“Kamioni i vdekjes”, familjet vajtojnë për viktimat në San Antonio

Bota

“Kamioni i vdekjes”, familjet vajtojnë për viktimat në San Antonio

Më: 2 korrik 2022 Në ora: 17:16
Foto ilustrim

Pesëdhjetë e tre persona u gjetën të vdekur pak ditë më parë në rimorkion e një kamioni të braktisur në San Antonio të Teksasit, 7 prej të cilëve ishin shtetas nga Guatemala. Dy prej tyre ishin adoleshentë. Familjarët rrëfejnë për Zërin e Amerikës kushtet e vështira ekonomike në të cilat ata jetonin dhe që i detyruan ata të ndërmarrin këtë udhëtim të rrezikshëm. 

Pascual Guachiac dhe Juan Tulul ishin kushërinj, përkatësisht 13 dhe 14 vjeç. Ata banonin në Guatemala. 

“Pesëmbëdhjetë ditë më parë ata u larguan, për një jetë më të mirë, për të bërë përpara. Ndoshta mendonin se do të kishin një të ardhme atje, por më pas ndodhi kjo tragjedi”, thotë Nicolás Suy, familjar i viktimave. 

Adoleshentët, që udhëtonin të pashoqëruar për në Shtetet e Bashkuara, ishin dy nga 53 personat nga Meksika, Guatemala dhe Hondurasi që gjetën vdekjen brenda një kamioni në San Antonio të Teksasit për shkak të të nxehtit. 

Familjarët e viktimave thonë se komunikimi i fundit që kanë pasur me ta, ka qenë mesdita e 27 qershorit, kur dy adoleshëntët u nisën një mesazh ku njoftonin të afërmit se ndodheshin në Shtetet e Bashkuara. 

“Ne këtu në Guatemala, jemi të varfër. Djali tha se donte një jetë më të mirë, ndaj dhe u largua. Por ndodhi kjo fatkeqësi”, thotë Manuel Tulul, babai i një prej vitkimave. 

Autoritetet ndërkohë kanë konfirmuar se 5 persona nga Guatemala humbën jetën në kamion. 

“Krahas 5 viktimave, 3 shtetas të tjerë ndodhen në spital. Gjendja e tyre është shumë delikate”, tha Mario Búcaro, Ministër i Jashtëm i Guatemalës. 

Sipas tij testet e ADN-së po kryhen për të konfirmuar identitetin e viktimave dhe Guatemala do të kujdeset për riatdhesimin e tyre. 

Edhe në Honduras disa familje janë në zi. 

Mes viktimave ishin edhe dy vëllezërit Fernando dhe Alejandro Caballero, si dhe bashkëshortja e Alejandros, Margie Tamara Paz. 

Nëna e dy vëllezërve thotë se fëmijët e saj nuk gjenin dot punë aty ku jetonin ndaj dhe vendosën të largohen. 

“Kemi nevojë për veprime e zgjidhje që do të ndihmonin për të ndalur migrimin e të rinjve”, thotë Karen Lara, nëna e viktimave. 

Autoritetet e Guatemalës dhe Hondurasit thonë se do të mbulojnë shpenzimet për riatdhesimin e viktimave dhe se po punojnë për të ndihmuar familjet e prekura. 

Incidenti është tragjedia më numrin më të madh të viktima si pasojë e trafikimit të qenieve njerëzore përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat