalim për të sulmuar Shtetet e Bashkuara.

Përderisa Kremlini po zhvillon luftën më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shumë vëzhgues kërkuan që të analizonin detajet se si Putini do ta paraqiste luftën në Ukrainë, e cila sipas të gjitha llogarive – me përjashtim të mendimit të tij dhe disa të tjerëve – nuk po shkon mirë për Rusinë.

Në fund, fjalimi 12-minutësh ofroi pak ose aspak qartësi.

Po ashtu, ky fjalim nuk ofroi asnjë ndryshim të politikës transformuese në krizën më të madhe të politikës së jashtme, nën udhëheqjen e Putinit.

“Reagimi im i parë është se ai po bën planifikime afatgjate, por po pret që të kalojë nëpër të njëjtat probleme sikurse pas aneksimit të Krimesë, por duke marrë territore në jug të Ukrainës”, tha Vladislav Zubok, një ekspert rus i Luftës së Ftohtë, i cili njëherësh është profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Ai iu referua aneksimit rus të Krimesë më 2014 dhe marrjes nën kontroll të disa pjesëve në jug të Ukrainës, që prej se Rusia nisi pushtimin e këtij shteti fqinj më 24 shkurt.

“Edhe një opsion është i mundshëm: me perden e hekurt përreth Rusisë që është ndërtuar nga sanksionet e fuqishme perëndimore, Putin ka siguruar regjimin e tij dhe ai do të jetë i kënaqur me të për vite me radhë”, tha Zubok.

“Në fund të fundit, ai është pothuajse 70 vjeç. Megjithatë, ky opsion presupozon një lider krejtësisht të ftohtë dhe cinik, retorika e të cilit për sakrificën dhe fitoren është vetëm një ‘blla-blla’ e madhe”, shtoi ai.

Në paradën vjetore u përfshi pjesëmarrja e zakonshme e qindra ushtarëve, marinsave dhe personelit tjetër ushtarak, të cilët marshuan pranë Kremlinit, teksa dëgjoheshin zhurmat e tankeve, automjeteve të blinduara dhe kamionëve që bartnin raketat balistike ndërkontinentale, që po ashtu parakaluan.

Çuditërisht, këtë vit nuk kishte paradë ajrore të bombarduesve, avionëve luftarakë dhe helikopterëve, të cilët në vitet e mëparshme fluturonin mbi qiellin e Moskës, dhe që për shumë persona paraqisnin pikën kyçe të paradës. Mungesa e një parade të tillë jo domosdo është tregues i ndonjë ngjarjeje të madhe, edhe pse anulimi i paradës ajrore ishte njoftuar nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, disa minuta para se ceremonitë të fillonin. Ai tha se nuk do të ketë paradë ajrore për shkak të kushteve atmosferike.

Fjalimi i Putinit kishte elemente të rëndësishme të mitologjizimit të Luftës së Dytë Botërore, kujtimet e së cilës janë shtrembëruar, siç argumentojnë disa vëzhgues rusë, apo siç e cilëson kritikja e Kremlinit, Yulia Latynina, “Kult të Fitores”.

“Ky kult i luftës nuk ka asnjë lidhje me historinë e vërtetë të Luftës së Dytë Botërore”, tha ajo. “Është një kult i totalitarizmit të ri rus, ideologjia e të cilit është shumë e thjeshtë”.

Afër 27 milionë qytetarë sovjetikë vdiqën gjatë luftës katërvjeçare me Gjermaninë Naziste. Putin nderoi qytetarët e vrarë në luftë.

“Dita e Fitores është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne. Nuk ka familje në Rusi që nuk është prekur nga Lufta e Madhe Patriotike. Kujtimi për të nuk do të shuhet kurrë”, tha ai gjatë fjalimit të tij.

Për dallim nga kjo, humbjet e Rusisë në luftën në Ukrainë janë mbajtur fshehur nga publiku. Njëzeteshtatë marsi ishte hera e fundit që Ministria e Mbrojtjes publikoi të dhënat zyrtare për vdekjen e ushtarëve dhe numri i paraqitur – 1,351 ushtarë të vdekur – është vetëm një pjesë e vogël e asaj që zyrtarët ukrainas dhe ata perëndimorë thonë se është numri real i humbjeve, që vlerësohet se është më shumë se 15,000 ushtarë të vrarë rusë.

LEXONI EDHE KËTË:

Si e përhapin televizionet shtetërore ruse propagandën për luftën në Ukrainë?

Në fushëbetejë në Ukrainë, në ditët e para të pushtimit, forcat ruse ngecën në përparimin e tyre, duke dështuar të merrnin kontrollin e Kievit apo të qyteteve të tjera të mëdha, përpara se të rikalibroheshin, duke zhvendosur trupat në një ofensivë në rajonin lindor të Donbasit.

Ofensiva në Donbas është ende duke u zhvilluar, por ka pak sinjale se është arritur ndonjë fitore e madhe për trupat ruse.

Edhe qyteti-port i Mariupolit, që komandantët rusë e kanë bërë prioritet për shkak të vendndodhjes strategjike dhe për arsye të tjera, pritej që të merrej nën kontroll javë më parë, por se kush e ka kontrollin e qytetit ende mbetet çështje e kontestuar, pavarësisht se Putin më 21 prill shpalli fitore në Mariupol.

LEXONI EDHE KËTË:

Pse ofensiva ruse në Donbas nuk po shkon ashtu siç ishte parashikuar?

Gjatë fjalimit të tij më 9 maj, ai nuk përmendi Mariupolin dhe as ndonjë territor tjetër që Rusia ka pushtuar.

“Interpretimi im është se kjo ishte një çështje e papërdorshme, sepse pothuajse gjithçka që ai do të bënte do të ishte e vështirë”, tha Andrew Wood, ish-ambasadori i Britanisë në Rusi. “Nuk ka triumf, për shembull, në Mariupol. Në fakt, nuk mendoj se ai e dinë se çfarë të bëjë”.

“Është një ndiejnë se diçka nuk është në rregull dhe ata nuk e kanë asnjë ide se si ta rregullojnë këtë. Kështu e mendoj këtë çështje”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Një numër në rritje i ekspertëve ushtarakë perëndimorë thonë se numri i lartë i vdekjeve në mesin e trupave ruse, por edhe shkalla e lartë e humbjes së pajisjeve, paraqesin pengesë të madhe për çdo pretendim për një fitoreje vendimtare, që është një problem i rëndësishëm i cili mund të zgjidhet vetëm me përfshirjen në luftë të një numri më të madh të trupave.

Kjo nënkupton ose thirrjen e rezervistëve ose dërgimin e rekrutëve relativisht të rinj e të papërvojë në luftë ose, në rastin më ekstrem, shpalljen e një mobilizimi të përgjithshëm, një mobilizimi masiv të shoqërisë.

Disa vëzhgues kanë spekuluar se Putin mund të bëjë diçka të tillë, duke e përdorur simbolikën e Luftës së Madhe Patriotike, sikurse shpesh në Rusi quhet Lufta e Dytë Botërore.

Kjo nuk ndodhi, me gjasë sepse do të përfshinte shpallje të luftës, diçka që Kremlini ka refuzuar ta quajë pushtimin e Ukrainës. Në vend të kësaj, Rusia përdor formulimin “operacion i posaçëm ushtarak” për t’iu referuar pushtimit të Ukrainës.

“Putin dikur shkëlqente në qëndrime, manipulime dhe blofe dhe ai duket i humbur në menaxhimin e një lufte të vërtetë, që është nxitur krejtësisht nga ai”, tha Pavel Baev, profesor i politikës, njëherësh hulumtues në Institutin e Kërkimeve të Paqes në Oslo.

“Edhe quajta e luftës me emrin e saj të vërtetë, që mund të ishte logjike në kontekstin e lidhjes së saj me [Luftën e Madhe Patriotike], është një hap shumë i largët për të”.

“Njoftimi, qoftë i një mobilizimi të pjesshëm do të nënkuptonte pranimin e një përgjegjësie më të rëndë sesa nënkupton ekzekutimi i ‘operacionit të posaçëm’ dhe fjalimi i tij i zbrazët nënkupton një dështim të madh të lidershipit, i cili veçmas është i dukshëm krahasuar me performancën e jashtëzakonshme të Zelenskyt”, tha Baev, duke iu referuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Përveç se nderoi heroizmin sovjetik dhe humbjet e përjetuara 77 vjet më parë, Putin po ashtu përsëriti qëndrimet e mëhershme:

Ai kritikoi Perëndimin, NATO-n dhe veçmas Shtetet e Bashkuara, duke i akuzuar për “poshtërim jo vetëm të gjithë botës, por po ashtu edhe të satelitëve të saj, të cilët duhet të pretendojnë se nuk kanë vënë re asgjë dhe me butësi të gëlltisin çdo gjë”.

Sikurse forcat sovjetike ndihmuan në mposhtjen e nazizmit në Evropë, tha ai, forcat ruse janë detyruar të veprojnë kundër Ukrainës “për parandalim të agresionit” nga ata që ai i përshkroi si neo-nazistë dhe “banderitë” të mbështetur nga Perëndimi. Termi i fundit është përdorur si term ofendues nga zyrtarët rusë për ukrainasit, e që është një referencë për liderin nacionalist ukrainas gjatë shekullit 20, Stepan Bandera.

“Gjithçka ishte tregues se një përplasje me neo-nazistët, me banderitët, të cilët mbështeten te SHBA-ja dhe partnerët e saj më të vegjël, do të ishte e pashmangshme”, tha ai.

Kievi, qeveritë perëndimore dhe kritikët e Kremlinit thonë se përpjekjet e Putinit për të justifikuar pushtimin, duke thënë se ka qenë një masë parandaluese, janë përpjekje krejtësisht të pabaza. Zyrtarët kanë argumentuar vazhdimisht se as Ukraina dhe as NATO-ja nuk kanë planifikuar që ta sulmojnë Rusinë dhe se përpjekjet e Putinit për të krahasuar ukrainasit ose udhëheqësit e tyre me nazistët, janë të pabaza dhe absurde.

Në një fjalim të dhënë pak pasi foli presidenti rus, sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se Putin dhe gjeneralët e tij po “pasqyrojnë fashizmin dhe tiraninë e 77 vjetëve më parë, duke përsëritur gabimet e regjimit totalitar të shekullit të kaluar”.

Përderisa foli për neo-nazistët, Putin nuk bëri asnjë deklaratë për “denazifikimin” e Ukrainës, diçka të cilën ai e kishte paraqitur si qëllim parësor kur shpalli fillimin e pushtimit më 24 shkurt.

Sipas Dmitry Oreshkin, politolog me seli në Moskë, nuk pritej që Putin të shpallte luftë apo të thërriste një mobilizim të përgjithshëm, duke theksuar se ndërmarrja e njërës prej këtyre dy vendimeve do të njolloste imazhin e tij dhe do të vinte në pikëpyetje menaxhimin e luftës.

“Nëse filloni një luftë, atëherë kjo do të thotë se po pranoni që operacioni i posaçëm nuk përfundoi, ose përfundoi me asgjë, ose doli se ishte i pamjaftueshëm. Në një mënyrë ose tjetër, një gjë e tillë do të perceptohej si defekt”, tha Oreshkin për Current Time.

“Dhe nëse shpallni mobilizim, prapë është e njëjta gjë”, tha ai. “Kjo nënkupton [se Rusia dhe ushtria e saj] nuk kishin forcë të mjaftueshme, se Ukraina bëri një rezistencë të fuqishme e të papritur dhe ne tani duhet të thërrasim njerëz të rinj, të rekrutojmë fuqi të re”.

Pra, shpallja e luftës ose urdhërimi i një mobilizimi do të ishte pranim i humbjes, tha ai.

Por, gjëja që mungoi në fjalimin e Putinit, e që ndoshta është më domethënësja është se: Putin, po ashtu nuk shpalli fitoren./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat