Xi Jinping: Nuk ka nevojë të ndryshohet sistemi qeverisës i Hong Kongut

Bota

Xi Jinping: Nuk ka nevojë të ndryshohet sistemi qeverisës i Hong Kongut

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 08:51
Presidenti i Kinës Xi Jinping gjatë një ceremonie në 25 vjetorin e dorëzimit të qytetit nga Britania. Hong Kong, Kinë, 1 korrik 2022.

Presidenti kinez Xi Jinping mbrojti të premten vizionin e tij mbi Hong-Kongun "një vend, dy sisteme" përkundër akuzave të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe shteteve të tjerë, që thonë se Pekini ka minuar liritë dhe autonominë e premtuar të Hong Kongut për 50 vjet.

Në një fjalim të mbajtur me rastin e 25 vjetorit që kur qyteti u bë një rajon gjysmë-autonom kinez pas dorëzimit nga Britania në 1997-n, Xi tha se korniza qeverisëse "një vend, dy sisteme" - i cili lejon Hong Kongun të ketë ligjet dhe qeverinë e tij - kishte arritur "sukses të njohur universalisht."

"Nuk ka asnjë arsye që një sistem kaq i mirë të ndryshojë dhe ai duhet të mbahet për një kohë të gjatë," tha ai, në atë që dukej si një përpjekje për të siguruar banorët se Hong Kongu mund të ruante liritë e tyre të pjesshme edhe pas 50 vjetësh.

Por Xi gjithashtu theksoi se Pekini kishte "juridiksion gjithëpërfshirës" mbi Hong Kongun dhe se Hong Kongu duhet të respektojë udhëheqjen kineze, edhe pse Pekini lejon rajone si Hong Kongu dhe Makao të ruajnë sistemin e tyre kapitalist dhe një shkallë autonomie.

Ai paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për ndërhyrjet e huaja ose tradhtarët për të ndërhyrë në punët e Hong Kongut dhe se "ruajtja e sovranitetit kombëtar, sigurisë dhe interesave të zhvillimit" është prioriteti më i lartë.

“Askush në asnjë vend apo rajon në botë nuk do të lejojë që vendet e huaja apo edhe forcat dhe figurat tradhtare të marrin pushtetin”, tha ai, duke shtuar se vetëm duke pasur patriotë që qeverisin Hong Kongun, Hong Kongu mund të sigurojë stabilitet afatgjatë.

Xi e vizitoi për herë të fundit Hong Kongun në vitin 2017-të për festimet e 1 korrikut, gjatë së cilës ai paralajmëroi se nuk do të ketë tolerancë për asnjë aktivitet që shihet si kërcënues i sovranitetit dhe stabilitetit të Kinës.

Muajt e protestave pro-demokracisë në vitin 2019-të u panë si një kërcënim i tillë nga Partia Komuniste e Kinës.

Që nga protestat, autoritetet e Pekinit dhe Hong Kongut hartuan një ligj për sigurinë kombëtare që u përdor më pas për të arrestuar shumë aktivistë, figura mediatike dhe mbështetës të demokracisë; u prezantua një kurrikulë më “patriotike” në shkolla; dhe ligjet e ndryshuara zgjedhore për të mbajtur jashtë legjislaturës së qytetit politikanët e opozitës që konsiderohen jo aq patriotë sa duhet.

Udhëtimi dy-ditor i Presidentit Xi në Hong Kong është i pari i tij jashtë Kinës që nga përhapja e pandemisë në janar 2020. Siguria në Hong Kong është rritur për mbërritjen e tij, me zona të caktuara sigurie dhe ndalim fluturimi. Mijëra të ftuarve iu kërkua të bënin teste ditore të koronavirusit dhe u urdhëruan të qëndronin në hotelet e karantinës përpara pjesëmarrjes së tyre në ngjarjet e së enjtes dhe të premtes.

Xi gjithashtu drejtoi ceremoninë e betimit të liderit të ri të Hong Kongut, John Lee, një ish-zyrtar i sigurisë që mbikëqyri goditjen e disidencës në qytet që nga protestat pro-demokratike të vitit 2019-të. Lee u zotua të mbështesë mini-kushtetutën e qytetit, Ligjin Bazë, dhe premtoi besnikëri ndaj Hong Kongut. Ai u zotua gjithashtu se do të jetë përgjegjës mbi llogaridhënien ndaj qeverisë qendrore në Pekin./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat