Masakra e Buchas, Ukraina shënon përvjetorin mes predhave ruse

Bota

Masakra e Buchas, Ukraina shënon përvjetorin mes predhave ruse

Më: 1 prill 2023 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

31 marsi shënoi plot një vit që nga dita kur forcat ruse u tërhoqën nga Bucha, duke lënë pas një pamje që tmerroi botën e riktheu në kujtesë masakra që Europa shpresonte t`ia kishte lënë një herë e mirë së shkuarës.

Pamjet e trupave të civilëve në rrugët e Buchas u kthyen në simbolin e agresionit brutal të Rusisë në Ukrainë, por dhe në provën e krimeve të luftës që po kryhen atje. Për të kujtuar Buchan, presidenti Volodymyr Zelenskiy kryesoi një ceremoni zyrtare në natyrë në Bucha, ku morën pjesë edhe presidentja moldave Maia Sandu dhe kryeministrat e anëtarëve të BE-së dhe NATO-s, Kroacisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë — Eduard Geger, Robert Golob dhe Andrej Plenkovich.

“Ne nuk do të harrojmë kurrë. Fajtorët do të ndëshkohen. Unë ju pyes: A është Putini një kërcënim për botën? Sigurisht që po. Nëse bie Ukraina, mendoj se Putini do të shkojë përtej saj.”

Në muajin mars, hetuesit e Kombeve të Bashkuara I akuzuan autoritetet ruse për një seri shkeljesh të rënda dhe të gjera të të drejtave të njeriut ndaj civilëve ukrainas, të cilat në shumë raste mund të përbëjnë krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit. Në raportin e parë gjithëpërfshirës për situatën në Ukrainë, që kur Rusia sulmoi këtë vend më 24 shkurt 2022, Komisioni Ndërkombëtar për Hetimet për Ukrainën konkludoi se “autoritetet ruse kanë kryer shkelje të shumta të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, krahas një game të gjerë krime lufte”.

Krimet e luftës përfshijnë sulme ndaj civilëve dhe infrastrukturës të lidhur me energjinë, vrasjet me dashje, torturat dhe trajtimin çnjerëzor, mbajtjen e paligjshme, përdhunimin dhe transferimin e paligjshëm, si dhe deportimin e fëmijëve nga Ukraina drejt Federatës Ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat