Numri i të vdekurve nga shembja e çatisë së klubit të natës në Santo Domingo rritet në 66

Bota

Numri i të vdekurve nga shembja e çatisë së klubit të natës në Santo Domingo rritet në 66

Më: 9 prill 2025 Në ora: 08:03
Foto ilustrim

Ka shkuar në 66 numri i viktimave nga shembja e çatisë së një klubi nate në Republikën Domenikane.

Ekipet e shpëtimit kanë shkuar në vendngjarje dhe aktualisht po kryejnë kërkime për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat.

Drejtori i Qendrës së Operacioneve Emergjente të Republikës Domenikane, Juan Manuel Mendes, konfirmoi se 66 persona vdiqën pasi çatia e klubit të natës Jet Set u shemb.

Rreth 400 ekipe shpëtimi janë duke kërkuar në vendngjarje, ndërsa numri i të lënduarve është 155, tha drejtori i Qendrës Operative Emergjente.

Ende nuk është sqaruar se çfarë e shkaktoi shembjen e çatisë gjatë një koncerti të këngëtares Ruby Perez në diskotekën Jet Set në Santo Domingo. Sipas mediave vendase, këngëtarja është mes viktimave edhe pse ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht nga Qendra Operative Emergjente.

Të paktën 300 njerëz ishin brenda klubit të natës në kryeqytetin Santo Domingo gjatë një shfaqjeje të ngjeshur muzikore kur çatia u shemb, shtoi ai.

Familjet e të zhdukurve u mblodhën në vendngjarje dhe shpërndanë fotot e të dashurve të tyre, ndërsa dhjetëra autoambulanca i dërguan të plagosurit në spital. Personeli nga të paktën 22 institucione publike janë në vendngjarje duke ndihmuar në përpjekjet e reagimit, thanë zyrtarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat