SHBA-ja dhe Britania: Spiunazhi kinez, kërcënim i madh për sigurinë kombëtare

Bota

SHBA-ja dhe Britania: Spiunazhi kinez, kërcënim i madh për sigurinë kombëtare

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 09:29
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray. Fotografi nga arkivi.

Krerët e agjencive të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara dhe Britani kanë lëshuar një paralajmërim të përbashkët për spiunazhin kinez, duke thënë se përpjekjet e Pekinit përbëjnë “kërcënimin më të madh në terma afatgjatë”.

Gjatë një paraqitjeje në Londër më 6 korrik së bashku me drejtorin e FBI-së, Christopher Wray, kreu i MI5, Ken McCallum, tha se agjencia britanike ka “dyfishuar përpjekjet kundër aktivitetit shqetësues kinez”.

Qeveria kineze dhe “presioni i fshehtë i saj në mbarë botën” përbën “sfidën më të madhe që ne përballemi”, tha ai.

“Kjo mund të duket abstrakte. Por, është e vërtetë dhe është urgjente”, tha McCallum. “Ne duhet të flasim për këtë çështje, ne duhet të veprojmë”.

Shefi i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Christopher Wray, u pajtua me këto qëndrime, teksa tha se Pekini “paraqet kërcënimi më të madh në terma afatgjatë” për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Londrës dhe Uashingtonit, dhe të aleatëve në Evropë e gjetkë.

“Qeveria kineze po tenton ta formësojë botën duke ndërhyrë në politikën tonë dhe të aleatëve tanë”, tha Wray, teksa foli në selinë e MI5 në Londër.

Programi i hakimit i Qeverisë kineze “është më i madh se i shteteve të mëdha marrë së bashku”, tha Wray.

Kjo paraqitje e përbashkët e dy zyrtarëve tregon se sa sfidë të madhe e konsiderojnë Qeverinë kineze dhe inteligjencën e saj SHBA-ja dhe Britania.

Një zëdhënës i Ambasadës kineze në Londër hodhi poshtë komentet.

“Këto pretendime ndaj Kinës nga zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe britanike janë krejtësisht të pabaza dhe të ashtuquajturat raste që kanë përmendur janë një përndjekje e pastër”, ka thënë ky zëdhënës për Reuters.

Londra dhe Uashingtoni duhet të “heqin dorë nga mentaliteti i Luftës së Ftohtë i cili ka dalë nga moda... dhe duhet të ndalojnë së krijuari konfrontime dhe konflikte”, tha ky zyrtar i Ambasadës kineze në Londër./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat