Kievi nuk ka ndonjë iluzion për rolin paqeruajtës të Kinës

Bota

Kievi nuk ka ndonjë iluzion për rolin paqeruajtës të Kinës

Më: 20 maj 2023 Në ora: 19:13
Foto nga vendi i ngjarjes

I dërguari i posaçëm kinez Li Hui mbërriti në Kiev këtë javë për të diskutuar përpjekjet e vendit të tij për të ndërmjetësuar mes Rusisë dhe Ukrainës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Chernikova, analistët ukrainas thonë se Kievi nuk ka iluzione për aftësitë e Kinës për të mundësuar një marrëveshje paqeje, por se është megjithatë e rëndësishme që Ukraina të ruajë dialogun me Kinën.

Vizita e të dërguarit të posaçëm kinez Li Hui vjen pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Presidenti kinez Xi Jinping biseduan me telefon muajin e kaluar. Kjo ishte telefonata e tyre e parë që kur Rusia filloi ofensivën ushtarake në Ukrainë.

Telefonata shënon një stad të ri në marrëdhëniet Ukrainë-Kinë. Presidenti Zelenskyy tha se biseda ishte e gjatë dhe domethënëse. Po atë ditë, ai njoftoi emërimin e ambasadorit të ri ukrainas në Kinë.

Kina thotë se prioriteti i saj është të nxisë bisedimet për paqen dhe premtoi të dërgojë një të dërguar special në Ukrainë.

Li Hui mbërriti në Ukrainë më 16 maj, ku u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba për bisedime për dhënien fund të luftimeve.

Volodymyr Fesenko, analist politik në Kiev, e përshkruan vizitën e Li Huit si "diplomaci ndërmjetësuese" që do t'i shërbejë – më shumë se çdo gjë tjetër – interesave të Pekinit në rajon.

Ky përfaqësues special do të punojë jo vetëm për të tejkaluar luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, por më shumë për të forcuar ndikimin e Kinës në Evropë. Është e rëndësishme për Ukrainën që Kina të jetë më mirë një ndërmjetëse për paqen, se një aleate e drejtpërdrejtë ushtarake e Rusisë”, i tha zoti Fesenko Zërit të Amerikës.

Vita Golod, e cila drejton Bordin e Shoqatës Ukrainase të Studimeve Kineze, thekson rëndësinë e ruajtjes së një dialogu me Kinën dhe për të parë se çfarë ka për të ofruar.

Nuk duhet ta bëjmë armike Kinën. Kjo është detyra jonë për momentin, ta lëmë Kinën në pozicionin që po marrin. Kjo është një lojë kineze dhe ne duhet ta perceptojmë këtë lojë si një pozicion strategjik kinez në planin afatgjatë. Kur analizuam të ashtuquajturin plan paqeje, pozicionin e Kinës për zgjidhjen e asaj që ata e quajnë ‘kriza ukrainase’, pamë se ka pika të përbashkëta midis planit të paqes dhe formulës së paqes të Zelenskyit; ka diçka me të cilën mund të punohet", i tha zonja Golod Zërit të Amerikës.

Analistët nuk shohin ndonjë arsye për të pritur që vizita e Li Huit të sjellë ndryshime të mëdha, por e shikojnë me sy pozitiv përfshirjen e Kinës si palë neutrale.

Në rrugët e kryeqytetit, ukrainasit janë më skeptikë.

Besoj se Kina mund të jetë ndërmjetëse në negociata, por ata kanë objektivin, qëllimin dhe interesin e tyre në këtë gjë. Dhe besoj se, për fat të keq, jo për të mirën e Ukrainës, por për përfitimin e tyre”, i thotë Maxim, banor i Kievit, Zërit të Amerikës.

“Kur filloi lufta, Kina nuk ishte në anën tonë. Që në fillim e ka mbështetur Rusinë dhe nuk do të doja që ajo të ishte ndërmjetëse në negociata. Por ajo përcakton një rol më të madh për vendin tonë se kushdo tjetër, sepse ka lidhje të drejtpërdrejta me Rusinë”, i tha Zërit të Amerikës Anastasia, gjithashtu banore e Kievit.

Pas dy ditësh bisedimesh me ministrin e jashtëm të Ukrainës, mbeti ende e paqartë se çfarë hapash të ardhshëm do të ndërmarrë Kina për t'i dhënë fund luftës që Rusia filloi me sulmin e saj ushtarak./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat