Salman Rushdie në një fjalim të rrallë publik thotë se liria e shprehjes është nën kërcënim

Bota

Salman Rushdie në një fjalim të rrallë publik thotë se liria e shprehjes është nën kërcënim

Më: 16 maj 2023 Në ora: 23:38
Autori Salman Rushdie

Autori Salman Rushdie në një fjalim të rrallë publik që kur i mbijetoi një sulmi me thikë vitin e kaluar, ka paralajmwruar se liria e shprehjes është në rrezik.

“Ne jetojmë në një moment, në të cilin liria e shprehjes, liria për të botuar, nuk ka qenë në jetën time nën një kërcënim të tillë në vendet e Perëndimit,” tha ai në një video-mesazh në The British Book Awards të hënën.

“Natyrisht, ka pjesë të botës ku censura ka qenë e përhapur për një kohë të gjatë. Një pjesë e madhe e botës: Rusia, Kina, në disa mënyra, edhe India. Por në vendet e Perëndimit, deri vonë, kishte një masë të drejtë lirie në fushën e botimeve”.

Ai vazhdoi, “Tani, dua të them, duke u ulur këtu në Shtetet e Bashkuara, më duhet të shikoj sulmin e jashtëzakonshëm ndaj bibliotekave dhe librave për fëmijët në shkolla – sulmin ndaj idesë së vetë bibliotekave”.

Rushdie, 75 vjeç, po i referohej përpjekjeve të politikanëve konservatorë për të ndaluar librat që trajtojnë tema të racës dhe identitetit gjinor, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.

Një raport i fundit nga PEN America, për të cilin Rushdie ka shërbyer më parë si president, zbuloi se ndalimet e librave në shkollat ​​publike vazhduan të rriteshin në vjeshtën e vitit 2022 dhe se gati një e treta ishin rezultat i drejtpërdrejtë i ligjeve të reja shtetërore. Ndërkohë, bibliotekat në të gjithë vendin po synohen të mbyllen.

Autori fitues i çmimit Booker është i njohur ngushtë me kërcënimet ndaj shprehjes së lirë. Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent gushtin e kaluar pasi u godit me thikë disa herë para se të jepte leksionin të tij të planifikuar në Institutin Chautauqua në Nju Jork. Në mesazhin që u transmetua në ngjarjen e së hënës, ai mbante syze që i fshihnin njërin sy, të cilin e humbi shikimin pas sulmit.

Romani i Rushdie i vitit 1988 “Vargjet Satanike” u prit me demonstrata dhe ndalime në disa vende, me disa myslimanë që kritikuan përshkrimet e tij të Islamit si sakrilegji. Ajatollah Ruhollah Khomeini i Iranit nxori një fetva, ose një dekret fetar, duke bërë thirrje që Rushdie dhe bashkëpunëtorët e tij të vriteshin në vitin 1989. Rushdie u detyrua të fshihej për rreth një dekadë më pas dhe të tjerët që punuan për romanin u vunë gjithashtu në shënjestër – në 1991, një përkthyes japonez u vra.

Shpërblimi ndaj Rushdie nuk është hequr kurrë. Ndërsa qeveria iraniane u përpoq të distancohej nga fetvaja në 1998 duke u zotuar se nuk do të kërkonte ta zbatonte atë, qëndrimi i saj për këtë çështje ka qenë i paqartë gjatë viteve. Dhe në vitin 2019, Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei postoi në Twitter se fetvaja ishte “e fortë dhe e pakthyeshme”. Megjithatë, Rushdie kishte jetuar më lirshëm në vitet para sulmit të gushtit të kaluar.

Gjatë fjalimit të tij në British Book Awards, Rushdie foli me forcë kundër censurës. Përveç adresimit të ndalimeve të librave nga politikanët konservatorë, ai kritikoi gjithashtu planet e fundit për të hequr materiale nga botimet e reja të teksteve të Roald Dahl dhe Ian Fleming, duke i quajtur alarmante përpjekjet e botuesve për të “ribërë veprën e djeshme në dritën e qëndrimeve të sotme”.

“Mendoj se duhet rezistuar. Librat duhet të vijnë tek ne, nga koha e tyre dhe të jenë të kohës së tyre”, tha ai. “Dhe nëse është e vështirë për t’u marrë, mos e lexoni. Lexoni një libër tjetër”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat