VOA/ Australi: Konservatori Morrison humb zgjedhjet, laburisti Albanese kryeministri i ardhshëm

Bota

VOA/ Australi: Konservatori Morrison humb zgjedhjet, laburisti Albanese kryeministri i ardhshëm

Më: 21 maj 2022 Në ora: 17:06
Australi

Kryeministri australian Scott Morrison pranoi humbjen në zgjedhjet e së shtunën dhe Partia Laburiste e opozitës pritet t’i jape fund pothuajse një dekade qeverisjeje konservatore, ndoshta me mbështetjen e të pavarurve që bënë fushatë për politika në mbrojtje të mjedisit.

Rezultatet e pjesshme tregojnë se ndërsa laburistët kanë pasur një rritje të lehtë, koalicioni Liberal-kombëtar i kryeministrit Morrison, pësoi humbje të thella në Australinë Perëndimore dhe në përgjithëse në zonat e pasura urbane.

Udhëheqësi i opozitës Anthony Albanese do të jetë kryeministri i ardhshëm pas fitores së parë të laburistëve që nga viti 2007.

Të Gjelbrit dhe një grup “të pavarurish", që bënë fushatë për politika të integritetit, barazinë gjinore dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike, fituan mbështetje falë pakënaqësive të votuesve për mosveprimin ndaj ndryshimeve klimatike pas disa prej përmbytjeve dhe zjarreve më të këqija që godasin Australinë.

Parlamenti i ri duket se do të jetë shumë më pak skeptik ndaj klimës sesa ai që mbështeti administratën e zotit Morrison që ishte pro minierave të qymyrit.

"Sot, fola me udhëheqësin e opozitës dhe kryeministrin e ardhshëm, Anthony Albanese dhe e urova për fitoren në zgjedhje," tha zoti Morrison, duke shtuar se po jepte dorëheqjen nga drejtimi i partisë.

Zoti Albanese tha se donte të bashkonte vendin.

"Mendoj se njerëzit duan të bashkohen, të punojnë për interesin tonë të përbashkët, drejt një objektivi të përbashkët. Mendoj se njerëzit kanë pasur mjaft ndasi, ajo që duan është të bashkohen dhe unë synoj të udhëheq në këtë drejtim”, tha ai.

Në rezultatet parapake laburistët nuk kanë siguruar ende 76 nga 151 vendet e dhomës së ulët të nevojshme për të formuar një qeveri të vetëm. Rezultatet përfundimtare mund të kërkojnë kohë pasi duhet të përfundojë numërimi i një numri rekord votash me postë.

Laburistët e qendrës së majtë kishin mbajtur një epërsi të ndjeshme në sondazhet para zgjedhjeve, megjithëse sondazhet treguan se qeveria Liberale-Kombëtare po ngushtonte hendekun në ditët e fundit të fushatës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat